Dhimitër Lala: Si partizan, partia më dekoroi me tri medalje, pastaj më burgosi në Spaç

672
Sigal

Dorëshkrimet e një ndër operatorëve të parë shqiptarë, Dhimitër Lala: Qysh në moshën 13-vjeçare ka qenë partizan në Brigadën IV Sulmuese.

  • Mua në luftën e Tiranës më caktuan në Pallatin e Brigadave që ta ruaja të mos vidhej dhe të mos shkatërrohej. 
  • Për aftësi në Luftë mora “Medaljen e Trimërisë”, “Medaljen e Çlirimit” dhe “Medaljen e Kujtimit”. 

Albert Z. ZHOLI

Dhimitër Lala, mbetet ndoshta operatori unik, i cili pasi u dekorua më pas u burgos. Në një intervistë për “Telegraf.al” se liria e krijimtarisë ishte e kushtëzuar në atë kohë. Aparatet partiake kontrollonin çdo film para daljes së tij në ekran dhe pasojat e censurës në kinematografi sollën dënime, mënjanime, përndjekje, pezullime e largime. Emra të njohur kineastësh e shkrimtarësh u detyruan të largohen nga Kinostudio të dënuar nga diktatura. Por kësaj “vale” nuk i shpëtuan as disa operatorë. Një prej tyre është edhe Dhimitër Lala. Emri i tij është i lidhur ngushtë me themelimin e dy institucioneve të rëndësishme të kulturës dhe propagandës së asaj kohe, Kinostudios “Shqipëria e re” dhe Televizionit Shqiptar. Operatori Dhimitër Lala ka qenë ndër të parët, që kanë xhiruar metrat e parë të filmit shqiptar, një vit pas themelimit të Kinostudios dhe ndër të parët që xhiruan në TVSH, që në 1971, vit kur nisën edhe transmetimet ditore të këtij televizioni. Karriera e tij ishte e suksesshme, deri në mesin e viteve ’70-të, kur filloi gjuetia e shtrigave ndaj intelektualëve dhe figurave të njohura të artit. Dhimitër Lala ishte viktimë e atij sistemi. Në vitin 1976, ai u dënua me 6 vjet për agjitacion dhe propagandë. U këput në mes ëndrra dhe rruga e tij drejt artit, u shkatërrua familja dhe për më se një dekadë nisi udha e ferrit për artistin e pasionuar. Si për ironi të fatit në vitin 1957, ai u dekorua nga partia me “Urdhrin e punës të klasit të tretë” për filmin “Pusi 542”, me regji të Ilo Pandos, si dhe me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të dytë, për filmin dokumentar “Dyluftim me flakët”, si kameraman dhe realizues, në vitin 1969. Ka disa urdhra e medalje të tjera. Në fillim të viteve ‘50, ai punoi në Kinostudio si përgjegjës i kinemave të Tiranës. Puna e parë e tij ishte filmi i shkurtër “Fëmijët e saj”, ku punoi si asistent kameraman, bashkë me Sokrat Mushën. Nga viti 1971 – 1974 ka punuar si kameraman pranë Televizionit Shqiptar. E në vitin 1975 burgoset për agjitacion e propagandë. Para 4 vjetësh në ambientet e hotel “Harxhi” u shfaq filmi dokumentar “Jeta e vrullshme e Dhimitër Lala” me autor regjisorin e talentuar Ylli Pepo. Dua të theksoj se z. Lala e kam marrë intervistë për herë të parë në vitin 2007 dhe takimet me të kanë qenë të shpeshta. Kushdo që lexon dhe do shikojë në film jetën e Dhimitër Lalës do të befasohet. Ai qysh në moshën 13-vjeçare ka qenë partizan në Brigadën IV Sulmuese. Po, po partizan në atë moshë. Që fëmijë ai dallohej për shtatin e gjatë, fizikun e bukur elegance, por edhe për dëshirën për të çarë në jetë. Ai ka lindur në qytetin e Pogradecit, më 2 tetor të viti 1931. Fëmijërinë e shkollimin e ka kaluar në këtë qytet të bukur buzë liqenit. Aty mori mësimet e para, mori dëshirën për të mësuar dhe dashurinë për artin. Edhe më vonë, kur iku nga Pogradeci, kthehej vazhdimisht. La aty nënën, babanë, dy vëllezër e dy motra. Pas lufte ai nuk shkoi më në Pogradec, por qëndroi në Tiranë ku pati një jetë intensive sa të bukur po aq dhe tragjike. Kam shumë dorëshkrime të tij që i kam në dokumentet e mia pas intervistës së dytë. Sot kam përgatitur një përmbledhje të dorëshkrimeve dhe të intervistave që kam zhvilluar me të në vite….

  • Hrushovi i tha në Rinas Enverit: Mos e zë në gojë Titon. 
  • Mehmeti i thotë Çu En Lait: Ne atyre që tradhtojnë iu japin plumbin ballit, nuk ua kursejmë. 
  • Çu En Lai: Pushkatimi nuk është rruga e duhur, ne i edukojmë me veprat e Maos.

– Lindur dhe rritur në Pogradec, pranë liqenit të bukur dhe piktoresk. Kur u larguat për herë të parë nga Pogradeci?

Në atë kohë ishte e vështirë lëvizja se s’kishte këto mjete komunikimi. Unë deri në moshën 13-vjeç nuk kisha shkuar në ndonjë qytet tjetër përveç fshatrave afër Pogradecit. Isha i lidhur shumë me vendlindjen. Kisha një lidhje shpirtërore të fuqishme e kurrë nuk e kisha menduar se do të largohesha prej saj. Por ja që vjen një moment që të gjitha sa kisha menduar shemben si një kala prej rëre. Kur isha 13-vjeç në Pogradec vjen Brigada IV Sulmuese. Unë kisha dëgjuar shumë për partizanët dhe emri i tyre i mirë qarkullonte kudo. Në Brigadë pashë shumë vajza të reja, por edhe të rinj me shtat më të shkurtër se unë. U tundova. Shikoja nja dy moshatarë me pushkë mbi supe dhe me kapelë me yll dhe mendova: “Ç’kanë këta më shumë se unë?!” U dashurova me uniformën dhe me armën. I thashë njërit prej partizanëve që t’i thoshte komandantit, se doja dhe unë të vija partizan. Ai në fillim ngurroi, pastaj më pyeti, se a i kisha thënë familjes? Ju përgjigja se po. Kur Brigada do largohej unë shkova pas tyre. Ata më pajisën me rroba dhe më dhanë një pushkë. Sa u lumturova! Tashmë isha partizan. Atë ditë morëm rrugën për të çliruar Veriun e vendit. Ishte një rrugë e gjatë. Pas Veriut na u dha urdhri për të çliruar Tiranën.

– Thuajse isha në moshën e lodrave po mora pushkën për liri.

Si të trajtonin në Brigadë, si silleshin dhe a kishte disiplinë në UNÇ dhe cilat beteja veçon?

– Eh sa duheshim me njeri-tjetrin atë kohë. Mua më mbanin shumë mirë. Mundoheshin të më shmangnin nga betejat direkt duke më ngarkuar me detyra të ndryshme. Por unë doja të isha pjesë e luftës, e betejave. Kur dëgjoja trimëritë e partizanëve doja të imitoja ata. Unë isha pjesë në luftën për çlirimin e Tiranës. Mua më caktuan në Pallatin e Brigadave që ta ruaja të mos vidhej dhe të mos shkatërrohej. Aty kam ngelur i befasuar! Për aftësi në Luftë mora “Medaljen e Trimërisë”, “Medaljen e Çlirimit” dhe “Medaljen e Kujtimit”. Pas Luftës, duke qenë partizan dhe duke qenë se në atë kohë kishte shumë nevojë për oficerë mua më çuan në shkollën “Skënderbej”. Ajo ishte shkolla më e lakmuar atë kohë, sidomos djemtë nga fshatrat e donin shumë atë shkollë. Kishte ambiente, kishte ushqim të mirë, por mbi të gjitha kishte veshje të bukur. Kur dilnim në Tiranë të gjithë na shikonin me shumë kureshtje. Në shkollë kishte disiplinë. Ne kishim edhe mësues edhe komandues. Pra, ata qëndronin me ne pas mësimit që ndiqnin gjithë veprimtarinë tonë. Në shkollë kishte rregull dhe pastërti absolute. Mësuesit na trajtonin si fëmijët e tyre, pasi e dinin që ne prindërit i kishim larg. Pas shkollës “Skënderbej” deri në vitin 1949 ndoqa studimet e larta për oficer ku dhe u diplomova. Punova pak vite në këtë zanat deri në nëntor 1953 e pastaj kërkova të lirohem pasi nuk e dashuroja më atë profesion.

  • Në moshën 13-vjeç shkova partizan me Brigadën IV Sulmuese. 
  • Në çlirimin e Tiranës isha pjesë e administrimit të Pallatit të Brigadave. 
  • Ju tregoj dy momente me Enverin kur priti Hrushovin dhe kur do shkonte në Përmet.

-Ku ishte vështirësia e të qenit officer? Pse s’e dashuronit, kur në atë kohë të gjithë të ronjtë donin të bëheshin oficerë?

 

Të qenit oficer kishte të bënte me shumë shërbime, me shumë stërvitje. Duhej të rrije shumë kohë në repart me ushtarët dhe kishte shumë probleme. Unë isha i dashuruar me artin. Disiplina, kërkesa e lartë në stërvitje, debatet me ushtarët ishin jashtë natyrës sime. Kështu kërkova largimin dhe kërkova të punoja në Kinostudio “Shqipëria e Re”. Në fillim të punës më caktuan përgjegjës të kinemave dhe shumë shpejt ndihmës operator. Tani mes artistëve ndihesha më ndryshe, ndihesha më i çliruar dhe më me hapësirë.

Të jem i sinqertë, unë aty gjeta dy operatorët, që hodhën themelet e Kinostudios, ata ishin Hamdi Ferhati, operatori i parë shqiptar si dhe Mandi Koçi. Të dy ishin njerëz të shkëlqyer, të cilët i kujtoj me mirënjohje dhe respekt. Ishin njerëz të rrallë dhe me shumë talent. Nuk përtonin të më mësonin çdo gjë që u kërkoja. Nuk u mërzitën kurrë me mua. Pa ata, të them të drejtën, nuk e di se ku do arrija. Ishin specialistë të zotë dhe njerëz me zemër të madhe. Njerëz të tillë janë të rrallë.

-Të vijmë në momentin më të bukur të jetës suaj, ditën kur përdore kamerën për xhirim, cili ishte ky moment?

Atë moment e mbaj mend si sot. Si mund ta harroj?! Do inaugurohej argjinatura e Gjadrit. Ishte viti 1956, Unë shikoja mësuesin tim dhe çfarë bëhej përreth. Në një moment Hamdi Ferhati më zgjati kamerën dhe më tha: Dhimitër, sot është dita jote! Duhet të fillosh të përdorësh kamerën. Fillo dhe filmo!- dhe më la kamerën në dorë. Nuk u besoja syve dhe veshëve. Ishte një besim i madh. Në fund kur bëmë kronikën i madhi Hamdi Ferhati më falënderoi. Sa u gëzova. Kisha hedhur hapin e parë. Fillimi ishte i mbarë!

-Pra, kronika e parë, po filmi i parë si operator?

Në filmin e parë punova si asistent operator të Hysen Hakanit “Fëmijët e saj”. Ishte një film që ka hyrë në histori pasi hapi siparin e filmave të tjerë. Ky film diskutohet shumë edhe sot. Por duke qenë se Kinostudioja në fillim kishte më shumë kërkesa për filma dokumentarë. Në vitin 1958 më kaluan tek këta filma, por duke mos lënë kurrë pas dore dhe kronikat e vazhdueshme. Kronikat ishin pjesë e aktivitetit të Kinostudios në atë periudhë.

-Kur flasim për kronika, për çfarë kronikash bëhet fjalë?

Bëhet fjalë për vizita të udhëheqësve të huaj, shoqërime që i bënim ne udhëheqësve tanë jashtë, kronika sportive, inaugurimesh, aksionesh etj..

Nga kronikat me udhëheqësit e huaj kë do të veçoje?

Do të veçoj ardhjen dhe pritjen e Hrushovit dhe të Çu En Lai në Rinas. Të dy janë pritur me shumë pompozitet. Por kam bërë dhe shumë udhëtime jashtë shtetit për të bërë dokumentarë nga Kina në Irlandën e Veriut me udhëheqës shqiptarë, por edhe me ekipet sportive.

 

Mbaj mend se kemi folur për një bisedë që dëgjuat mes Enverit dhe Hrushovit në Rinas. Sipas kronikave tuaja, shikojmë se Enveri dhe Mehmeti e përqafuan fort Hrushovin, madje e puthën në të dy faqet. Ke ndonjë detaj nga kjo pritje në Rinas?

Me Enveri kam dy detaje jetësore…Atë ditë në Rinas siç e patë dhe në kronikë e mbaj mend si sot. Sa doli tek dera e avionit dhe ngriti duart lart të përshëndeste popullin unë u afrova shumë me shkallën ku do zbriste Hrushovi. Në Rinas dëgjoje brohoritje të mëdha. Sa zbriti Hrushovi nga shkallët, unë thuajse isha ngjitur me të. Enveri iu hodh përqafe. Unë isha thuajse një metër larg. Hrushovi i thotë që gjatë diskutimit të mos e zinte me gojë emrin e Titos. Në fillim shtanga, pasi Enveri çdo diskutim e niste me Titon, por menjëherë e mblodha veten, se më thërriste puna. Dhe në fakt në diskutimin e tij Enveri nuk e zuri në gojë Titon. Mbase këtu fillon dhe ftohja Enver-Hrushov! Me Enverin kam dhe një rast tjetër, kur ai do shkonte në Përmet. Ishte ulur në Ujë të Ftoftë të Tepelenës për të ngrënë mëngjes së bashku me Nexhmijen. Kur më pa aty afër më foli të haja dhe unë aty. Nuk pranova duke i thënë, se jam në krye të detyrës. Në atë moment erdhi Shefqet Peçi dhe u harrova disi. Por Enveri, sa u përshëndet me Shefqetin i thirri Muhamet Prodanit dhe i tha të mbështillte diçka për të ngrënë dhe të ma sillte mua. Ashtu u bë. Unë ngela i befasuar.

Po me Mehmet Shehun a keni ndonjë situatë të tillë?

Unë kam shoqëruar Mehmet Shehun kur ai shkoi për vizitë në Kinë. Dihet tashmë që në vendin e takimit operatori hyn më parë se politikani për të parë vendin dhe për të bërë plane të ndryshme. Para takimit zyrtar, në takim paraprak dëgjoj Mehmetin që i thotë Çu En Lait me mburrje dhe me krenari, se ne ata që tradhtojnë marksizëm- leninizmin ia japin plumbin ballit, nuk ua kursejmë. Tradhtarët duan vetëm plumb. Por unë u befasova më shumë nga përgjigja e udhëheqësit kinez. Ai me një qetësi dhe me një buzëqeshje i thotë, se kemi mendime të ndryshme pasi koka e njeriut nuk është lakër. Pushkatimi nuk është rruga e duhur. Ne duhet t’i edukojmë njerëzit që na kundërshtojnë jo t’i vrasim. Ndaj çojini në fshat dhe jepini të lexojnë veprat e Enverit dhe të shokut Mao. Na duhet t’i bëjmë për vete të gjithë. Mehmeti uli kokën si i zënë në faj!

-Ju bëtë emër në Kinostudio, atëherë pse ikët në TVSH?

 

TVSH në atë kohë sapo kishte mbushur një dekadë që funksiononte. Shumë emra të Kinostudios i morën në TVSH. Ne kishim shumë eksperiencë. Ishte vitit 1971. Ishte moment që televizionin donin ta fuqizonin. Më thanë se do shkoja në TVSH. Doje s’doje do shkoje. Në radhë të parë shkuan Endri Keko e Kristaq Dhamo, të cilët ishin njerëz të ditur dhe me shumë eksperiencë. Ata dhanë eksperiencën e tyre deri në vitin 1974 dhe pastaj u kthyen sërish në Kinostudio…

Dketuuuuu

Po ju?

Mua më lanë në TVSH. Aty kishte nevojë. Por më tej se këto vite nuk shkova. Partia kudo kërkonte viktima, kërkonte armiq. Kërkonte të gjente gabime sado të vogla në punë apo në luftën e klasave. Kur filluan arrestimet në masë në vitin 1974 për një grindje me të drejtë mua më hoqën nga puna. Ndërsa nuk e lanë me kaq, pasi në prill 1975 më hoqën dhe nga partia, ndërsa më 12 tetor 1976 më arrestuan. Kujt i besohej kjo? Po arrestohej një partizan që i kishte dhënë çdo gjë atdheut. Bëra 7 muaj hetuesi dhe më dënuan 6 vjet për agjitacion e propagandë, vite, të cilat i bëra të plota. Pra 7 vjet burg pa asnjë arsye. Sot kujtdo t’ia tregosh nuk do ta besojë. I duket absurde! Isha në kulmin e sukseseve dhe të arritjeve në profesionin tim. Kisha shumë ëndrra, kisha shumë plane. Por ja….

-Flitet shumë për burgjet e asaj kohe si ai i Spaçit apo Burrelit, ju si e kujtoni?

Burgjet kanë qenë ashtu si kanë folur dhe flasin shumë të burgosur. Nuk mund të imagjinohen ato burgje. Ishin skëterrë. Situata ka qenë aq e vështirë sa nuk mund ta besoni. Një situatë që kalon në pabesueshmëri. Konkretisht Spaçi ka qenë kampi më i tmerrshëm pasi të burgosurit punonin në minierë 8 orë me një gotë qumësht pluhur. Ushqimi ishte si mos më keq. Brenda në dimër ftohtë në verë vapë. Kushte mizerje. Unë s’kisha ndihmë nga familja, pasi 6 vjet nuk më erdhi njeri për të më parë e më duhej të punoja e të merrja ndonjë lekë për të blerë ndonjë gjë në dyqan. Në botë shumë shkojnë në burgje vetë kur nuk kanë çfarë të hanë. Pra burgjet sot në botë janë luks, aty jetohet më mirë se në shumë familje në Afrikë. Burgjet e Shqipërisë në kohën e komunizmit ishin tmerr.

Dhimitër Lala: Ju tregoj Spaçin dhe njohjen me Lubonjën, Velon dhe Ngjelën. Ja ç’mendonin të burgosurit

Intervista/ Rrëfen një ndër operatorët e parë shqiptarë z. Dhimitër Lala:

Fatos Lubonja u thoshte policëve:- Mos më kërkoni të shkoj në minierë të punoj, unë jam u dënuar politik.

Albert Z. ZHOLI

-Në këto burgje ka pasur shumë personalitete, intelektualë. Me cilët keni pasur aftin të bisedoni apo të komunikoni. Si i mbani mend ata në kujtimet tuaja?

Në burgun ku isha unë ka pasur shumë, shumë intelektualë me emër, të cilët janë burgosur kot së koti. Janë burgosur për një fjalë goje, po ka pasur nga ata që e kanë kundërshtuar regjimin dhe ishin të ndërgjegjshëm se do burgoseshin. Unë mund të përmend shumë por do të veçoj së pari Spartak Ngjelën. Ashtu ishte dhe në burg krenar, dhe studiues. Ishte njeri i ditur dhe lexonte shumë. Po ashtu do të veçoj fatos Lubonjën. Një intelektual i spikatur, Një njeri që nuk nënshtrohej dhe i thoshte troç ato që ndjente. Fatosi debatonte me policët dhe sigurmisat. Mbaj mend në një debat u thoshte: -Mos më kërkoni të shkoj në minierë të punoj. Unë jam i dënuar politik. I dënuari politik nuk ka pse të punojë. Ua mbyllte gojën policëve dhe gardianëve. Ata nga inati e fusnin në birucë, por ai prapë nuk përulej. Më bënte shumë përshtypje. Njeri interesant ka qenë dhe Maks Velo. I ditur, i lexuar. Kishte një krenari të natyrshme. Habitesha me këta njerëz të ditur se si i kishin rrasur brenda.

-Po kur u liruat nga burgu ku punuat? Në çfarë viti dolët?

Dola nga burgu në vitin 1984. Ishin vite që ekonomia shqiptare kishte marrë të tatëpjetën. Ku të punoja? Hamall! Ai ishte zanati i atyre që dilnin nga burgu. Pra, punova në uzinën “Dajti” punëtor ngarkim shkarkimi, afërsisht dy vjet. Sa isha rraskapitur në burg tani prapë hamall. Pastaj më 1986 punova në uzinën në “Misto Mame” po punëtor ngarkim-shkarkimi deri në vitin 1987 që dola në pension. Pra, vetëm hamall. Kur dola në pension akoma më keq. Ku të shkoja si ta kaloja ditën? Nuk ishin hapur ende dyert e demokracisë. Po diçka shikohej në horizont. Regjimi s’i kishte ditët e gjata. Dhe 1990 erdhi dhe për ne doli drita e shumë pritur.

Burgu i Spaçit

Burgu i Spaçit ishte një burg politik i sigurisë së lartë, që ishte aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Burgu gjendet (gjendej) në fshatin Spaç. Në vitin 1973 në Burgun e Spaçit pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur jo-komunist. Një rebelim i ngjashëm u krye edhe në Burgun e Qafë Barit në vitin 1984 ku shpërthyen të njëjtat dufe e u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak. Në burgun e Spaçit kanë vuajtur dënimet politike disa intelektualë të famshëm, ndër të cilët edhe Fatos Lubonja. Kohët e fundit ka pasur plane që Burgu i Spaçit të kthehej në një muzeum, por deri më sot, asnjë hap i mëtejshëm nuk është bërë në këtë drejtim.Burgu i Spaçit është një monument i trashëgimisë kulturore në Spac, rrethi i Mirditës, në qarkun e Lezhës, Shqipëri [4]. Ky monument është i llojit “Arkitekture”, i miratuar me numër “656/DT 05.12.2007“. Ky burg është hapur në vitin 1968 dhe ka funksionuar deri në vitin 1988, e sipas të dhënave ka pasur mbi 1000 të burgosur. I ndërtuar për shfrytëzimin e Minierës së Spaçit ku nxirrej bakër dhe pirit. Janë rreth 7 godina që janë pjesë e burgut, por më tej ka edhe godina të tjera që kanë shërbyer si kampe për të burgosurit, por edhe ambientet që shërbenin si mjedis pune për njerëz të zonës. Ka qenë një kompleks minierash ku punonin jo vetëm të dënuarit. Aktualisht është në një gjendje tërësisht të shkatërruar. Ka një arkitekturë tipike të periudhës komuniste me forma të rregullta.

 

Kanë thënë për Dhimitër Lalën:

Endri Keko

Kam bashkëpunuar me të shumë herë dhe e çmoj për forcën dhe energjinë si askënd tjetër nga operatorët e kinokronikës, ndaj nuk hezitova ditët e para të shkurtit 1966 t’i propozoja të shkonim në një udhëtim të gjatë.

Dritëro Agolli

“Vera sa më e vjetër të jetë, aq më e mirë është”. Kjo thënie e lashtë, do të përshtatej edhe për kronikat e dokumentarët kinematografikë dhe televizive të operatorit të talentuar Dhimitër Lala, njërit nga themeluesit e kinematografisë shqiptare.

Ylli Pepo

Dhimitër Lalën e kam njohur nga afër në vitin 1971, kur së bashku me tre kolegë të shquar erdhën në TVSH, i cili sapo hidhte hapat e parë drejt profesionalizmit. Ai ishte një profesionist. Më shumë se çdo fjalë flasin filmat që ruhen në arkiva e që përbëjnë një thesar të madh për breza të tërë.

Elvira Diamanti

Falë punës e kontributit të tij të çmuar, në Arkiv kemi pamje të rralla, të cilat kanë vlera të mëdha artistike, historike e dokumentare.

Bujar Kapexhiu

Kronikat e filmat dokumentarë janë skeduar në Arkivin Shtetëror si dëshmitarë të një pune të madhe e të palodhur të këtij kineasti të talentuar. Ai Dhimitër Lala meriton të kujtohet, të vlerësohet dhe të falënderohet për kontributin e tij të shquar në kinematografi.

Pirro Milkani

Më shumë se kushdo tjetër për Lalën, flasin ato mijëra metra filma kronikalë e dokumentarë që realizoi dora e tij.

Mevlan Shanaj

Njohja e gjatë me të më ka ngulitur në mendje se ky njeri është shembulli i pasionit për punën dhe, nëse do të doja të portretizoja një kineast punëtor, nuk do të kërkoja model tjetër.