Demir Korita: Xhemal Dingu, ushtarak, komandues e shtabist i talentuar

113
Sigal

Demir Korita
Oficer në pension, shok i Xhemalit

Xhemal Tefik Rogu (Dingu) i takon atij brezi ushtarakësh të pas çlirimit të vëndit që vunë gjithë aftësitë e tyre intelektuale dhe ushtarake në funksion të fuqizimit dhe mbrojtjes së atdheut.

Ai radhitet ndër ushtarakët më të mirë të artilerisë bregdetare dhe bijve më të shquar të Skraparit detyrë të cilën i kreu me sukses deri në daljen në pension.

U lind, më 15 dhjetor të vitit 1935, në fshatin Rog të Skraparit. I biri i patriotit Tofik Rogu, mik i Ismail Qemalit në periudhën 1905-1913, ku Tefiku në detyrën e komisarit në lagjen e Ysqydarit në Stamboll iu siguronte mbrojtje patriotëve shqiptar në prag të lëvizjes për liri e pavarësi kombëtare.

Qysh në rininë e tij, Xhemali u rrit dhe u edukua në një truall patriotik, siç ishte Skrapari e Rogu i tij i dashur. U mbrujt nga kujtimet e këngët që u këndohej trimave të Skraparit, si ato të Lace Backës, Riza Cerovës, Ali Myftarit (Farmaqi), etj. I rritur e i edukuar në prehrin e të atit, Tofikut, Xhemali u ushqye me ndjenja të thella patriotike të të parëve të tij, si Hysen e Xhemal Rogu, të cilët luftuan kundër pushtetit ushtarak dhe administratës turke në zonën e Çepanit, të Frashërit e Dangëllisë, dhe koshadhet turke me tradhëti i kapën (viti 1898) dhe iu prenë kokën.

Vargjet:

Kush kap Hysen e Xhemalë,

një peshqesh të mirë kanë.

Këtyre trimave, populli iu ngriti këngë:

Bini moj saze bini,

bini me të qarë.

Qani dy trima:

Hysen dhe Xhemalë.

Në këto kushte, i ati i tij, Tofiku, ishte i vogël, i cili u rrit në Stamboll, nën kujdesin e dajove të tij. Atje, u arsimua dhe në vitin 1905 përfundoi shkollën ushtarake, ku u gradua oficer. Punoi në detyren e komisarit në rajonin e Ysqydarit, në Stamboll. Bie na kontakt me shumë patriot e rilindas shqiptar, e veçanërisht me Ismail Qemalin. Nën petkun e oficerit, Tefiku, iu siguronte, që këta atdhetarë të zhvillonin normalisht takimet e përcaktonin strategjinë për çështjen e mëvetësisë së atdheut. Në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 29 nëntor 1912, Tefiku ndodhej në Vlorë, në mbrojtje të udhëheqjes, dhe vetë të Ismail Qemalit, ku midis tyre ishin dhe ushtarak të tjerë skrapallinj, si Mustafa Spathara, Xhelal Koprencka (firmëtar), Maliq Vlusha, Skrapari, etj.

Për kontributin e dhënë, Ismail Qemali e emëroi në detyrën e komandantit të xhandarmërisë për Vlorën, dhe me pas, po në këtë detyrë shkon në Durrës. Prej atje, ai mbante korrespodencë me Ismail Qemalin, nga ku e njofton për prapaskenat, që organizonte Esat Pashë Toptani në kurriz të Qeverisë së Vlorës.

Me rënien e Qeverisë së Vlorës, më 22 janar 1914, Tofiku shkon përsëri në Turqi, ku atje vazhdon veprimtarinë patriotike. Diktohet dhe dënohet me 101 vjet burg në shkretëtirat e Tarobulluzit. Me ndërhyrjen e miqve të tij dhe patriotëve shqiptar, lirohet dhe kthehet në atdhe. Vihet në krye të burrave te Skraparit, në Komitetin e Shpëtimit, për mbrojtjen e trojeve të jugut, nga shovinistët grek.

Mbas Kongresit të Lushnjes, më 21 deri 31 janar 1920, e më pas, Tofiku punoi si jurist në Berat e Skrapar. Lufta antifashiste, e zuri të moshuar, por si ushtarak, ai dha ndihmesën e tij, duke vënë shtëpinë, si bazë të LANÇ-it dhe tre fëmijët, Hyseni, Bukurija dhe Liria, që u rreshtuan në njësitë partizane.

Pra, në këtë vatër patriotike, u rrit dhe u edukua Xhemal Dingu dhe për më tepër, ai u dashurua me rrobën ushtarake, të cilën ia edukoi i ati, Tofiku. Me dëshirën për të vazhduar rrugën e të atit, Xhemali vazhdoi shkollat ushtarake. Pas përfundimit te shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” (1955), vazhdon Shkollën e Bashkuar të Oficerave, specialiteti Artileri (1957), ku mori gradën e N/togerit. Emërohet në detyrën e komandantit të togës, në Regjimentin e 25 të këmbësorisë malore “Skrapari” në Kukës, me komandant Nebi Malaj.

Oficer i ri, me kërkesa të reja, mjaft energjik, kërkues e studiues, shfaqi talentin me aftësinë e tij si një ushtarak me të ardhme, në armën e artilerisë.

Në atë kohë, pranë njësive, ishin këshilltarët sovjetik, më të cilët Xhemali mësoi shumë nga përvoja e tyre, pasi ata vinin nga frontet e luftimit ne Stepat Ruse, gjatë ofensives se madhe.

Në saj të përvojës së disa vjeçare  si ushtarak, Xhemali përvetësoi dhe u aftësua shumë shpejt si artilier, ku në qitjet e bëra, arriti të plotësojë objektivin.

Në vitin 1956, Xhemali përfitoi të drejtë studimi në shkollën e Lartë të Artilerisë Bregdetare në Riga të Lituanisë (ish Republika Sovjetike). Si student, Xhemali shfaqi aftësitë e tij më të mira, në përvetesimin e Artit Ushtarak dhe teknikës luftarake, ku u vlerësua me nota të larta. Edhe atje, iu dha detyrë (provimi shtetëror) “Goditja e armikut në lartësi të kreshtave të malit”, një qitje kjo e vështirë. Në këte qitje, merrnin pjesë gjeneral e ushtarak të lartë dhe pedagog të degës së artilerisë. I bindur në përgatitjen dhe aftesitë e tij, Xhemali, bëri të mundur të godas “objektivin armik”. Ekipi i ndodhur aty, e përgëzoi oficerin e ri, duke i thënë në gjuhën ruse “oçien harasho, oçien harasho”, një oficer i talentuar. – U lehtësova, por edhe u emocionova -, tregonte Xhemali, dhjetor 2014.

Përfundon studimet ushtarake, në korrik 1959, ku mori gradën e togerit. Ishte vetem 23 vjec. Në shtator të atij viti, emrohet komandant i baterisë 110m/m në Durrës, në vëndin e quajtur “Kodra e Trimave”, mbi Currila. Edhe aty, Xhemali u shfaq si një ushtarak i talentuar, plot vrull e kërkesa, me aftësi të larta ushtarake, kërkues e organizator i zoti, duke patur një bateri shëmbullore.

Dy vjet më pas, e emrojnë instruktor të teorisë në Shkollën e Artilerisë Bregdetare në Durrës. Si gjithmon korrekt, i aftë si ushtarak, kërkues ndaj vetes e vartësve, mësimdhënës e pedagog i zoti. Por karakterin e tij burrëror, këtij djaloshi ia hijeshonin mustaqet, rroba ushtarake, çizmet e llustruara, që dallohej nga të tjerët. Një ushtarak i lindur.

Në vitin 1963, e emërojne komandant të Grupit të Artilerisë 122m/m në Durrës, një detyrë mjaft e rëndësishme, pasi kishte si detyrë, rajonin e mbrojtjes bregdetare. Edhe në këtë detyrë, Xhemali u shqua si ushtarak, drejtues e komandant i talentuar. Në qitjet e artilerisë u dallua midis reparteve më të mira të ushtrisë.

-Si ushtarak, me perspektivë dhe me aftësi teorike e praktike, drejtues e komandues i zoti, në vitin 1966 – 1968 përfundon Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, në Tiranë, specialiteti i Artilerisë. Dallohet si student i zellshëm, me vizion e kulturë të gjerë ushtarake, në përvetësimin e Artit Ushtarak të Luftës Popullore, të cilën e përfundoi me rezultate të larta. Në korrik të atij viti, Xhemali emërohet nga Këshilli i Mbrojtjes së RPSSH, në detyren e Komandantit të Regjimentit 15-të të Artilerisë Bregdetare, me vëndkomandë, Qafa e Koshovicës, në përbërje të Korpusit të parë të Fierit, me rajon mbrojtje: Grykëderdhja e lumit Shkumbin e deri në shpatin perëndimor të Gadishullit të Karaburunit. Ky Regjiment, dispononte një fuqi zjarri mjaft të fuqishëm të artilerisë, në thellësi të frontit detar dhe kundër objektivave toksore të armikut dhe garant i mbrojtjes të kufirit jugor të Shqipërisë. Ky Regjiment, në taktikën e strategjinë e tij, kryente stërvitje të përmasave të mëdha në kuadrin e Korpusit, në bashkëveprim nga repartet e këmbësorisë, njësitë tankste të Vlorës, Fierit e Lushnjes, nga Artileria Toksore, ajo kundërajrore, dhe nga deti mbështetej nga Flota Luftarake Detare e Sazanit dhe ajri nga Aviacioni Luftarak i Kuçovës.

-Me fortifikimin e vijës bregdetare, Regjimenti rriti potencialin e mbrojtjes e kundërgoditjes. Pra detyra e këtij komandanti, ishte një detyrë tepër e rëndësishme e strategjike. Ndaj dhe Komanda e Përgjithshme, i besoi këtë funksion sa të rëndësishëm, por edhe patriotik. Në këto rrethana, Xhemali, vuri gjithë aftësitë e tij, intelektuale dhe ushtarake, duke i dhënë një vizion të ri aftësisë vepruese e goditëse të njësisë së tij, duke e vënë këtë njësi luftarake, në një gatishmëri të lartë operative.

-Si kuadër kërkues, i aftë e vizionar, Regjimenti për tërë kohën, plotësoi shkëlqyeshëm detyrat taktiko-operative, rriti normat e gatishmërisë luftarake dhe qitjet luftarake, duke qënë ndër njësitë më të dalluara të ushtrisë. Xhemali, u shqua edhe kur Ministria e Mbrojtjes apo Korpusi kryen stërvitje të mëdha komando-shtabi me trupa, ato komplekse, i cili si ushtarak e shtabist dallohej për marjen në kohë të vendimeve luftarake, ku ishte vlerësuar shkëlqyeshëm nga ekipet e Ministrisë së Mbrojtjes.

-Si kuadër e artilier i zoti, Xhemali dëgjohej me nderim e respekt nga shokët e komandës e shtabit të Korpusit e të Ministrisë së Mbrojtjes. Ishte puna dhe autoriteti i tij, shëmbulli vetiak para oficerit dhe ushtarit, dashuria e respekti për ta, duke qëndruar pranë tyre në çdo kohë, mot të keq e të mirë, pranë halleve të ushtarëve e oficerëve. Në kohë të lirë, e gjeje të luante futboll me ushtarët, por edhe bënte xhiro me ta në qytet, në stadiume futbolli, kinema etj. Ishte anëtar i këshillit të Klubit Sportiv “Partizani”.  Ndaj komanda e Korpusit, e ngarkonte te drejtonte e organizonte spartakiadat në shkallë Ushtrie. Duhet thënë se Xhemali, me aftësitë e tij, arrinte të bënte për vete dhe ushtarët më “rrebel”, që në shumë raste, komanda e Korpusit i çonte për “edukim” në repartin e Xhemalit.

-Xhemali, në shpirt ishte “rrebel” dhe i “pabindur” përpara elementeve kritik, servile, hileqar e karrierist. Ishte kundër shabllonizmit dhe skematizmit. Në “teatrin e luftës”, Xhemali kërkonte vision të ri, njohjen e kundërshtarit dhe ndërtimin e taktikës dhe strategjisë për të kundërsulmuar “armikun” qysh në momentin e parë të mësymjes. Lufta është krijimtari, pra kërkon guxim, shpejtësi në përpunimin e situatës, kërkon organizim, drejtim dhe moral të lartë në marrjen e vendimit dhe arritjen e fitores, shprehej Xhemali para ushtarakëve gjatë stërvitjeve komando-shtabi e ato taktiko-komplekse.

-Gjatë karrierës së tij ushtarake, Xhemali punoi e bashkëpunoi me ushtarak e artilier të zotë si, Gjeneral Todi Naço, Xhaferr Matuka, Rustem Peçi, Hasan Seferi, Dervish Mejdani, Mehdi Islami, Petrit Veizi, Hysen Kambo, Reis Beqo, Islam Lame, Arif Kuka, etj. Idhujt e tij ishin strategët e mëdhenj ushtarak botëror si Klauzeviçi, Kutuzov, Zhuvkov si dhe ata shqiptar,  Mehmet Shehu, Petrit Dume, Todi Naço, etj.

-Për 20 vjet rresht, Regjimenti Bregdetar që drejtohej nga Xhemali, njohu rezultate të larta, por në kohë kishte dhe kuadro të larta në Ministri apo Korpuse, që e shikonin me xhelozi qëndrimin burrëror të Xhemalit, pasi ishin mësuar me lepe, peqe. Xhemali nuk ishte i tillë, nuk njihte servilizmin dhe poshtërimin, ndaj dhe nuk u trajtua me detyra më të larta, ku shume shpesh të paaftet, servilet e dallkaukët u ngjitën në rangjet e larta në Divizion, Korpuse e Ministri. Theksoi, se Xhemali ishte i bindur në ato që thoshte e merrte vendim. Ai kishte guxim të përballej edhe me  drejtuesit më të lartë të ushtrisë për teza dhe mendime të pa studjuara.

-Aty, nga gushti i vitit 1982, në një konsultë që bëri Kadri Hazbiu, ish Ministër i Mbrojtjes dhe në prani të ish Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrise Veli Llakës, hodhën mendimin për riorganizimin e artilerisë bregdetare në bazë grupesh, në vartësi të Brigadave të Këmbësorisë. Por kur të tjerët heshtën, Xhemali i kundërshtoi, ku theksoi se: – “Kjo ide, bie ndesh me kërkesat e Artit Ushtarak mbi Luftën Popullore, pasi e decentralizon Artilerinë Bregdetare dhe në këtë mënyrë, ajo nuk kryen detyrën. Ky kundërshtim, bëri që ata, të tërheqin propozimin e bërë. (Sipas raportit që Hekuran Isai, ish Ministër i Brëndshëm, ia dërgon Simon Stefanit, Sekretar i KQ të Partisë, që mbulonte mbrojtjen. Botuar në gazetën Ballkan, dhjetor 2014, nga studiuesi Veli Haklaj. Marrë nga Arkiva e Shtetit). Po të ishte për servilët, Njësia Bregdetare, do të ishte “shkërrmoqur” pranë Njësive të Këmbësorisë. Kjo ia rriti së tepërmi autoritetin dhe prestigjin Xhemalit në radhët e ushtarakëve.

-Në vitin 1990, pasi mbushi moshën 55 vjeç, doli në pension, por jo si të tjerët, që u mbyllën në “guackën” e tyre. Xhemali, ishte plot energji e dinamik. Gjithmonë mes shokëve e miqve të çdo lloji niveli, kur të tjerët vazhdonin të rrinin të mënjanuar, për të ruajtur “autoritetin” e humbur. Ndërsa në qytet, sa qe gjallë, Xhemali ishte i vetmi që, nga shumë syresh të thirrej “Komandant”. A thuajse nuk kishte emër ! Në ato vite, duke parë shthurjen e shtetit, anarkizmin në vënd, lëvizjen kaotike të njerëzve, u krijuan shume shoqata patriotike-atdhetare. Një e tillë, u krijua në Fier, me skrapallinjtë e vjetër e të rinj, të ardhur në qytetin e Fierit, të cilët e zgjodhën Xhemalin, si kryetar të shoqatës “Riza Cerova”. Duke patur një nostalgji për krahinën e tij, Xhemali organizonte takime, e zhvillonte kumtesa për data e ngjarje historike, për figura e personalitete të krahinës. Për t’i bërë më shumë jehonë këtyre veprimtarive, së bashku me shokët Zenel Hysi, Demir Korita, Nuredin Qato, botuan 7 numra gazete, me siglën “SKRAPARI”.

-Ai do të gjendej kudo, në gëzime e hidhërime të bashkkrahinorëve. Kënga për Xhemalin ishte bashkudhëtare e tij. Këndonte ëmbël e bukur. Ta kishte ënda ta dëgjoje kur këndonte me Zenel Hysin, Asllan Hyskon, Hazis Mestanin, Zenel Lamçen, Haxhi Kallucin, Hariz e Petrit Kushova, etj.

-Në ngjarjet e trazirat e mëdha të vitit 1977, kur shteti mori rrokullimën, forcat destruktive, kriminel dhe antishqiptar, sulmuan e shkatërruan njësitë e repartet ushtarake, jo vetëm u armatosën, por edhe ngarkuan makinat, duke ua shitur grupeve mafioze e terroriste. Ato, u bënë tepër të rrezikshme, edhe për jetën e qytetarëve.

-Por Xhemali, me ndjenjen e lartë të përgjëgjësisë, si qytetar, ushtarak e patriot, u angazhua  në përbërje  të shtabit të Mbrojtjes, të drejtuar nga Prefekti Haki Mustafa, kryetari i Bashkisë Agron Mile, etj, ku  planizuan dhe organizuan mbrojtjen e institucioneve të qytetit si, Bankën, Bashkinë, Prokurorinë dhe veçanërisht tunelet e Lëndëve Helmuese Luftarake, ato të Bazës së Raketave në Qafë- Lalar, i cili çoi traktor, duke bllokuar hyrjet e tyre. Në katër akset e hyrje-daljet e Fierit, vendosi mbrojtjen me transportues të blinduar, dhe në tarracat e pallateve vendosi mitrolozin kundërajror. Kur shumë ish kuadro civil e ushtarak strukeshin, Xhemali doli në ballë të luftës për sigurimin e jetës së qytetarëve fierak. Por duhej thënë, se ndonjë individ i krahut të forcave destruktive, që e njihte mirë Xhemalin, shkonte në ndihmë të tij, i cili pati raste, që të largonte turmat nga objektet.

Ishte Xhemali, që nuk pa rehatinë, apo të strukej pas gjithë atyre ngjarjeve, ku mund të rrezikohej edhe jeta, por u vu në vijën e parë të frontit, për sigurimin e rendit e qetësisë nga keqbërësit dhe bandat kriminale. Ndaj dhe Fierit nuk iu dëmtua asnjë objekt, insitucion apo bankë ,që ishin dhe objekte të bandave.Por është për të ardhur keq , që puna e kryer nga Xhemali, të harrohej shpejt nga drejtuesit e institucioneve të Fierit dhe të hakmerreshin ndaj familjes së tij ku gjetën një klauzolë në ligjet që nxori qeveria e kohës, për sipërfaqet e tepërta banimi. Kështu, që struktura hakmarrëse, muarën vendim, duke e larguar nga shtëpia ku banonte, për më se 15 vjet, me 3 plus 1, duke e lënë në rrugë të madhe. Kjo, bëri që Xhemali , të migrojë me qera, deri në shtëpi të pabanuara. Edhe pse ishte i pastrehë, askush nga pushtetet vendorë, të majtë e të djathtë, bënë një vesh shurdh e një sy qorr, duke mos e strehuar në banesat sociale. Vitet e fundit të jetës e mbylli në një apartament të dhënë me qera simbolike   nga një ish ushtar i tij, ku mbylli sytë përgjithmonë më, 29 janar të vitit 2015 në moshën 80 vjeçare. Megjithatë, Xhemali mbeti kryelartë, fisnik, i papërkulur,  dinjitoz, siç janë fisnik e kryelartë bijtë e Skraparit, patriot, atdhetarë, të mënçur, të pushkës e të penës.

I tillë mbeti e do të mbetet përjetë Xhemali ynë, në kujtesën e komunitetit të ish ushtarakëve, shokëve, miqve, të afërmve, bashkë qytetarëve e kushdo që e ka njohur.