Bashkim Koçi: Miço Pepa, arkitekti që projektoi vendvarrimin e Skënderbeut

12
Bashkim Koçi
Sigal

Personalisht nuk e kam njohur arkitektin Miço Pepa, “të murosurin” në vepra të mrekullueshme projektuesish e ndërtuesish, vepra që edhe pse vitet ikin e ikin, të ngjallin më shumë emocione. Madje, për hir të një të vërtete të hidhur, këtë personalitet të shquar të arkitekturës shqiptare, tashmë i ndarë nga jeta, e kane “harruar” edhe ata që e njihnin, apo që bashkë me të projektuan e zbatuan vepra të rëndësishme anë e mbanë vendit.

Por, duke harruar “pa dashje” njerëz me përmasa të mëdha e që janë pasuri kombëtare, ne nuk bëjmë gjë tjetër veç heqim një gur të rëndë, nga ata që në të gjitha kohrat i bëjnë nder Shqipërisë.

Miço Pepa u lind në vitin 1932 në Maqellarë të Dibrës. Mbasi mbaroi shkollën e mesme u dërgua

për studime të larta në Hungari, në fakultetin e Arkitekturës ku edhe u dallua si student intuziast, intuziazëm që do të ishte si një shkrepse për të ndezur rezultatet në mësime. E rëndësishme është që mendja, talenti dhe dashuria për të realizuar punëra të mrekullueshme mbetën pronë e tij gjatë gjithë jetës. Janë me mijëra ata shqiptarë që kanë mbetur të emocionuar kur kanë vizituar vendvarrimin e Skënderbeut në Lezhë, por janë pak ose shumë pak ata që dinë se ky vendvarrim është projektuar nga arkitekti Miço Pepa. Në Arkivin Qendror teknik të Ndërtimit gjen një listë të gjatë, e cila përmban të gjithë objektet e projektuar e zbatuar nga ing. Miço Pepa. Arkitekt Miçoja e ka filluar karrierën e tij me projektimin e një çerdheje në vitin 1956 dhe e “mbylli” me spitalin infektiv të Sarandës në vitin 1989, atëherë kur i mbetej fare pak nga dita që dilte në pension.

Veprat e projektuara nga arkitekt Miçoja befasojnë edhe vet specialistë më me zë të këtij sektori.

-Unë nuk pata me të ndonjë shoqëri të madhe -thoshte me ndjenjë respekti arkitekt Petraq Kolevica – por një miqësi të qartë profesionale me mendime përgjithësisht të njëllojta mbi problemet e projektimit arkitektonik që përmblidheshin tek këmbëngulja për vënien në jetë, të paktën të disa parimeve bazë të arkitekturës bashkëkohore, që shiheshin shtrembër e pengoheshin nga disa drejtues të paditur e të ligj.

Disa nga godinat e banimit në rrugën e Durrësit, Tiranën e Re, Rrugën e Elbasanit, tek “Mine Peza” etj, të cilat edhe sot e kësaj dite të mrekullojnë, janë punë të vijëzuara nga dora e mjeshtrit Miço Pepa. Ai është, ndërkohë bashkautor në projektimin e Hotelit 15-katësh në qendër të kryeqytetit, të hotel-turizmit në Fier e Berat, të Bibliotekës në qytetin e Shkodrës, Shtëpine e pushimit të Punëtorëve në Durrës, Muzeun e Armëve në Gjirokastër etj.

I mençuri kurrë nuk humbet gjë nëse ruan vetvehten. I tillë ishte dhe mbeti gjatë gjithë jetës arkitekti Miço Pepa. Ai e konsideroi artin e projektuesit jo si diçka të derdhur në modele, por që formohet e përsoset shkallë-shkallë, duke e zotëruar e përkryer vazhdimisht.

Njeriu i gëzohet fjalës së mirë. Madje, kur plaket dhe nuk është më në jetë aktive, iu rikthehet të shkruarave, atyre që dikujt do t’i dukeshin relike të një kohe të perënduar. Të tilla “relike” ka mjaft në “dosjen” përmbledhëse të jetës të arkitektit Miço Pepa. Ai mban dekorata e nderime të firmosura nga shtetarët e kohës si Haxhi Lleshi, Josif Pashko, Gogo Nushi, Thoma Deliana etj. Bashkëshortja e arkitekt Miços, Lola, i ruan ato me një përkujdesje sikur të ishin shpirti i tij, diçka që u ngjajnë qenieve të gjalla, që flasin për mbi dyzetë vjet punë të përkushtuar e plot pasion si projektues.

Arkitektura është një lloj force e ligjërimit me anën e formave, ka thënë mendimtari Frederik Niçe. Në këtë kuptim edhe arkitekti Miço Pepa “ligjëron” në mënyrën e vet anë e kënd Shqipërisë, “ligjërim” që fton brezat e arkitektëve e projektuesve për punë të vyera e të çmuara.

Miçoja u mor gjatë gjithë jetës me diçka. Gjithmonë i zënë me punë e krijimtari në profesionin e tij. Kjo, mbase nuk i la kohë të jetë i palumtur. Sidoqoftë, unë kam përpara një “dokument”, që në fund është i firmosur nga dora e tij. Eshtë një lutje që u dërgohet organeve kompetente të kohës për një pension të veçantë, duke rrjeshtuar në atë copë letër dhjetrat e objekteve të projektuara e zbatuara nga dora e tij. Sigurisht, kjo lutje mbeti në sirtarët e administratës, jo të një arkitekti si ai, por të nje “arkitekti” për të vjedhur shoqërinë dhe shtetin inekzistentë. Ndoshta nga ky fakt mund të ketë ikur i palumtur nga kjo botë arkitekti Miço Pepa, ai që projektoi vendvarrimin e të madhit të kombit, Skënderbeut.