Arben KONDI/ Heroi i Çamërisë Marko Boçari simboli i qëndresës dhe lirisë!

1348
Sigal

Mirënjohje për patriotin në kuadër të 23-vjetorit të krijimit të shoqërisë atdhetare patriotike “Çamëria”

Po bëhen afro dyqind vjet nga rënia e tij dhe Marko Boçari mbetet ende një hero i adhuruar i njerëzimit. Dhe kur them i njerëzimit, këtu nuk e kam fjalën vetëm për shqiptarët apo grekët, por shumë më gjerë se kaq. Tashmë dihet botërisht se nga gjaku i të parëve ai lindi, kurse të dytëve u’ a dhuroi atë të pastër në emër të lirisë. Pra si simbol lirie, ai mbetet hero i mbarë njerëzimit.

Marko Boçarin të gjithë duan ta bëjnë të vetin. Madje, të kapur pas besimit të tij ortodoks nxitojnë ta bëjnë të tyrin sllavët, vllehët, etj.! Figura e tij mbetet adhuruese edhe jashtë Ballkanit. Në Francë, në Paris, një shesh mban emrin e tij. Në Itali një rrugë. Në Gjermani i janë thurur qindra vargje. Piktorë e skulptorë të shquar e kanë peneluar dhe daltuar aq hijshëm figurën e tij, për të mos harruar pastaj Bajronin, Viktor Hygoin. Pena e tyre e artë i ka skalitur hyjnisht portretin. Ndërsa në Australinë e largët, një stërnip i tij, pedagog në Universitetin e Brisbenit, i cili trashëgon dhe emrin e mbiemrin, në një polemikë me shovenët grekë atje, deklaron hapur në media e në shtyp, se stërgjyshi i tij e për rrjedhojë edhe ai janë prej gjaku të pastër shqiptar.

Ndërkohë Marko Boçari, krahas Pirro Burrit, Olimbisë (nënës së Aleksandrit të Madh), Shën Donatit, Gjin Bue Shpatës, Dionisit të Paramithisë, Abedin Pashë Dinos, Elena Gjikës, Hasan Tahsinit, Muharrem Rrushitit, Bilal Xhaferit e të tjerë ka qenë, mbetet e do të jetë ndër bijtë më të shquar të Çamërisë. Kjo jo pse Suli, vendlindja e tij është thjesht malësia e krahinës martire, por sepse përmbi të gjitha popullsia çame edhe sot e kësaj dite e ruan të gjallë në shpirt kujtimin e birit të saj. Ja si përshkruhet në thesarin gojor popullor çam Marko Boçari. Kush e trondit Turqinë/ Markoja me Vezir Alinë.  Më tej: Marko çami kapedani/ Keshje zemër shqipëtari…

Kurse gjatë historiografisë komuniste, figura e Marko Boçarit thuajse u anashkalua fare. Me të rrallë ndonjë studiues i historisë si Koli Xoxe, apo ndonjë krijues i talentuar si shkrimtari Faik Ballanca hodhën sytë me realizëm e me emocion ndaj heroit shqiptar. Natyrisht këtu nuk mund të lihej pa u zënë në gojë edhe fjalori i parë shqip-greqisht i hartuar nga Marko Boçari. Atë, ai e hartoi dhe e shkroi në Korfuz, sipas kërkesës së konsullit francez pranë Ali Pashë Pukëvillit. Ky fjalor merr një rëndësi të madhe jo vetëm pse ai është i pari për të dyja gjuhët fqinje, por sepse ishte fryt i botës intelektuale të Marko Boçarit që krahas gishtit diti të përdor për mrekulli edhe penën. Në kuadër të politikës  “Dy popuj miq”, elementët filo helenë ngritën veshët. Ata jo pa qëllim dritësuan kontributin e Markos në revolucionin grek, duke lënë thuajse në harresë kontributin e tij të çmuar gjatë luftës për liri të shqiptarëve. Madje edhe sot e kësaj dite nuk përmendet siç duhet e me forcë ajo që është më e më kryesorja në veprën e heroit suljot. Përpara se ai të bëhej udhëheqës i revolucionit grek, Marko Boçari ishte kryekomandanti i Ali Pashës. Ai udhëhoqi me sukses të plotë luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve turq në Çamëri në vjeshtën e vitit 1821. Akoma më thelbësor, më i rëndësishëm është fakti se Marko Boçari ishte i pari kapedan shqiptar që i kapërceu ndasitë fetare dhe arriti të bashkojë në një luftë të përbashkët çamët myslimanë dhe çamët ortodoksë si vëllezër të një gjaku.

Është tjetër problem pastaj se si vajti fati i shqiptarëve pas rrokullimës së kokës së Ali Pashait në ishullin e liqenit të Janinës. Pas gjëmës shqiptare, Marko Boçari nuk mund të rrinte dot duarkryq. Zjarri i lirisë që digjej brenda shpirtit të tij fisnik nuk do shuhej kurrë. Marko Boçari nuk mund ta priste në mes luftën kundër pushtuesit. Jo turku, por edhe kinezi, indiani apo italiani sikur të ishte në vend të tij, Marko Boçari do vazhdonte të luftonte për liri. Do luftonte deri sa t’i kishte frymë kraharori. Dhe kështu ndodhi vërtet. Në emër të lirisë, Marko Boçari dhe shumë shqiptarë të tjerë i’ u bashkuan revolucionit grek. Shpejt, si më trimat, si më liridashësit që qenë, kapedanët shqiptarë me Marko Boçarin në krye u vunë në ballë të këtij revolucioni. Për Markon kjo zgjati deri me 9 gusht të 1823, kur një plumb i zi e mori si trimat në ballë.

Por vrasja e dytë, ajo më e rënda e Marko Boçarit ndodhi pas revolucionit. Megalaideja, kjo bishë e egër, e skicuar prej shekujsh nga  Patriakana e Stambollit, e zyrtarizuar plotësisht në politikën e shtetit të ri grek, ja nguli nxitimthi kthetrat pas shpine Çamërisë. Ajo e përgjaku keq vendlindjen e Marko Boçarit. Por duke përgjakur Çamërinë dhe njerëzit e saj, në thelb shteti shoven grek përgjaku vetë Marko Boçarin, shtatin e tij vigan që tashmë shtrihej mes të dy popujve si një urë, si një mundësi e vërtetë miqësie. Por, për fat të keq grekët nuk njohin miqësi. Ata shkuan deri atje sa t’i mohonin kombësinë shqiptare Marko Boçarit. Grekët mbeten grekë. Jo më kot thuhet se prej tyre duhet të ruhesh edhe kur të ofrojnë dhurata. E për dreq edhe sot, në shekullin 21, kur Europa po hedh hapat e fundit drejt bashkimit të saj, megalaideja, kjo bishë e egër ende mbetet në rend të ditës për grekët. Shfaqja e saj më tipike mbetet pretendimi absurd për të ashtuquajturin “Vorio-Epir” apo thënë ndryshe Shqipëria e Jugut. Ndërkohë, Marko Boçari vazhdon të mbetet i gjallë. Ai shfaqet kudo mes portretit të tij të njohur. Sa fisnik e po aq edhe njerëzor. I hijshëm si ai, ballëlart e krenar, brazduar si me parmendë, me dete, liqene dhe qiej lirie brenda syve të kaltër. Hundë skalitur e vetull harkuar, mustaqe dendur, ngritur pakëz në vijëzën ndarëse mes buzëve të plota. Mjekër rrumbullakët, ku një gropëz e vogël i stolis bukur qendrën. Leshrat e derdhur i zbresin hyjnisht pas shpatullave burrërore. Marko Boçari mbetet simbol i lirisë dhe në emër të lirisë, ai i fton grekët të çlirohen nga marrëzia e madhështisë. Në mënyrë të veçantë me shqiptarët, me fqinjët e tyre të vyer, ndaj të cilëve janë aq shumë borxhli.