Shoh në fotografi dy sy plot gjallëri, me një vështrim të ëmbël e plot optimizëm. Një ballë të gjerë e të bukur, flokë të zezë, fytyrë të rregullt e të njomë, një djalosh të ri plotë forca e besim në të ardhmen. Ishte portreti i djalit të hallës sime, Aliut, i cili ra në betejën e famshme në “Tendën e Qypit” në Skrapar, më 21 janar 1944 kundër hordhive nazisto-gjermane (Dëshmor i Atdheut). Ishte drita e syve të saj ,pasi bashkëshorti i kishte vdekur dhe ajo jetonte me nipërit e tij. Kur shkova atë pranverë të vitit 1965 tek hallo Refikua në fshatin Dobrushë, pasi na priti me krahë hapur e na përqafoi me mall, na pyeti për njerëzit tanë dhe shpejt e shpejt na shtroi drekën duke na thënë se ishim lodhur nga rruga e gjatë dhe e përpjeta e Selanit. Pasi u shplodhëm, hallua më tregoi foton e djalit të saj Aliut, rënë dëshmor, që e mbante në mur si gjënë më të shtrenjtë. Pastaj më tregoi një sepetw ku ruante librat e tij të shkollës, së internatit të Vërzhezhës. Më pastaj na tha:“Hajdeni të shkojmë të takojmë Alinë!
U habita pasi e dija që ai ishte vrarë në luftë dhe mendova: Pse këtu??…Ja, këtu e kam pranë dritares na tha hallua.” Shkuam!. Ajo përpara dhe ne pas . Ja këtu është, na u drejtua ajo duke bërë me dorë nga qivuri ku prehej djali i saj dëshmor. Unë e dija se dëshmorët preheshin në vorrezat e dëshmorëve në Çorrovodë dhe për momentin mbeta i shtangur. Mbahej e fortë dhe ato çaste iu drejtua:-“Ali: të ka ardhur dajua me djalin . Erdhën të të takojnë se kanë shumë mall”. Pashë që nga sytë i rrodhën lot: Babai u përul mbi qivur dhe e puthi. Domosdo, e kishte nip. Po ashtu veprova dhe unë. Sapo kisha mbushur të 17-tat. Hallua mw puthi fortë dhe mw tha: -Ja në vërsën tënde ishte Aliu kur doli partizan, dhe vazhdoi: -Kam plot nipër e mbesa, ju kam ju. Ja, çdo ditë, kur ngrihem në mëngjes, vi këtu tek djali e i thërras: “Ngrihu Ali, u bë vonë” , kthehu shpejt, mos u vono, se shtëpia është e hapur dhe na vijnë njerëz!!
Kështu, nënë Refikua, derisa jetoi qëndroi e “llafosej me të birin” Aliun. E donte ta kishte aty pranë e të bisedonte me të vetmin e nënës. Kur shokët e rrethit i thanë së Aliu e ka vëndin në vorrezat dëshmor, ajo nuk i la ta merrnin. Qënia e tij prane dritares, sadopak ia zbuste nënë Refikos dhimbjen e humbjes të djalit të vetëm, dritës së syve. Çdo ditë çohej e pastronte, e ledhatonte, i largonte dëborën, që kishte mbuluar gjatë dimrit dhe nga gjethet e pemëve të vjeshtës. Ndërsa kur çelnin bajamet në pranverë, qivuri mbulohej nga petalet e bajames, që dukej sikur e kishe mbuluar me një vello nusërije. Ato e zbukuronin së tepërmi atë.
Ali Zaimi lindi në vitin 1925 në Dobrushë të Skraparit, nga prindër Teme e Refiko Zaimi-Hatellari nga Korita.Vritet në Tëndën e Qypit, më 21 janar 1944, kur sapo kishte mbushur të 18 vjetët.
Një ditë të acartë të janarit të vitit 1944, djaloshi 18 vjeçar, me trup mesatar e të drejtë, me shpatulla të gjera e të fuqishme, së bashku me vëllanw e tij Jasharin, kushëririn Barjamin, po shkonin drejt fshatit Luadh të Tomorricës. Aty ku do te formohej Grupi i Tretë partizan i Skraparit . Në krahë mbante një torbë të mbushur me ushqime, një kulaç, djathë e gjalpë dhe në një tjetër nëna i kishte vendosur rroba dhe triko të leshta e çorape se bënte mjaft ftohtë dhe malet kishin hedhur “vellon e bardhë” të dëborës. Gjatë rrugës takoheshin me udhëtarë të veçuar, por kodet e krahinës e kanë për traditë të përshëndeten me udhëtarët. Në Qafën e Devrisë u përballen me dy udhëtarë. Kushedi se çfarë halli do të kishin që udhëtonin në atë qamet. Pasi u përshëndetën, i pyeten djemtë: – E nga u kemi o djem ?! – Nga Dobrusha, – iu përgjigjwn ata. – Po të kujt nga Dobrusha?! – I Teme Zaimit – u përgjigj Aliu -. Po, po – iu përgjigjwn udhëtaret, e njohim Temen. Po, për ku kështu, – përsëritwn ata pyetjen!. – Po shkojmë deri në Luadh, – tha drejtpërdrejtë Aliu, – tek shokët. – Aha, e morëm vesh, – shtuan ata. Shkoni djema, shkoni. Atje, sot mblidhet batalioni! Ata i uruan: “Armë të pathyera e me një Shqipëri të lirë”. Pastaj i këshilluan “Luftoni, por edhe ruajuni. U presin nënat në shtëpi !… Në Luadh ishin mbledhur rreth 250 djem, të gjithë të rinj e të armatosur. Dëbora kishte mbuluar malet, por në gjakun e luftëtarëve ziente gatishmëria për të luftuar armikun. Në fytyrat e tyre shihje entuziazëm, takime, përqafime, shtërngim duarsh e më pastaj shtërngim të armëve. Erdhët, i pyeti Nurja (Zaimi), zv/komisari me komisar Iljazin. – Erdhëm, – i thanë djemtë. – Si janë nga shtëpia – I pyeti Nurja. – Të bëjnë të falura. – Po Refikua, ç’të tha ? – shtoi më pas Nurja. Më porositi që të vija këtu pranë teje , se atje je më i sigurtë më tha, pasi në fshat mund të kapin ballistët e të vrasin dhe më porositi: “Ruaju të keqen nekja, je i vogël e s’ke përvojë në luftë. Nëna të ka të vetëm, dritën e syve. Të pres të më kthehesh, se kur të çlirohet vendi, do të të martoj e të ma mbushësh shtëpinë plot! Para largimit nëna e pushtoi fort e s’e lëshonte, duke thënë: “I vetmi i nënës”, drita e syve të nënës. Ja,qysh tani për nënën, nuk ka më gjumë!! U lotua. U ndanë, duke e lënë ashtu duke qarë dhe sytë nuk ia ndau deri sa kaloi fshatin drejt Krorzës.
Nga këto që i tregoi Aliu, Nurja u prek shumë. I hodhi dorën në qafë të vëllait dhe e pushtoi duke i thënë: – Këtu ke plot shokë, je mw i sigurtë. Mw ke mua pranë, ke Iljazin, Zylyftarin…!! ( Nurja e Jashari , Aliun e kishte vëlla me baba, por duheshin shumë)
Më 19 janar 1944 u krijua Grupi i tretë. Aliut i thanë :do të kryesh detyrën e korierit të shtabit! Si urdhëron iu përgjegj ai. Pas dy ditësh, grupi i tretë partizan i Skraparit mori urdhërin luftarak “Të kaloj në marshim dhe të kapi vijën:- Tënda e Qypit- mbi Spatharë-Paraspuar. Ka të dhëna se një forcë ushtarake naziste prej 900 ushtarësh, të armatosur deri në “dhëmbë” , do të kalojnë Tendën e Qypit, me synim; asgjësimin e dy njësive partizane, që ishin në prag krijimi (Brigata e 5-të dhe e 6.të) të jugut. Ndaj urdhëri ishte i prerë. “Të priten me luftë forcat naziste, të asgjësohen duke mos i lënë të kalojnë Tendën e Qypit!! Nga korierët ishte mësuar se forcat naziste në fshatrat Vlushë, Turbuhovë, Krushovë e gjetkë kishin ekzekutuar rreth 114 banorë të pafajshëm.
Përmes të ftohtit e dëborës që kishte mbuluar vargkodrat e Spathares, Vendreshës e deri në Therepel, partizanët mbërritën në vijën e mbrojtjes. Pas një pushimi të shkurtër, komandant Zylyftar Veleshnja organizoi hapjen e llogoreve dhe vendosjen e partizanëve nëpër pozicione. – Ja, këtu ti…., këtu ti…. e me radhë. Gjermanët priten të vijnë nga përposh Çorrovodës, Sharovës e do të ngjiten drejt nesh. Ndërsa ti Ali, do të jesh korrieri ynë, do të kryesh detyrën e ndërlidhësit të shtabit të Grupit me ata tw batalioneve e kompanive. Je i vogël e pa përvoje në luftime, i tha Zylyftari. Pastaj shkoi Nurja, i cili e udhëzoi që të jetë i kujdesshëm, të shfrytëzojë transhetë gjatë lëvizjeve. Si urdhëron -i tha Aliu dhe shkoi pranë shtabit, në pritje për të marrë urdhërat. Pushkën italiane e kishte të mbushur dhe me dy ballë fishekë rezervë dhe tre granata offensive.
Aty nga orët e para të mengjesit të 20 janarit, kur dielli sapo ishte ngjitur dy hosten në qiell, u pa që një kollonë e gjatë ushtarake nazistësh në kolonë marshimi, që po i ngjiteshin malit përpjetë.
Kujdes djema, – qe urdhëri i Zylyftarit, i cili kaloi nga traseja në trase. Kur ata të afrohen 50-70 metra dhe të jap urdhër, do të qëlloni mbi ta me të gjitha bateritë. Asnje plumb kot!!! Të gjithë do të qëllojnë në shënjë. Befasia është gjysma e fitores, – tha komandanti. Kur pararoja naziste ishte hapur në formacion luftimi dhe donte rreth 50 metra të gjendej para grykave të pushkëve të partizanëve të Grupit, u dha urdhëri: “Zjarr, zjarr me të gjitha bateritë mbi nazistët”. E gjithë vija mbrojtëse oshëtiu nga të shtënat mbi trupat gjermane. Ata u zunë në befasi. Disa ushtarë u vranë, të tjerët nën breshërinw e armëve kërkonin të zinin pozicione. Vëndi ishte krejt pyll me dushk, me lajthi e me koçimare. Çdo gjë e mbuloi tymi e flaka. Gjermanët mblodhwn veten dhe në formacion luftimi u sulën përpara. Duke vënë nw veprim artilerinë e rëndë, topat e mortajat. Vendi po tundej, guri po thërrmohej e po merrte flakë. Ishin çaste dramatike. Aliu me armë në dorë shkonte nga një batalion në tjetrin, çonte urdhërat e komandës së shtabit. Rezistenca e partizanëve qe e fortë. Gjermanët kërkonin ta merrnin me çdo çmim “Tendën e Qypit”, ndaj futën në luftim skalionet e dyta. Reparti i forcave ishte në favor të armikut 3:1. Por djemtë nuk lëviznin nga vija e parë. I thërrisnin njëri-tjetrit duke u dhënë kurajo: “Bjeruni qenve, mos lini asnjë të vijë para trashesë, tregoni trimëri siç treguan trimat tanë, Lace Backa, Riza Cerova. Ky vënd ka zot, nuk kaloni dot këtej, u thërrisnin “fricëve” prej pozicioneve, partizanët. Këtu i thonë Skrapar e këtu kanë thyer kokat gjithë armiqtë që kanë shkelur këtë tokë. Bjeruni, bjeruni qënve”, dëgjoheshin thirrjet. Lufta u bë e rreptë. Edhe Aliu nuk duroi të qëndronte në pikën e komandës. U hodh edhe ai në sulm,atje ku ishin shokët në vijën e parë . Në disa vija luftimi kishte filluar trup më trup. Nurja vëzhgonte nga afër Aliun dhe e pa atë të hidhej në luftë, ndaj i thirri: – O Ali, Ali vëlla, ruaju, ruaju, dhe u afrua. Donte t’a ruante Alinë, ishte djalë i vetëm. Nëna ia kishte lënë amanet “Ma ruaj djalin o Nure, e kam të vetëm…”
Por dëndësia e predhave të armikut sa vinte e shtohej. Ato binin papushim mbi pozicionet e partizanëve. Predhat filluan të binin sa mw pranë shtabit. Ciflat e predhave përhapeshin në të gjitha drejtimet duke plagosur mjaft luftëtarë. Ato çaste ishin vendimtare. Luftëtarët qëndronin duke bërë rezistencë. Por një predhë mortaje shpërthen aty pranë shtabit. U dëgjua një oh!…dhe një tjetër…, ishte komandanti. Predha i kishte dëmtuar rëndë këmbën, por se dha veten. Mendjen e kishte tek beteja, tek djemtë që luftonin fuqishëm. Ashtu siç ishte thirri: “Përpara djema mbi armikun! Këto çaste presim të vijë Brigada e Parë”. Ngre kokën të shohë frontin e luftimeve. “Luftojnë djemte”, – tha. Disa që panë situatën shkuan në ndihmë të komandant Zylyftarit!. Ai iu tha: – Ështe vrarë njeri?! Ata heshtën. Është plagosur edhe komisar Iliazi – tha dikush. – Gjallë është?- tha komandanti. – Po – I thanë ata. Predha i ka dëmtuar nofullat.
Ndërkohë erdhi lajmi. Shokë: Mbërriti Brigada e Parë Sulmuese me Mehmet Shehun në krye. – Mbërriten -, tha komandanti, me gjithë dhimbjen që po i mpinte trupin. – Po -, i thanë ata. Në të gjithë vijën e luftimit Spatharë, Vëndreshe -Therepel u dëgjuan thirrjet: – Vëllezër! Vëllezër! Mbërriti Mehmet Shehu me Brigadën e Parë. Nuk jemi vetëm. Mehmeti i sprovuar në luftime pasi u njoh me situatën, kreu rikonicionin dhe dha komandën. – Të futen në luftim forcat e freskëta. Të zëvëndësohen pjesërisht ata të Grupit të Tretë. Tërhiqni të vrarët e të plagosurit larg fushës së betejës, – tha Mehmeti.
Beteja vazhdoi e ashpër. U luftua tre ditë e tre netë. Nga shpërthimi i predhave toka u zhurit, pyjet u ndezën, qielli u skuq. Dëshmitarët tregonin se nata u bë dritë dhe jeshil nga baruti i predhave naziste. Gjithë rajoni ndriçonte e gjëmonte, por djemtë e Skraparit e Mallakastrës luftonin, luftonin trimërisht.
Aliu po vraponte pwr tek shtabi . Kalonte sa andej këtej për t’iu shmangur plumbave. Nga larg dëgjoi një zë që i thërriste: – Ali, Ali ruaju! A nuk e shesh që plumbat po vijnë rrebesh! Por s’pati kohë. Nje plumb i një snajperi nazist e goditi në gjoks,…por nuk e ndjeu, vetëm një cimbitje. Shkoi pak më tej , por plaga e marrë po i digjte fort. Vuri dorën mbi të…rrëke gjaku po mbulonin trupin e tij. Fuqitë e lanë. Pa rreth vetes. Shokët po luftonin. Dikush e pa. Kaloi përmes plumbave, iu afrua dhe i thirri: – Ali, Ali! Por sytë i shkuan tek rrëkeja e gjakut që i rridhte çurg. – Ali, Ali jam unë…! Por Aliu s’po reagonte. Humbi ndjenjat. Ja kapi fortë dorën shokut, u kthye me fytyrë nga fshati i lindjes dhe belbëzoi: “ oh o neke, neke” (nënë)!!… Shoku që iu gjet pranë i thirri disa herw:- Vëlla Ali, Ali. Mblidhe mendjen! Ç’thua kështu! Ti do shërohesh! Por Aliu humbi ndjenjat dhe ra mbi trupin e tij me shikim nga Tomorri dhe fronti i luftws. Kur Zylyftari mësoi mbi vrasjen e Aliut u dëshpërua pa masë . Oh, ç’më thatë u ngashërye Zylyftari . “Ali vëlla, doja të të ruaja, por lufta të mori”. Rrëke loti i rrodhën nga sytë. Dha urdhër: – Merreni djalin, çojeni në strehim. Po tjetër?! –Kanë rënë edhe disa të tjerë i thanë ata. Mësuat për të tjerët, pyeti prapë Zylyftari? Po, na njoftuan se ranë Meçan Musai dhe Tahir Murrizi nga Vëndresha dhe Maksut Dobrenji , Sabri Caka e Abaz Rogu. Bo , ç’më thatë, iu tha ai dhe u dëshpërua pa masë , rrëke lotësh i ranë nga sytë. Dita e katërt përcaktoi fitoren e partizanëve dhe humbjet e nazistëve. Ata u tërhoqën me shpejtësi. Bilanci: nazistët lanë rreth 120 të vrarë, ndërsa nga partizanët 17 dëshmorë . Djemtë triumfuan. Luftuan heroikisht. Lajmi u përhap si rrufe në të gjithë Shqipërinë. Kësaj beteje të pashembullt, populli i Skraparit iu thurri këngë e vargje trimave e të rënëve:
Në ato kodra mbi Spatharë,
luftojnë partizanë.
Grupi i Tretë, Brigadë e Parë,
Mehmeti me Zylyftarë.
Një predhë e mallkuar,
cc’e plagosi Zylyftarë,
lazen dhëmballë më dhëmballë.
Aliu i vogël mbeti i vrarë!!
(Për këtë betejë janë krijuar disa variante kënge, mallakastriote, myzeqare, etj).
Nënë Refikua dhe gjithë graria që kishin mbetur në fshat, kishin dalë e shikonin drejt Tendës së Qypit, që ndodhej përballë. Vështrimin e kishin hedhur atje ku gjëmonte topi e mortaja. Ajo qëndronte si statujë dhe mallkonte e mallkonte me shpirt gjermanët, duke thënë: “Ç’nëna të mallkuara ju kanë pjellë, vijnë deri këtu të na vrasin djemtë tanë. Mallkuar, mallkuar qofshin. I vraftë Çuka e Tomorrit”. Dhe çonte ofshama njëra pas tjetrës. “Korba, korba, djemtë e nënave! Oh Aliu i nënës, atje do të jetë, atje, me Nuren, me Jasharin, me Barjamin! Dhe ashtu e mbledhur shuk me një gunë hedhur mbi supe, qëndronte atje në krye të lëmit gjithë natën dhe luste që të shpëtonin djemtë e nënave. Luste që baba Tomorri t’i mbronte ata dhe Aliun e vetëm të saj. Sa mbaroi lufta, ajo pothuajse u ngurtësua si ajo plaka e legjendës që ngriu bashkë me dhënte majë malit.
Dimri qe i acartë dhe i egër. Dëbora kishte shtruar vellon e bardhë në gjithë krahinën. Por zemra e nënës diçka ndiente. Një ndjenje ndjellakeqe. Kishte ditë që nuk e lëshonte. “Po Aliu im si është?! S’po marr asnjë lajm…?! Po Nurja, ku është?! Ç ’të ketë ngjarë?! Dhe ashtu ajo dilte deri në fund të Selishtës. Vështrimin e hidhte andej nga fundi i fshatit. Priste lajme!!
Mesditën e 24 janarit 1944 pa një kolonë me njerëz të ngjitej përpjetë fshatit. Thirri kunatat e u tha: – Pa shihni, ç’janë ata! Kë po bien në krahë….! – Të presim të afrohen, – thanë ato! Por ajo nuk duroi dhe ia thirri kujes: – Aliu im do të jetë, Aliu! Ma ndjente zemra e nënës, Aliu!
Ato iu lutën të mos qante. Përse t’ia ndillte të keqen djalit duke i thënë se e keqja vjen shpejt. Të shpresojmë. – Jo, jo tha nënë Refikua, e ndjej unë!!!
Ashtu siç qe, bëri tatëpjetë me vrap. – Po vjen Refikua, – thanë ata !. – Dili përpara ti Nure. Por Nures s’i bënin këmbët. Trupi i ishte mpirë. Kishte tre ditë që qante mbi trupin e të vëllait. Po tani ç’ti thoshte Refikos. Ajo ia kishte lënë amanet. Por duhej të bëhej i fortë!
Gjeti forca dhe i doli përpara Refikos. – Neke , i tha ai. Aliu na la dhe i ra në krahë. – E mora vesh, – tha ajo. E mora. Zëmra e nënës parandjeu diçka të keqe o bir, o bir dhe u “shkul” së qari.
U çuan shokët dhe e përqafuan fort nënën. Ç’ti thoshin. Ajo e kishte të vetëm, dritën e syve. – Mbahu nënë, bëhu e fortë-i thanë ata. Aliu qe trim dhe ra atje ku bien trimat për lirinë e Shqipërisë! A tw kujtohet kur na the, se këtë ditë të qametit kur djemtw e nënave dalin në luftë e japin jetën për atdhenë, duhet tw bëhemi të forta!
Ajo qe mpirë e tëra. Burri i kishte vdekur dhe Aliun e kishte lënë të vogël. Jetën e saj e kishte lidhur me djalin. E shikonte si dritë të syve…veçse duke qarë thoshte: – I vogli i nekes! I vetmi i nwnws! I miri i nekes! Në lagjen “Zaimi” u hapën dyert për të pritur shokët e djalit , miqtë dhe të afërmit!
Ate natë, shokët qëndruan aty. U mblodh gjithë fshati. Nëna qëndronte pranë të birit dhe gjithë gratë që e shoqëronin. Lotët iu thanë e s’kishte fuqi ta qante. I fërkonte ballin, sytë, i lëmonte flokët. I dukej sikur po flinte. “Eshtë lodhur djali i nënës. Ta lë dhe pak të “flejë”. Ishte në luftë me shokë. Edhe pak, – tha ajo, – pastaj do ta zgjoj” -.
- “Çohu Ali, çohu. Kanë ardhur shokët, fshati, dajot nga Korita. Çohu bir, mjaft fjete -. Ai sikur i thoshte: – Ja dhe pak o neke !
Shokët e këshillit antifashist shkuan dhe i thanë: – Ku do ta vendosim djalin?! –
- Ja këtu, – tha ajo. Këtu pranë dritares. Tek dritarja ku ai u rrit. Tek dritarja ku ai zgjohej e hidhte vështrimin andej nga Tomorri. Ja këtu, që nëna ta ketë pranë, të bisedojë e të ç’mallet. Kur të ketë ftohtë, ta mbuloj, kur të dojw bukë, t’i jap!!. Këtu, këtu, – nguli këmbë ajo. Një breshwri armësh u dëgjuan ato çaste kur trupi i tij u vendos në tokën qw e lindi dhe e rriti!!!
- Kam dhe nje amanet, – tha nënë Refikua. Tek koka tw m’i mbillni një bajame, që petalet e saj ta përkëdhelin e ta mbulojne me vellon e bardhe të nuserise. Dua që nëna ta shoh dhëndër, me vellon që do ta mbulojë çdo pranverë qivurin me petalet e bajames.
Dhe populli u thuri lavdi e këngë të rënëve në luftë:
Andej lartë në fshatëra,
Qan’ nëna në penxhere:
Djalë o djalë e varfëra,
vajte në lufte e s’erdhe.
Në njw pritë me gjermanë,
cc’të vajti gjaku rrëke…
Atë ditw që të vranë,
Nënës ç’amanet i le!!.