Çlirimi i Shqipërisë erdhi nga Lufta e lavdishme partizane dhe gjaku i bijve të popullit

1406
Abaz Hoxha
Marshimi i Divizionit të Parë partizan drejt Veriut, mbledhja e shtabeve e niveleve në Kulmak në majën e Tomorit, kalimi i Shkumbinit, përplasja me forcat mercenare të Abaz Kupit, Mulletit, Staraveckës, Gostivarit, Bajraktarit e Gani Kryeziut dhe lufta për çlirimi e Librazhdit, Elbasanit, Tiranës dhe Veriut të Shqipërisë
Faza e dytë e Ofensivës gjermane të qershorit,10 qershor-29 qershor, dështoi plotësisht. Ushtria jonë Nacionalçlirimtare, jo vetëm mbrojti çdo pëllëmbë toke të zonave të çliruara më parë, por u hodh menjëherë në kundërofensivë duke i detyruar forcat gjermane dhe mercenare të mbylleshin përsëri nëpër qytete. Divizioni I si njësia e madhe luftarake e ushtrisë kaloi me sukses provën e parë dhe të vështirë të Luftës. Me një moral të lartë dhe me një përvojë të madhe luftarake, ishte i gatshëm të zbatonte një nga planet më të guximshme të vëna para tij nga Shtabi i Përgjithshëm, realizimi i të cilit u bë një nga faktorët vendimtarë për çlirimin e plotë të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut, për vendosjen e pushtetit të Këshillave Nacionalçlirimtare në të gjithë vendin. Tashmë divizionit tonë ku bënte pjesë edhe Brigada e Pestë iu caktua detyra e madhe të kalonte në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut. Brigadës sonë iu vu si detyrë e parë sulmi në drejtim të Sulovës për të lehtësuar presionin gjerman mbi Brigadën I dhe të përfitohej nga situata nga që armiqtë ishin duke vepruar në zonën e Kurveleshit, ku vepronte Brigada e 6-të, dhe që i kishte të shpërndara forcat e tij në qendra të ndryshme dhe me këtë situatë të kalohej lumi i Shkumbinit. Para se forcat tona të niseshin për zbatimin e këtij plani, aty nga data 8 qershor u mblodhën shtabet e niveleve të ndryshme në Kulmak, në majën e Tomorit ku u analizua gjendja e forcave armike në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut dhe në masat që duheshin marrë para se forcat tona të futeshin në veprim. Brigadës sonë iu caktua detyra që brenda datës 23 qershor të fillonte kalimin e lumit Shkumbin por nga sinjalizimet e ardhura nga zbulimi ynë për lëvizjet e trupave armike, kjo natë u spostua për më vonë. Mbas kalimit të Shkumbinit na u vu si detyrë çlirimi i krahinave në veri të rrugës Librazhd-Elbasan-Tiranë gjer në kufi të Zerqanit dhe të Matit, çlirimi i zonave në verilindje të Tiranës dhe Shënpalit ku ishte vendosur shtabi i Abaz Kupit dhe çlirimi i krahinës së Matit gjer në bregun e lumit Drin. Detyra e mëtejshme ishte çlirimi i gjithë krahinës së Peshkopisë dhe të Kukësit. Të 5 batalionet e brigadës duhej të lëviznin në drejtimin Sulovë-Devoll-Dumre, të kalonim Shkumbinin dhe të hidheshim në krahinën e Peqinit dhe të Cacabecit dhe pasi të kalonim Qafën e Kërrabës të vepronim në rrethet e Tiranës dhe Elbasanit. Kjo ishte një detyrë shumë e vështirë për t’u realizuar. Duke kaluar në krahun e majtë të formacionit të divizionit në periferinë e qyteteve kryesore të Shqipërisë së Mesme, asaj do ti binte detyra të priste e para goditjet e forcave armike që eventualisht do të drejtoheshin kundër divizionit dhe nga sukseset e saj në këto veprime do të bëhesh e mundur edhe lehtësimi i lëvizjes së shpejtë të forcave të tjera të divizionit. Aty nga data 24 qershor brigada filloi marshimin drejt veriut. Ky marshim duhej të bëhej me shpejtësi të madhe dhe duke evituar çdo përpjekje me armikun. Më 25 qershor e gjithë brigada u përqendrua në pyllin e katundit Xherije, buzë lumit Shkumbin. Aty u përpilua plani i kapërcimit të lumit në detaje dhe ky plan duhej të mbahej në fshehtësi të plotë për të mos u zbuluar nga armiqtë të cilët do të na sillnin vështirësi. Me gjithë marshimet e gjata, lodhjen dhe mungesën e ushqimeve dhe se shumë partizanë ishin të zbathur, asnjë dhe në çdo rrethanë nuk duhej të mbetesh prapa dhe të binte në duart e armikut. Me gjithë fshehtësinë që duhej të mbahej për këtë aksion prapëseprapë armiku parashikonte një variant të tillë dhe ishte i gatshëm që brenda një kohe shumë të shkurtër të vepronte me forca tokësore të cilat i kishte të përqendruara dhe në gatishmëri në rajonin e Peqinit dhe Elbasanit. Rruga automobilistike Rrogozhinë-Peqin-Elbasan që kalon buzë lumit të Shkumbinit, krijonte një vështirësi tjetër për forcat tona dhe një mjet të favorshëm për shpartallimin dhe lëvizjen e shpejtë të forcave të motorizuara armike gjatë bregut të lumit. Por lumi i Shkumbinit duhej të kalohej me çdo kusht, mbasi nuk kishte rrugë tjetër kalimi për në Shqipërinë e Mesme. Para se të fillonte kalimi i lumit u bë studim i hollësishëm, u provua thellësia dhe shpejtësia e ujit, u bënë prova duke hedhur në anën tjetër kuaj si dhe një skuadër me partizanë të cilët ishin lidhur me njëri tjetrin me litar. Për të ruajtur fshehtësinë e lëvizjes u morën masa për maskimin e forcave dhe u bllokuan lëvizjet e popullit të katundit Xherije. Pas kësaj pune të hollësishme përgatitore, natën e 26 qershorit në rajonin e quajtur Broshkë, afro tri kilometra në perëndim të katundit Papër, brigada filloi kalimin e lumit Shkumbin në një va, ku gjerësia i kalonte 80-100 metrat. Thellësia e ujit, që për arsye të shirave të rëna ato ditë arrinte 1.30-1.50 metra, dhe shpejtësia e rrjedhjes mbi 2 metra në sekondë vështirësonin shumë kalimin e kolonës. Ujët e turbullt, drurët e shkurret që sillte me vete, e bënin edhe më të rrezikshëm kalimin tonë veç e veç, prandaj u organizua kalimi i lumit me litar dhe me kapjen dorë pas dore. Fundi i shtratit të lumit, megjithëse ishte me zhavorr të imët, për shkak të shpejtësisë së madhe të rrjedhjes, ishte e paqëndrueshme, shkiste nën këmbë dhe tërhiqte partizanët pas rrjedhjes. Në këto kushte të vështira, pa mjete kalimi dhe pa njerëz të përgatitur,u bë kalimi i lumit Shkumbin nga ana jonë. Më kujtohet se gjatë kalimit të lumit njëri nga partizanët u tremb se po e rrëmbente vala e lumit dhe thirri ndihmë. Shefqet Peçi që komandonte aksionin e kalimit të lumit shkoi shpejt atje dhe i thirri dhe nxori pistoletën dhe e kërcënoi për ta vrarë mbasi një zhurmë do të zbulonte aksionin tonë nga gjermanët që patrullonin në anën tjetër. Në kushte normale kjo mund të konsiderohet një veprim i egër dhe jo njerëzor, por në situatë lufte sidomos në ato kushte ishte një veprim i domosdoshëm mbasi zbulimi ynë gjatë kalimit të lumit do të thoshte një asgjësim i plotë i forcave tona. Përveç këtyre vështirësive që paraqiste Shkumbini si pengesë ujore edhe rruga automobilistike, e cila patrullohej nga gjermanët dhe patrullave të tyre, me shenjën më të vogël, mund t’u vinin në ndihmë nga qytetet e Elbasanit dhe Peqinit forca të shumta, të cilat mund të krijonin situata të rënda për ne. Prandaj duhej konspiracion, shpejtësi dhe qetësi absolute, ndryshe rreziqet ishin të mëdha. Pasi hapi kalimin një kompani e batalionit të katërt, filluan me radhë batalioni i 2-të i parë dhe i 5-të dhe në fund duhej të kalonte batalioni i 3-të i cili kryente detyrën e praparojës dhe siguronte të gjithë brigadën nga goditjet e armikut gjatë kalimit të lumit. U futëm në ujë në grupe 3-5 veta të kapur dorë pas dore dhe me skuadra të kapura pas një litari që ishte lidhur në të dyja anët e lumit. Për një çast u bë një zhurmë që paraqiste rrezik mbasi mund të zbuloheshim nga armiku. Një skuadër të batalionit të 2-të e rrëmbeu lumi. Ata thirrën duke kërkuar ndihmë, por kush të ja u jepte këtë ndihmë kur asnjëri nuk dinte not. Fatmirësisht ata shpëtuan duke i nxjerrë rryma e ujit disa metra më poshtë.. Ndërsa një partizan italian që kish hipur në vithet e një kafshe të ngarkuar me ushqime, meqë kafsha ishte e dobët e nuk e mbante dot, ra në lumë dhe u mbyt. Po kështu lumi rrëmbeu edhe një mushkë të ngarkuar me materiale të ndryshme. Gjatë asaj nate kur ne po kalonim lumin, një autokolonë gjermane e shoqëruar me tanke, kaloi në rrugën automobilistike por nuk mundi të zbulojë asgjë. Natën e 27 Qershorit e gjithë brigada me përjashtim të batalionit të tretë që qëndroi matanë lumit, u grumbulluam në pyjet në afërsi të Qafës së Kërrabës. Ky batalion nuk mundi të kalonte lumin natën e datës 26 mbasi siç morëm vesh më vonë, korrierët e komandës së brigadës që duhej t’i shpinin batalionit urdhrin për të lënë pozicionet, humbën lidhjet me të ngaqë në rrugën automobilistike Peqin-Elbasan po kalonte një autokolonë gjermane. Të nesërmen sa u errësua kaluam Qafën pothuajse te këmbët e patrullave gjermane por ata nuk mundën të na zbulonin. Morëm në të djathtë në afërsi të minierës së Kërrabës dhe iu ngjitëm malit përsëri duke kapërcyer Qafën e Tujanit….. dhe aty nga mesdita e datës 28 ose 29 qershor mbërritëm në Shëngjergj….kaluam me masa sigurie të plotë Qafën e Kërrabës në rajonin e minierës së Priskës dhe të gjitha forcat aty nga data 2 korrik u përqendruam në rajonin Skuterë-Shëngjergj. Kur mbërritëm në Shëngjergj u gdhi një ditë e bukur me diell. Ishte rasti më i mirë për t’u larë se kishim shumë kohë që nga djersa dhe pa larja kishim zënë morra që na rrezikonin për një epidemi. Për këtë arsye morëm disa kazanë hua nga fshatarët dhe i vumë në zjarr për të larë rrobat dhe trupin në një burim uji të akullt që ishte aty pranë nesh Por pikërisht në këtë çast erdhi një urdhër që duhej të niseshim menjëherë në drejtimin për nga kaluam Shkumbinin se u tha që batalioni i tretë që nuk kish arritur të kalonte nga që nuk kishin mundur të lidheshin me të korrierët tanë ishte në rrezik për t’u asgjësuar nga gjermanët. Morëm teshat e lagura i futëm në çantat dhe ashtu të mbështjellë me batanije ose kapotat ata që kishin dhe u nisëm në drejtimin që morëm urdhrin. Aty unë mora një të ftohtë, pra mora një “vulë” të dytë në mushkri. “vulën” e parë e kisha marrë në malin e Beunit. Menjëherë pas kalimit të Shkumbinit dhe daljen në rajonin e Tiranës disa batalione të brigadës së pestë filluan veprimet luftarake për pastrimin e zonës nga trupat armike dhe bashkëpunëtorët e tyre. Kështu batalioni i 3-të i bëri pritë në Qafën e Kërrabës një autokolone armike që lëvizte nga Elbasani për Tiranë, kurse batalioni i 4-të shkatërroi postën e xhandarmërisë në katundin Shëngjergj. Kjo u dëshmua edhe me një alarm që u botua në shtyp, në gazetën “Bashkimi i Kombit” të cilën na i pruri një nga zbuluesit tanë. Në këtë artikull agjenti dhe bashkëpunëtori i përkushtuar i gjermanëve, komandanti i xhandarmërisë së Tiranës Xhelal Staravecka, më 28 qershor 1944 shkruante: “O burra të bashkohemi! Komunizmi mbuloi Jugun. Kapërceu Shkumbinin dhe po vjen të na hidhet në grykë! Jemi në rrezik!”. Komanda gjermane u vu në lëvizje të ethëshme. Grumbulloi forcat e Korpusit të 21-të me qëndër në Tiranë dhe forcat e tjera gjermane e tradhëtare që vepronin gjatë ofensivës së qershorit në Tiranë, Elbasan dhe qytete të tjera të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut dhe i vuri në gadishmëri për të vepruar, rigrupoi dhe organizoi të gjitha forcat e reaksionit të brendëshëm.Ndër forcat më të organizuara ku mund të mbështeteshin gjermanët ishin ato të Abaz Kupit. Gjermanët në bashkëpunim me forcat e Abaz Kupit dhe me xhandarët e prefektit të Tiranës Qazim Mulletit, i vunë vetes detyrën e shkatërrimit të forcave të brigadës së 5-të në krahinat e Shënpalit, Krujës dhe Matit, përpara se ato të drejtonin goditjet kundër tyre në afërsi të kryeqytetit. Organizatat “Ballit Kombëtar” dhe të Legalitetit në bashkëpunim me disa bajraktarë, nën drejtimin e gjermanëve krijuan “Besëlidhjen e Shkodrës” me në krye Patër Anton Arapin ndërsa fashisti Kol Bib Mirakaj organizoi me bajraqet e Pukës “Lidhjen e maleve”. Edhe Gjon Marka Gjoni, Muharrem Bajraktari e mercenarë të tjerë po bënin me shpejtësi një marrveshje për të bashkuar forcat e tyre kundër divizionit të 1-rë partizan. Ndonse të gjitha këto forca të bashkuara të reaksionit misionet anglo-amerikane kishin bërë përpjekje për t’i hedhur në luftë kundër gjermaneve, përpjekjet e tyre ishin pa sukses. Ata bënë të kundërtën duke u bashkuar me pushtuesin vetëm për të siguruar pushtetin e tyre në të ardhëshmen. Misionarët anglezë që ndodheshin pranë Abaz Kupit, Xhem Gostivarit, Muharrem Bajraktarit, Gani Kryeziut dhe bajraktarëve të tjerë të krahinës Nikaj-Mërtur, u përpoqën që të bashkonin këto forca nën drejtimin e Abaz Kupit. Ata donin të krijonin një forcë të armatosur prej rreth 4000 vetëve e cila në pragun e çlirimit të Shqipërisë, në bashkëpunim edhe me forcat anglo-amerikane, që parashikonin të zbarkonin në Shqipëri, të shkatërronin Frontin dhe Ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe të vendosni regjimin e tyre të Ahmet Zogut. Këto synime të tyre si dhe bashkëpunimin e forcave reaksionare me gjermanët e dëshmoi më vonë edhe misionari anglez pranë Abaz Kupit, Xhuljan Emëri, që më vonë do të bëhesh ministër i aviacionit. Në librin e tij “Bijtë e shqipes” ndër të tjera ai shkruan: “Në sajë, pa dyshim, të ndërhyrjes së Mustafa Krujës, njerzit e Abaz Kupit, mund të qarkullonin tani të sigurt dhe autoritetet kolaboracioniste mbyllnin sytë kur këta vizitonin Tiranën.Prandaj komiteti zogist, mori me qira një numur kamionësh në kryeqytet, me të cilët Abaz Kupi dërgoi forcat e veta në Qafë-Shtamë. Ai organizoi gjithashtu një furnizim të rregullt me bukë të bardhë nga furrat e Tiranës për ushqimin e forcave zogiste”. Shtabi anglo-amerikan i Mesdheut ndërhyri edhe drejtpërdrejt në Shtabin tonë të Përgjithëshëm. Duke e parë se Divizioni i 1-rë do tu prishte të gjitha planet, bëri të gjitha përpjekjet për të penguar kalimin e divizionit të 1-rë në këto zona. Biles ata bënë edhe presion të hapur dhe kërcënuan se nëqoftëse ushtria jonë do të prekte forcat e Abaz Kupit ata do të na ndërprisnin ndihmat matëriale që na hidhnin herë pas here me parashuta. Siç do të dëshmohesh më vonë në dokumentet e arkivit të shtetit oficeri britanik i ndërlidhjes do ti dërgonte Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare një notë ku thuhej se: gjenerali Vilson nuk lejonte që partizanët të hynin në punët e tij strategjike dhe se partizanët nuk do të mundnin t’u bënin ballë gjermanëve pa ndihmën e aleatëve. Po në këtë dokument të AQP jepet edhe përgjigja e Komandantit të Përgjithshëm ku thuhet se: Kjo ndihmë duhet të na jepet se është në interesin e vetë aleatëve…por në se do të lidhet ndihma me tradhëtarët ne do të vazhdonim luftën edhe të vetëm siç e kishim nisur….. Kjo lidhje e ngushtë dhe bashkëpunim i hapur me forcat pushtuese e Abaz Kupit dhe tradhëtarëve të tjerë kundër luftës sonë për çlirimin e Atdheut bëri të domosdoshme që të gjitha këto forca reaksionare që vepronin në një front të përbashkët me gjermanët për arritjen e synimeve të tyre të konsideroheshin si forca armike dhe të shkatërroheshin bazat e tyre. Një detyrë themelore ishte goditja kundër kryeqëndrës së tyre të forcave të Abaz Kupit shtabit dhe rezervave të tij matëriale, duke përfshirë edhe armët e shumta të hedhura nga avionët anglezë që ishin përqëndruar në fshatin e Shënpalit mbrapa malit të Dajtit. Kjo detyrë iu ngarkua brigadës së 5-të. Rrethimi po ngushtohej. Më 3 ose 4 korrik populli i kryeqytetit dëgjoi krismat e pushkëve partizane. Forcat e batalionit të 2-të që vepronte në zonën e Priskës sulmoi dhe ndoqi deri në shtëpitë e para të kryeqytetit xhandarët e postës së Gurrës. Komandanti i togës së mortajave të kalibrit 81mm, Gjysho Arapi, hodhi i pari disa predha mortajash në pozitat e armikut në Tiranë. Batalioni ynë u nis prej Qafë-Mollës më datën 5 në darkë/mbasi ishte errësuar, duke kaluar nëpërmjet katundit Shëngjin i vogël, Dajt dhe mori krahët e katundit Shënpal, ku ndodhesh baza e shtabit të A.Kupit. Gjatë rrethimit të Shënpalit, i cili do të plotësohej nga ana e djathtë nga batalioni i 3-të ne duhej të kujdeseshim se mos sulmoheshim nga krahët nga ana e Zall-Mnerit prej forcave të legalitetit dhe gjermanëve, prandaj u vendosën në atë anë forca mbrojtëse të sulmit tonë. Para nisjes na u dha porosi e prerë se duhej të mbahesh një qëndrim sa më korrekt me popullin e këtyre zonave dhe të përpiqeshim që forcat e legalitetit të bashkoheshin me ne se ishin të gabuara nga krerët e tyre që ishin në shërbim të pushtuesve dhe vepronin në dëm të atdheut. Zbatimi i këtij plani që parashikonte rrethimin dhe shpartallimin e plotë të forcave të Abaz Kupit kishte rëndësi ushtarake dhe politike, sepse likuidonte një nga kështjellat më të forta të reaksionit dhe bashkëpuntorëve me armikun dhe se pa shpartallimin e këtyre forcave brigada e 5-të nuk mund të lëvizte përpara me shpinë të sigurt për çlirimin e Matit dhe të Dibrës. Në ballë të forcave për rrethimin e Shënpalit do të vepronte batalioni ynë dhe ai i 3-të.Pas nesh ishte batalioni i 2-të.Morëm urdhër të prerë që lëvizja e jonë të ishte sa më e fshehtë dhe të mos bëhej asnjë zhurmë qoftë edhe e vogël para sulmit në mënyrë që kundërshtarët tanë të kapeshin në befasi. U caktua që sulmi mbi Shënpal të bëhej në orën 1 pas mesnatës të 6 korrikut. Nga të dhënat e zbulimit ishte vërtetuar se forcat kundërshtare kishin të grumbulluar atje një kontigjent prej 1000 vetash që komandoheshin direkt nga Abaz Kupi.. Batalioni ynë filloi sulmin në orën e caktuar nga jugu dhe veriperëndimi. Sulmi ishte aqë i shpejtë dhe i vendosur, sa armiku, i çorganizuar, nuk e mori veten dhe u shpërnda në panik, duke lënë në vend armët, municionet dhe veshmbathjen si dhe të gjithë matërialin e hedhur nga Misioni anglez. Më 7 korrik Shënpali u çlirua plotësisht dhe u zunë një numur i konsideruar armatimesh të prodhimit anglez, veshmbathje, municione etj./.unë mora nja palë këpucë, një pallto dhe një automatik anglez/. Por rrethimi i Shënpalit nuk arriti të bëhej i plotë mbasi batalioni i 3-të nuk arriti në kohën e duhur në vendin e caktuar. Kështu që forcat kryesore të mercenarëve, ndonse të shpartalluara u tërhoqën nga Shënpali pikërisht në drejtimin verior të cilin duhej ta kishte zënë batalioni i 3-të. /Siç përmënda na ishte dhënë urdhër i prerë që gjatë sulmit që do të bënim mbi Shënpalin kundër forcave të A.Kupit, të shkonim në qetësi të plotë dhe pa u ndier në mënyrë që t’i zinim në befasi. Por pikërisht kur u ndodhëm pranë forcave armike mua më zuri kolla dhe nuk munda dot ta ndërprisja kështu që ende pa filluar sulmin ata na zbuluan. Ndonse ne e fituam atë betejë por mua më nxorën të nesërmen para batalionit dhe më kritikuan ashpër ndonse isha paksa i privilegjuar për moshën që kisha./ Në lidhje me këtë sulm më vonë misionari anglez/Xhulian Emëri-në “Bijt e Shqipes”/ pranë Abaz Kupit do të shkruante: “Tani u muar vesh se lëvizja e mësymjes e njësive të lëvizjes nacionalçlirimtare kundër zogistëve ishte si dy vija paralele gjatë luginave të Shënpalit e Matit.. Informatori ynë na tha se ata kishin pushtuar të gjithë luginën e Shënpalit. Pas pak muarëm vesh se pjesa kryesore e trupave të tyre në Mat kishin kaluar përmes të Gurit të Bardhë dhe ndodheshin afërsisht pranë Qafës së Shtamës. Shpresat tona për tu tërhequr në këto kushte u prenë. Na njoftuan se partizanët kishin nisur patrulla për të na kërkuar. Kështu u sqaruam plotësisht për rrezikun që na kërcënonte. Një panik i kapi të zotët e shtëpisë ku banonim. Kryetari i familjes na u lut që të largoheshim..sepse nuk guxonte të na fshihte nga partizanët, kurse ne vetë u futëm në një pyll për t’u fshehur…” Por disa nga oficerët anglezë që ishin pranë Legalitetit u kapën nga brigada e jonë dhe, për arsye se ata nuk ishin të paisur me dokumenta nga Komiteti Antifashist Nacionalçlirimtar dhe vepronin ilegalisht në bashkëpunim me bashkëpuntorët e armikut, u dërguan të shoqëruar pranë Shtabit të Përgjithëshëm.
Sigal