Spiro Koleka: Shkëmbimet e poezive të mia “Arrëza” dhe “Grerëza” e Enverit për studimin e Spiro Kondës

599

Kujtimet e Spiro Kolekës, për afro dyzet vjet me udhëheqësin e sistemit komunist, Enver Hoxha

Sigal

 

  • Është për të ardhur keq, që një gjuhëtar si Eqerem Çabej të ketë ndikuar kaq shumë negativisht në hedhjen poshtë të krenarisë tonë kombëtare
  • Enver Hoxha: Si e kam njohur Spiro Kondën në Korçë
  • Njohës të thellë të greqishtes së vjetër ishim tre vetë, Spiro Konda, Thoma Papapanua, Sotir Papakristua
  • Shoku Enver e moshatarët e tij, si unë e të tjerë, të lindur para shpalljes së Pavarësisë, ishim mbrujtur me mësimet e idetë e Rilindasve
  • Spiro Konda i drejtohet profesorit të dëgjuar grek, Haxhidhaqit: Si është e mundur që për deshifrimin e mbishkrimeve të pellazgëve nuk keni përdorur gjuhën shqipe?
  • Qarqet reaksionare greke, çështjen e gjuhës shqipe dhe atë të prejardhjes së shqiptarëve nga pellazgët i urrenin e i luftonin në atë kohë
  • Spiro Konda: Unë kam mbaruar vërtet në Athinë, por kam qenë e mbetem shqiptar dhe jini drejtuar gabim tek unë

 

“Ishte një plak thatim, që kishte një gjallëri, që të bënte përshtypje, për moshën që kishte. Perdja në sytë, tashmë e pandreqshme, i’a kishte errësuar disi të parit. Ecte me shkop dhe çuditërisht, jo fort i kërrusur nga vitet. Të bënte për vete me fjalët e tregimet e tij për jetën e tij të vegjëlisë e për atë të kohërave kur studionte e mbaroi në Athinë, për ato të luftës për liri e pavarësi”

Fjalët e shokut Enver, për dijetarin Spiro Konda

Shoku Enver Hoxha më tha këto fjalë, për dijetarin plak Spiro Konda, rreth viteve 1953 -1954: “Konda plak ka kërkuar ndihmë, do të shkruajë për çështjen pellazgjike. T’i japim çdo ndihmë, se ai është një njohës i gjuhës greke, njohës i madh dhe njeri i ditur e i mirë. Ai ka punuar tërë jetën për këtë çështje. Edhe tani, që është rreth të nëntëdhjetave, rron me këto idera dhe ka dëshirë të madhe të shkruajë sa më parë një vepër shkencore. Ka shkuar tek shoku Myftar Grabocka e i ka shprehur dëshirën që të më njoftojë mua, se Prof. Spiro Konda është entuziazmuar e rinuar nga fitoret që ka arritur populli ynë nën udhëheqjen e Partisë në këta dhjetë vjet. Lutet që të ndihmohet, që të kryejë edhe ai detyrën e tij kundrejt atdheut e kundrejt shkencës. Duke me dërguar urime shpreh besimin se unë do t’i jap mundësitë, që të shkruajë e të nxjerrë veprën brënda nje kohë te shkurtër. Unë, Spiro Kondën e kam njohur kur kam qënë në Korçë, si nxënës e si mësues. Kam pasur mendim të mirë për të, si njeri i ndershëm, me karakter të fortë dhe me dituri të madhe. Si helenist (njohës i thellë i greqishtes së vjetër) kemi tani tre vetë, më i moshuari është Konda e pas tij vijnë Thoma Papapanua, figurë e shquar e arsimit e atdhetar i vjetër dhe Sotir Papakristua, gjithashtu veprimtar i njohur i arsimit e përkthyes krijues i shkrimtarëve të vjetër grekë. Ushqej nderim të veçantë për këta dijetarët tanë të nderuar, të ditur dhe punëtorë të palodhur. Konda është më plaku, po edhe Papapanua është afro shtatëdhjetë e pesë e Papakristua atro të shtatëdhjetave. Konda duhet ndihmuar. Unë i dhashë porosi të veçantë Myftarit, që t’i plotësojë të gjitha kërkesat e Kondës. I gjeti një sekretar me shkollë të lartë, i dha makinë shkrimi etj. etj. Konda fluturon nga gëzimi dhe nuk di si të falenderojë Partinë dhe mua. I është vënë menjëherë punës me një vullnet të habitshëm dhe me një punë të ngjeshur e sistematike, sikur të ishte gjashtëdhjetë e jo nëntëdhjetë vjeç. Kur të shkoj në Korçë do ta takoj dhe ti, që e ke merak çështjen pellazgjike dhe ke mësuar në shkollë edhe greqishten e vjetër, kujdesu, kur ta sjellë rasti, ta takosh, se i vjen mirë. T’i krijojmë, jo vetëm kushtet më të mira materiale, por edhe shpirtërore, që të mundet të japë sa më shumë në këtë fushë, të mos i marrë me vete ato që do të shkruajë”.

Për punën e Kondës ishte në dijeni edhe Byroja Politike

Rreth kësaj çështjeje, të kërkesës së Kondës drejtuar shokut Enver Hoxha dhe porosive të veçanta që ishin dhënë e përkujdesjes së vazhdueshme të tij për punën e Kondës ishte në dijeni edhe Byroja Politike. Nuk e di mirë, por më duket se ishte vënë në dijeni edhe Instituti i Gjuhësise dhe i Historisë, që atë kohë, në se nuk gaboj ishin bashkë, për të dhënë ndonjë ndihmë. Sidoqoftë Instituti ishte në dijeni që Konda kishte kërkuar ndihmë të veçantë dhe shoku Enver Hoxha e kishte marrë nën kujdestari po të veçantë. Shoku Myftar Grabocka ishte shumë entuziast për punën e Kondës. Ai e ndiqte me një përkujdesje të vazhdueshme, duke i vajtur rëndom në shtëpi plakut Konda e duke e kënaqur me fjalët e tij të ngrohta e me shakatë e tëqeshurat me gjthë shpirt, që ishin në natyrën e Myftarit. Herë pas here shoku Enver më thoshte: “Myftari me njofton se plaku Konda punon derrçe; ka filluar të shkruajë dhe puna po ecën”. Më bëhej qejfi shumë dhe ndaj ai më vinte në dijeni.
“Në tërësi e hidhnin poshtë si jo shkencore të gjithë punën e bërë deri atëhere nga Konda! Ndonjë kishte edhe theksime pak a shumë të tilla : “Është një tragjedi që një njeri me një këmbë në varr të merret me një problem kaq të madh!!” Gjuhëtarë e historianë ishin të gjithë në një mendim”

Të mbrujtur me mësimet dhe idetë e Rilindasve

E vërteta është që shoku Enver e moshatarët e tij, si unë e të tjerë, të lindur para shpalljes së Pavarësisë, ishim mbrujtur me mësimet e idetë e rilindasve tanë dhe prejardhja e popullit tonë nga pellazgët na ishte rrënjosur thellë në shpirt. Kjo ishte edhe një krenari kombëtare, si gjatë Rilindjes, edhe në kohën e djalërise tonë dhe këtë nuk e kemi fahehur ose zbehur as më vonë. Edhe cilësimi nga Partia i popullit tonë, si “më i vjetri në Ballkan”, nuk thotë atë që rilindasit e thoshnin shprehimisht “pasardhës të pellazgëve”, por pak a shumë e lë të nënkuptohet. Mbaj mënd mirë takimet e mia me Kondën. Nuk e kisha njohur më parë. Ishte një plak thatim, që kishte një gjallëri, që të bënte përshtypje, për moshën që kishte. Perdja në sytë, tashmë e pandreqshme, i’a kishte errësuar disi të parit. Ecte me shkop dhe çuditërisht, jo fort i kërrusur nga vitet. Të bënte për vete me fjalët e tregimet e tij për jetën e tij të vegjëlisë e për atë të kohërave kur studionte e mbaroi në Athinë, për ato të luftës për liri e pavarësi dhe të mëvonshmen, nën regjimin obskurantist e shtypës të Ahmet Zogut etj. Menjëherë sapo mori vesh se unë isha nga Bregdeti më tha : “Kam qenë 8-10 vjeç, kur më merrte im atë që shkonte në ato anë si qymyrxhi e kujtoj gërxhet e Pilurit, të Himarës etj.” Konda i lindur në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, kishte jetuar e mësuar, shkurt ishte mbrujtur me diturinë e rilindësve tanë dhe krenaria për prejardhjen tonë pellazgjike i ishte rrënjosur thellë në zëmër e në tru, që në moshën e tij më të njomë, çka e kishte shtytur, që të studionte me dashuri të veçantë shkrimtarët e vjetër grekë etj., që kishin folur për pellazgët. – Rreth viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar – më tregonte në njërin nga takimet tona – iu drejtova një herë profesorit tim të dëgjuar Haxhidhaqit me këto fjalë : “Zoti profesor, si është e mundur që për deshifrimin e mbishkrimeve të pellazgëve ju keni përdorur sa e sa gjuhë e për gjuhën shqipe nuk menduat asnjëherë? Pse nuk keni bërë asnjë përpjekje për deshifrimin e mbishkrimeve që keni në bodrumet e Akropoli-it’? Pyetjes së parë Haxhidhaqi – vazhdoi Konda – i bëri bisht, për të dytën m’u gjegj kështu : Ah, more Spiro (Konda kishte qenë student i tij dhe në atë kohë kishte pak vjet që kishte mbaruar) për mbishkrimet e Akropolis-it, u krijua nga lart disa vjet më parë një komision i posaçëm, por çështja prapë u la në heshtje. Nuk e lëmë këtë muhabet”.

Qarqet reaksionare greke dhe çështja e gjuhës shqipe

Konda e tregonte këtë bashkëkuvendim me profesorin e tij, duke dalë në përfundimin që qarqet reaksionare greke, çështjen e gjuhës shqipe e atë të prejardhjes së shqiptarëve nga pellazgët i urrenin e i luftonin në atë kohë. Konda fliste gjithashtu me urrejtje për regjimin e Ahmet Zogut, jo vetëm se i kishte shkaktuar mjerime të mëdha popullit, por edhe për pengesat që i kishte sjellë atij e për shpifjen që kishte përhapur për të. Konda kishte kërkuar nga ministri i arsimit të atëhershëm Xhafer Ypi, ndihmë për të shkruar rreth pellazgëve. Jo vetëm që nuk i kishte dhënë, por të kundërtën, e kishte cilësuar edhe si grekofil! Dhe me këtë rast Konda i nxehur tregonte, që gjatë luftës Italo-greke kur u pushtua Korça nga grekët, këta erdhën e kërkuan nga ai, si helenist, që kishte mbaruar universitetin e Athinës, të bashkëpunonte me ta. Ai u tha : “Unë kam mbaruar vërtet në Athinë, por kam qenë e mbetem shqiptar dhe jini drejtuar gabim tek unë. Korça ka qenë e do të jetë shqiptare”. Kështu ata ikën e nuk u dukën më. Sigurisht grekët erdhën tek ai, jo vetëm se kishte mbaruar shkollën në Athinë, por nga cilësimi armiqësor që i kishte bërë regjimi i poshtër i Ahmet Zogut. Konda fliste me urrejtje edhe për Faik Konicën, te cilit i qe drejtuar, që të pranonte të botoheshin në SHBA shkrimet e tij mbi pellazgët në gazetën “Dielli”. Faik Konica nuk e kishte përfillur fare, sigurisht me udhëzimet e Xhafer Ypit. Dhe plaku i mirë përmbyllte bashkëkuvëndimin: “tani jam i lumtur, Spiro, se Shqipëria është e popullit, falë udhëheqjes së Partisë e të Enver Hoxhës. Kështu u plotësua edhe ëndrra e gjithë jetës sime, që të shkruaj i qetë e lirisht ato që kam mësuar e bluar tërë jetën për pellazgët. Të na rroje Partia me Enver Hoxhën në krye”.

Ishte gushti i 1955

Ndodhesha me punë në Korçë. Kisha rënë në Shtëpinë e Partisë (të vjetrën). Atje gjeta me pushime të nderuarin Prof. Aleksandër Xhuvanin. Zakonisht kur shkoja në Korçë, takoja plakun Konda. Dhe asaj radhe Myftar Grabocka e njoftoi Kondën se unë e prisja pasdreke në Shtëpinë e Partisë. Rreth orës gjashtë erdhi. E prita jashtë, para hyrjes, në hije. Sapo ishim ulur dhe kishim filluar kuvendimin. Ndërsa ai më pyeste për shëndetin e shokut Enver etj., zbriti Prof. Xhuvani nga kati i parë dhe doli tek hyrja, ku ishim ne të dy. Unë isha takuar me të pak më parë. Konda iu drejtua nga tryeza me ngrohtësi : “A je, si je A1eksandër?” dhe bëhej gati ta takonte. Prof. Xhuvani, duke qëndruar me këmbë e larg nesh, i’u përgjigj shumë ftohtë: “Mirë, Spiro!” dhe, pa i dhënë dorën e pa u ndalur fare, u largua. Ky qëndrim i Prof’. Xhuvanit, ndërsa mua më habiti disi, Kondën e vrau, se uli kokën dhe heshti për ca kohë. Unë bëra sikur nuk kuptova gjë dhe vazhdova të flisja. Pasi u ndamë me Konden vrava mendjen : pse ky qëndrim kaq i ftohtë i Xhuvanit kundrejt Kondës? Këta kanë mbaruar të njëjtën shkollë, në të njëjtin vend dhe kanë kaluar një jetë bashkë në Shqipëri me të njëjtat shqetësime, pavarësisht nga prodhimtaria e ndihmesa që i kanë dhënë çështjes së çlirimit nga pushtues e tradhtarë. Xhuvani kishte vërtet prodhimtari të gjerë si lëvrues i gjuhës shqipe e merita të mëdha për ngritjen e zhvillimin e shkollës shqipe. Luftës Nacional-çlirimtare i kishte dhënë një djalë dëshmor dhe gjithë djemtë e vajzat e tij kishin qenë në radhët partizane. Për këto Partia i kishte besuar vënde me përgjegjësi. Konda nuk kishte të tilla merita, por nuk ishte as për t’u përçmuar. Kishte qënë njeri i ndershëm, arsimtar i përpjekur, njeri i lidhur me popullin e me luftën e tij. Për mendimin tim nuk meritonte kurrësesi ftohtesinë që mbajti Prof. Xhuvani me të. Kështu përfundova mendimin tim atë ditë dhe nuk e vrava mëndjen më tej.

Një përmbyllje e Çabejt

Nga sa më kujtohet Konda kishte peng në zëmër një përmbyllje të Çabejt rreth prejardhjes së gjuhës shqipe, botuar në vitin 1935. Në vëll.III të “Studime gjuhësore” të Çabejt, në faqen 36, thuhet : “Duke përmbledhur ç’u tha këtu në lidhje me problemin e burimit të gjuhës shqipe, me çështjet që dalin përbrënda tij dhe me rrugët që janë ndjekur e metodat që janë zbatuar për të arritur në një zgjidhje, me një vështrim objektiv, do të thuhet se janë sqaruar disa anë, disa pika janë zbërthyer, po ky problem në thelb mbetet gjer më sot i pazgjidhur”. Konda ngulte këmbë se Çabej e kishte katërcipërisht gabim: gjuha shqipe vjen drejtpërdrejtë nga ilirishtja dhe s’ka vënd të ngatërrohet me trakishten. llirishtja vjen nga pellazgjishtja. E këtë synonte të vërtetonte Konda. Puna e Kondës ecte me ritme të shpejta, se ai kishte shumë çështje e pjesë të hedhura në letër. Nga ana tjetër kishte një kujtesë të habitshme për atë moshë. Ai mbante mënd autorin, librin e faqen, ku trajtohej kjo ose ajo çështje, të cilën do të trajtonte dhe ai në veprën e tij. Siç duket kishte studiuar me vëmëndje të madhe këta autorë e këto çështje dhe i ishin bërë gjak i gjakut të tij. Tani shtrohej çështja, t’i përpunonte këto shënime e kujtesa dhe t’i rendiste, t’i zbërthente, t’i shtjellonte e t’i bashkërendonte në një vepër shkencore.

“Mbi Toponiminë” e Spiro Kondës

Në vitin 1956, aty nga mesi, Konda dha të shkruar, dorën e parë të pjesës “Mbi Toponiminë” prej fjalëve të Homerit “gur, pyll e mal”, që ai, duke i marrë si fjalë te përveçme, u ka vënë bri fjalët përkatëse greke “petra, dhasos e oros” si dhe “MBI ETRUSKËT”. I studiova me kujdes edhe vetë, por nuk kishte asnjë rëndësi kjo. Rëndësi kishte studimi nga ata që merren me këto çështje e kanë përvojën e aftësinë, për të dhënë gjykime e vlerësime. Dhe të tilla u dhanë nga shkencëtarët më në zë të Institutit të Historisë e Gjuhësisë.Këndova dhe vetë këto gjykime e vlerësime dhe mbeta shumë i zhgënjyer. Ato në thelb nuk ishin objektive. Në tërësi e hidhnin poshtë si jo shkencore të gjithë punën e bërë deri atëhere nga Konda! Ndonjë kishte edhe theksime pak a shumë të tilla : “Është një tragjedi që një njeri me një këmbë në varr të merret me një problem kaq të madh!!” Gjuhëtarë e historianë ishin të gjithë në një mendim. Zhgënjimi im vinte nga ky arësyetim: Si ka mundësi që në tërë këtë punë të lodhshme që ky filolog me përvojë ka bërë, këta shkencëtarët tanë nuk gjejnë asnjë gjë me vlerë? Po t’i kqyrim gjërat me objektivitet e pa paragjykime, llogjika e thjeshtë e lypte, që disa gjëra të qëndronin e një pjesë të rrëzohej. Por asgjë të tillë nuk kishte në ato katër-pesë gjykime e vlerësime. Kondës, natyrisht, nuk i’u tha gjë për këto. Ai vazhdoi punën. Dhe shoku Enver nuk e pakësoi aspak interesimin e ndihmën, që plaku Konda ta vazhdonte e ta mbaronte me qetësi punën. Natyrisht, ashtu si mua, edhe shokut Enver, këto gjykime e vlerësime aspak objektive, të kundërtën përçmuese, nuk i pëlqyen. E këtë e nxjerr nga ç’do të tregoj më poshtë: Në mbledhjen e Kuvendit Popullor të shkurtit 1957, siç duket nën vragën e zhgënjimit për gjykimet e vlerësimet, që i ishin bërë punës së deriatëherëshme të Kondës nga korifejtë (majat) e gjuhësisë historisë, unë shkrova këtë vjershë dhe ja dërgova shokut Enver:

 

“Dilema”

Nga Pyrrua tek Skënderbeu ,

Edhe në kohërat më vonë,

Krenarinë tonë askush s’e theu:

– Që gjak pellazgu ndër neve vlon-

 

Shumë të huaj kanë punuar,

Këtë dilemë për ta zgjidhur:

“Pellazgët a kanë ekzistuar?”

Por jo “Kush me ta është i lidhur”.

 

Dhe njëherë që memzi dolli

Një dijetar yni që i bashkon

Me popullin shqiptar, i polli

Të gjorit belaja! Shkenca jonë s’pranon!

 

Është i ulët, thotë, e primitiv;

Si bëhet pa Jokle, Mayer e tjerë?!

Fonetikën ay s’e di. Dënim definitiv?

Gjykata dha vendim të prerë.

 

Por historia do ta tregojë,

Se ka të drejtë Konda plak.

Lum ai që do të rrojë:

Të shohë si do hani dajak!

“Arrëza”

18.2.1957

 

Shoku Enver, në të njëjtën letër ku ishte shkruar vjersha ime, është gjegjur me këtë vjershë:

 

Jam me ti, moj Arrëzo,

Pse ti je njeri i shkencës,

Pamvarësisht se thumba ke,

Dhe i del përpara pendës ,

 

Unë kam besim si ty,

Se kjo punë kështu do dalë.

Hypja kalit me shalë

Edhe shko e pi një dhallë

Me Çabenë e me Xhuvanë”.

Grenxa

 

 

Nesër do të lexoni:

  • Më 6 maj 1959, në mbledhjen e Byrosë Poliitike u morën në shqyrtim disa probleme themelore, që dolën rreth maketit të vëlI. l të “Historiseë së Shqipërisë”.
  • Historia jonë fillonte me “kolonitë helene në bregdetin e Ilirisë”, kaq sa dikush prej nesh bëri pyetjen: “historinë e kolonive helene shkruajmë apo historinë e Shqipërisë ‘?
  • Etnogjeneza e populli tonë mbaronte tek ilirët! Asnjë fjalë nuk kishte për prejardhjen tonë nga pellazgët.
  • Konda na ka dërguar artikullin e një shkrimtari grek, që thotë se pellazget kanë ndihmuar në zhvillimin e kulturës helenike
  • Rrethet shkencore të vendit tonë dënuan me HESHTJEN E TYRE si veprën e Kondës, ashtu edhe atë të Mayanit.
  • Është për të ardhur keq, që një gjuhëtar si Eqerem Çabej të ketë ndikuar kaq shumë negativisht në hedhjen poshtë të krenarisë tonë kombëtare,
  • Në prejardhjen e fjalëve Çabej anoi më shumë në huazimet e gjuhës sonë nga greqishtja e latinishtja e të zbehë të kundërtën, pra fjalët që i ka huajtur gjuha jonë këtyre gjuhëve