104-vjetori i Luftës Kombëtare të Vlorës

189
Sigal

Enver Memishaj: Në nderim të vitit 1920. Ja dokumentet historike të zbardhura për herë të parë. Konspekti i Spiro Kolekës për Luftën, fjalimi i kryetarit të katundarisë së Vlorës Ali Asllani para popullit më 3 shtator 1920, telegramet e tij patriotike dhe letrat që i erdhën nga figura të kohës

Në 104 vjetorin e Luftës Kombëtare të Vlorës

TA KUJTOJMË DHE NJËHERË VITIN 1920

– Konspekti i Spiro Kolekës (1879 – 1940) për Luftën e Vlorës

-Cili ishte fjalimi i kryetarit të katundarisë së Vlorës Ali Asllani para popullit të Vlorës, më 3 shtator 1920

 Dokumente historike. Botohen për herë të parë

Ali Asllani

Ministri Spiro J. Koleka dhe Osman Haxhiu

Nga Enver MEMISHAJ

Lufta heroike e Vlorës 5 qershor 1920 – 3 shtator 1920, që më pas me të drejtë është quajtur Lufta Kombëtare e Vlorës, është nga betejat më të rëndësishme që ka bërë populli shqiptar, pasi ajo luftë siç shprehen në unisin të gjithë studjuesit dhe historianët, rishpalli Pavarësinë Kombëtare të mohuar e përmbysur nga Lufta e Parë  Kombëtare.

Shqiptarët të coptuar nga Fuqitë e Mëdha dhe nga fqinjët grabitqarë vendosën t’i dilnin vetë zot fateve të tyre. Për këta ata mblodhën Kongresin e Lushnjës më 21 janar 1920 dhe bënë Luftën Kombëtare të Vlorës, që vulosi vendimet e atij kongresi me gjakun e afro 300 dëshmorëve.

Ajo luftë u ideua, nga vendimet e Kongresit të Lushnjës, u organizua dhe u udhëhoq në fitore nga Komiteti Mbrojta Kombëtare prej 12 burra patriot të shquar, me në krye Osmën Haxhinë (1885 – 1937), që sot me të drejtë ka një bustë në mes të Vlorës. Komiteti emroi Komandant të Përgjithshëm të Trupave Kombëtare major Ahmet Lepenicën (1872 – 1941), që ende i mungon shtatoria e tij në krah të Osmën Haxhiut.

Me të drejtë, për këtë luftë është shkruar e propaganduar shumë, por mbetet akoma për të folur e për të shkruar.

Ja disa dokumente me interes dhe që publikohen për herë të parë, sipas gjuhës dhe ortografisë së kohës:

Konspekti i Spiro Kolekës (1879 – 1940) për Luftën e Vlorës.

Kemi gjetur një konspekt, kalendar që Spiro Koleka u bën ngjarjeve të Luftës së Vlorës më 1920 dhe që ia drejton një personaliteti që nuk kemi mundur ta identifikojmë. Në këtë kohë Spiro Koleka ishte emruar nga qeveria e Sulejman Delvinës, ministër pa protofol pranë Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Vlorës që organizonte luftën kundër pushtuesve italianë.

Sipas kuptimit të renditjes së ngjarjeve ai i përshkruan deri sa ra kalaja e Kaninës. Kjo renditje e ngjarjeve duke dhënë edhe ai mendimin e tij se çfarë ngjante në Vlorë ka rëndësi pasi i bën një ministër, autoritet i qeverisë së kohës së Sulejman Delvinës. Spiro Koleka ishte caktuar ministër pranë Komitetit Mbrojtja Kombëtare, që kryesohej nga Osmën Haxhiu.

 Konspekti i Spiro Kolekës

  1. Lufta më 5 qershor 1920. Shqiptarët zaptuan me yxhim këto vende të fortifikuara me trinçe të Vlorës: Kuotën 115, vendin e quajtur Gjorm, pozicionin e quajtur Drashovicë, vendin Mazhar, vendin Llogora të Dukatit, vendin Pashaj, Sinanaj.
  2. Zumë më tepër se njëmijë jesir, në mes të të cilëve dy kolonela, një të vramë dhe një të plagosur dhe ndonja njëqint oficera. Zaptuam 10 topa kalibër të ndryshëm, 80 mitroloza, 1000 kasa xhephane, dyfekë dhe njëmijë kasa xhephane topash dhe bomba.
  3. Në luftë që u bë më 10 të qershorit për të marrë vesh vendet e forta ku gjinden shqiptarët muarën dy topa kalibër 35 dhe 4 mitroloza.
  4. Nacionalistët kanë rrethue kalanë e Kaninës dhe të Tepelenës, kalaja e fundit thuhet se sot ra në duar të shqiptarve.
  5. Italianët përpara se të fillojë lufta dogjën shtëpitë e nacionalistave kryetarë, muarën pothuaj shumicën e burrave prej qytetit dhe i burgosën. Lanë vetëm të lirë 3 – 4 që ishin spiunët e tyre.
  6. Pas luftës së 10 qershorit popullin e Vlorës e ka mbyllë në shtëpi dhe nuk i le të dalin të marrin bukë.
  7. Bambardojë qytetin me gra dhe çilimij me flotë nga deti, Drashovicë dhe Kaninë dhe gjithë fshatrat që janë rreth qytetit.
  8. Bombardoj nga deti dhe këta katunde: Tragjas, Dukat, Radhimë, Drashovicë dhe Kaninë dhe gjithë fshatrat, që janë rreth qytetit.
  9. Ka vra dhe po vret gra dhe çilimij për t’u dhënë tmerr shqiptarve.

Bëjmë thirrje mbi ndjenjat tuaja fisnike dhe kalorsiake që të bëni të ditur në tërë botën e qytetëruar dhe në shtypin botëror ngjarjet gjaksore të Vlorës dhe heroizmin e këtij populli me qëllim që gjaku që derdhet në fushat e Vlorës s’kërkon tjetër veçse LIRI. Ky gjak të mos vejë kot.

Pritni Zotni nderimet e mia prej zemre  Spiro Koleka,

Me interes janë edhe telegramet që Spiro Koleka u dërgon shumë vlonjatve, të cilët i falnderon për urimet që ata i kanë dërguar me rastin e triumfit të armëve shqiptarë në Vlorë më 1920.

Falnderimet që Spiro Koleka u bën vlonjatëve tregojnë se sa shumë ky patriot e vlerësonte dhe nderonte opingën, popullin,  sikurse thoshte Osmën Haxhiu. Janë shumë telegrame, por po citojmë disa nga këto telegrame, që nisen nga Vlora:

Më 15.8. 1920. Delegatit të Himarës Naqe Leka me shokë, Sarandë. Falnderje të përzemërta, Koleka.

Më 31.12 1920 u drejtohen telegrame:

– Doktor S. Pano, Milo Varfi, Koço Milo, Gaqe Kaporja, Andrea Dhima, Nestor Polios, Kale Konduka, Naqe Konomi, Jani Mitro, Kale Koçi, Dhyse Vera, kapter Vangjel Jani, Palasë, Kristofer Kondi, Simo Koço, Kristo Grillo, Kostë Kapo, Vasil Ziso, Vasil Andoni, Nikollaq Jani Himarë.

Hysen Vrionit Tiranë. Veli Smokthina, Selami Tirana, toger Anest Qesari, Vangjel Popa, Leonidha Nisku, Lluka Gjini, Falnderje të përzemërta. Spiro Koleka.

-Taip Çomo LIbohovë. Kapiten [Dhimitër] Bala. Falnderje të përzemërta. Koleka.

–Leonidha Milo Himarë, etj

 Fjalimi i kryetarit të katundarisë së Vlorës Ali Asllani (1884 – 1966), para popullit të Vlorës, më 3 shtator 1920:

Fjalimi i Ali Asllanit është i daktilografuar në një faqe format. Në krye janë shkruar dy fjali me shkrim dore:

Fjalimi që mbajti kryetari katundarisë Ali Asllani kur hyri ushtria kombëtare në Vlorë, ndërsa është shkruar me dorën e Ali Asllanit: Fjalimi që mbajta kur hyri fuqia e ushtrisë kombëtare në Vlorë, 1920, Ali Asllani.

Ky fjalim nuk është botuar i plotë, por janë cituar fragmente prej tij, prandaj po e botojmë të plotë për herë të parë.

 Fjalimi:

Mirë se erdhët vëllezër të dashur e të nderuar. Me ardhjen tuaj sot Vlora jonë, Vlora historike  bashkohet me MBRETËRINË E ZHGABËS DY KRENORE.

Vlora historike, se në këtë qytet që qe një ditë dora e PLAKUT të paharruar, ngriti FLAMURIN kombëtar, po më pastaj, në mes të suferinavet e luftës së madhe plot flam e flak, e dashura Vlorë, mbeti si një flet e thatë në erë…. ku do vejë e ku do bjerë? Fati i saj nuk dihej.

Në mes të këtij tufani lipsej Nuhu, Djemtë e tija dhe Gjemija: Vlora këta i kërkonte në Lindje e në Perëndim, i kërkoi në qiell e në diell; po i gjeti këtu, i gjeti në gjirin e saj.

Dhe në vend të një plaku, këtë radhë, dualën një tufë djem, burra dhe dragoj. Juve vëllezër të dashur, Vlora dhe vlonjat.

Populli kësaj krahine , për të arritur këtu, kur hodhi çapin e parë, hodhi poshtë gjënë e jetën e tija, pranoj prishjen, vdekjen, shkretësinë dhe në një çap që u hoth mbase u shuan dy drita, shumë mëma u helmuan, shumë oxhakër u rrëzuan, po Vlora dhe vlonjatët mbeten përjetë faqebardhë dhe kryelartë.

Të fala atyre mëmave e atyre FAJKOJVE që ranë në fushë të nderit, se cilido nga ata në atë jetë ka zënë një fron Profiti, pranë PERËNDISË; dhe në këtë jetë, jetojnë në zemrat tona dhe në çdo rrahje të zemrave tona kujtimi i tyre flet e thërret.

Mirse na ardhët dhe juve, vëllezër shqiptar të krahinave tjera, përkrahja juaj, ndihmat tuaja, zëri zjarrtë vëllazëror juaji, ka një pjesë të veçantë në shpirtin e kësaj krahine; dhe duke u bashkuar me ju këtu, në këtë tokën arbënore, nënë SHQIPONJËN DYKRENORE, kemi pranë gjithë Shqipërinë dhe përmi koka kemi vet PERËNDINË.

Të lumtur nga e bashkuara me ju, në emër të këti qyteti. Falenderjet vëllazërore, dhe u ftoj të thërrasim gjithë së bashku.

Rroftë Flamuri Kombëtar!

Rroftë Kombi Shqiptar!

Me interes na duket edhe një letër që Seid Qemali (1887 – 1944), personazh i njohur në historinë e Vlorës ish prefekt etj., dhe më gjerë, por që nuk iu bashkua Luftës së Vlorës dhe prandaj u dënua nga Komiteti Mbrojtja Kombëtare.

Letra:

Napoli 23 gusht 1920

Zotit Ali Asllanit!, Vëlla i dashur Ali!

Pardje mora letrën tënde e të falemnderit. Do ishja nisur atë ças për në Atdheun e dashur e do kishja mundur të gëzoja dhe unë së bashku me shokët e me vëllezërit, lirimin e lulëzimin e nënës që na ka ushqyer e na ka rritur me gjirin e saj.

Por, për fat të keq, më ngjau një ndalim i papritur, dhe ja se qysh.

Më 17 gusht vdiq Nazifi, e me qënë se heqimët thanë që sëmundja është dermotifo, zyra e shëndetësisë vendosi të na ndajë nga bota, mua me fëmijë dhe dy fëmijët e të dy zotërive të shtëpive që rrinte i ndjeri, dhe atë ditë na mori e na pruri në Kurantinë, ku kemi shtat ditë e pas të thënit do bëjmë akoma dhe 13 ditë, d.m.thë gjer më 7 shtator. Dasht Zoti i Math të dalën më shpejt . Lavdi i qoftë Perëndisë , nga shëndeti jemi mirë.

Këndoni dhe letrën që i shkrova z. Doktor Aliut.

Të fala e të puthura. U pjekshim shëndoshë. Fëmija të falen me shëndet.

Yti Serid Kemal

Po kështu me interes është edhe letra që Osmën Haxhiu i drejton kryetarit të  Katundaris Ali Asllanit.

Letra:

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”

Letër nga Osman Nuri (Osman Haxhiu ) kryetarit të Katundaris Ali Asllanit. Kryetarit Katundaris Vlorës.

U lutemi të kujdeseni për të përgatitur shtëpinë e Nishat Beut, e cila është blerë nga ana e Prefekturës, për të ndenjur ky Komitet, për të pritur urimet, kështu të përgatitni këtë shtëpi e jo tjatër. Mbetemi të siguruar që do të mbaroni këtë shërbim.

Drashovicë 1/9/1920 Anëtar i Komitetit Kombëtarë

Një telegram që shpreh qartazi patriotizmin e Ali Asllanit.

Në rolin e kryetarit të katundarisë së Vlorës, ky burrë patriot shprehet në vlerësimin e veprës patriotike të Avni Rustemit dhe marrjen e tij në mbrojtje përpar aautoritetev gjyqsore franceze, pasi Avni Rustemi kishte vepruar i udhëhequr nga ndjenja patriotike kundër Esat Pashë Toptani, që kishte shitur interesat e Shqipërisë.

Telegrami:

Katundarivet: Gjirokastër, Sarandë, Delvinë, Përmet, Leskovik, Kolonjë, Korçë, Starovë, Tepelenë, Skrapar, Fier, Lushnjë, Berat, Elbasan, Peqin, Tiranë, Kavajë, Shjak, Durrës, Lezhë, Shkodër, Krujë.

Sot në Vlorë u mbajt një meting i math, ku u vendos të hiqen dhe u hoqën telegrame nga gra e burra zhyris franceze dhe shtypit frenk, inglis, amerikan, italian, elvazian.

Për shpëtimin e patriotit të madh AVNI RUSTEM LIBOHOVËS, i cili me vrasjen e Esad Pashës shpëtoi Shqipërinë nga një despotizëm e keqe.

Vlora lut që nga gjithë Shqipëria të bënet këjo përçapje pranë botës Evropiane.

20/9/920 Firma e Ali Asllanit.

Vlora-Vlora

Jam vlonjat e jam vlonjat,
e kam shkabën mëm’ e atë,
shkaba trime dykrenore
fron’ e saj e ka në Vlorë!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!

Vlora trime shqipëtare
si rob jetën s’e do fare,
a do mbetet Shqipëri,
a do bëhet tym e hi!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!

Jam vlonjat e jam burrë,
s’duron burri zgjedhë kurrë,
jam vlonjat e si vlonjat
di bëj luftë me të shtat’!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri, moj, t’u lumtë dora!

Jam vlonjat dhe trim me besë,
rreth flamurit di të vdesë,
a me hir a me pahirë
doemos do rroj i lirë!

Fjalimi i Ali Asllanit më 3 shtator 1920, dita e fitores së Luftës së Vlorës

Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Luftës së Vlorës

Osmën Haxhiu i shkruan Ali Asllanit

Letra e Seid Qemalit që i dërgon Ali Asllanit