Aleks Seferaj: Heroizmi i luftëtarëve gjormiotë në Luftën e Vlorës

891
Sigal

Pas një lufte të përgjakshme, 290  ushtarë, 12 oficerë,  u shoqëruan për në Vajzë. Morën me vete edhe 25 të vrarët.

LUFTA E VLORËS DHE  LUFTËTARËT  GJORMIOTË

Aleks Seferaj

Me pushtimin e Shqipërisë nga ltalia, në Gjorm u dislokuan rreth 600 ushtarë dhe oficerë në vendin që ne sot e quajmë “Komandë”,  ngaqë u vendos komanda italiane. E rëndë çizmja e të huajit në vendin tënd, kjo bëri që banorët e këtij fshati të kishin një urrejtje kundër okupatorit. E parë kjo dhe në aspektin ekonomik, duke iu marrë bagëtitë e prodhime të ndryshme u bënë të paduruar, dhe urrejtja sa vinte e shtohej, dhe kjo bëri që  dhe populli i Gjormit  të ishte më aktiv në luftë. Në manifestimin që u bë në 28 Nëntor 1919,  pranë xhamisë së Tabakos në Vlorë, morën pjesë shumë burra të Gjormit. Kur ngritën flamurin u ndeshën me karabinierët  e filloi përleshja midis tyre. Pas kësaj, represioni i okupatorit u shtua, por dhe aktiviteti i luftëtarëve u rrit akoma më tepër. Në fundin e vitit 1919, u hap një depo armatimi në Gjorm, ku u vodhën armë dhe u arrit deri aty, që shumë djem trima e të shkathët si, Hasan Katrani, Dajlan Alliaj, Azem Saraci, Sejdi Matani, Muço Sherifi etj., të ndesheshin trup më trup,  për t’u rrëmbyer armët italianëve. Pas ardhjes së kryeministrit Sulejman Delvina në Lepenicë,  ku morën pjesë  shumë burra gjormiotë prej të cilëve do përmendim:  Jakup Kajaj, Selam Hasani, Rrap Laba ,etj., dhe duke mos rënë dakord me zgjidhje politike morën menjëherë vendim se do t’i dilnin për zot vatanit, si përherë me luftë. Menjëherë u fillua të punohej për përgatitje për luftë. Para se të mblidheshin përfaqësuesit e  krahinave  te rrepet e Mesaplikut në Gjorm, vjen Osmën Haxhiu, Sali Vranishti dhe Murat Tërbaçi,  të cilët pasi folën për luftën, lanë porosi që 2-3 vetë, përfaqësues të fshatit të marrin pjesë në mbledhjen e Mesaplikut. Kur ikën morën me vete dhe Halim Jakupin i sapokthyer nga ltalia,  pasi kishte mbaruar akademinë ushtarake. Në këtë mbledhje të datës 22 prill 1920,  u vendos për mbledhjen e Barçallasë ku nga Gjormi morën pjesë Muço Sherifi, Rrap Laba, dhe Selam Hasani. Me kthimin e përfaqësuesve  të fshatit nga Mesapliku, mblodhën përfaqësuesit e lagjeve  u përpiluan lista mbi 15 -vjeç për luftë, ku u regjistruan mbi 130 burra dhe mbi 40 gra dhe u caktuan dhe ata që do të merrnin pjesë në Kuvendin e Barçallasë, i cili u mblodh në 29 Maj 1920, dhe vendosi krijimin e Këshillit të mbrojtjes, Komitetin e Mbrojtjes  Kombëtare me komandant  Osmën Haxhiu dhe Komisionin Ushtarak me komandant Ahmet Lepenicën. Në këtë komision u zgjodh  anëtarë dhe Halim Jakupi nga Gjormi. Me përgjigjen negative të ultimatumit, Komiteti vendosi organizimin e fillimit të luftës i caktuan garnizonet dhe çetat që do t’i sulmonin. Çeta e Gjormit dhe e Lepenicës do të sulmonin Llogoranë, ndërsa Çeta e Dukatit, Tragjasit, Radhimës dhe e Vranishtit do të luftonin në Garnizonin e Gjormit. Për në Llogora  u nisën mbi 40 luftëtarë, pasi deri në atë kohë aq armë ishin siguruar ndërsa pjesa tjetër do të luftonin me çfarë të mundnin dhe në ndihmë të çetave që do të Luftonin.  Hasan Katrani, një trim i rrallë i jep dyfekun e tij një bashkëfshatari për në Llogora dhe i thotë “unë do luftoj këtu me gurë”. Në datën 4 Qershor pasdite, u zunë pozicionet dhe ne datën 5 në mëngjes nisi një luftë e ashpër në të gjitha drejtimet. Hasan Katrani luftonte me gurë dhe në një moment, kur një ushtar italian nisi bombën në drejtim të luftëtarëve, Hasani kishte nisur gurin i cili qëllonte pa ndërprerje  u përplas guri me bombën dhe u vranë 5 ushtarë italianë dhe kjo këndohet deri më sot “Si u di e ra sabah,/ kur u bë lufta në Gjorm/ Hasani si ezhdërha,/ ky me gurë ata me bombë/ S’kish bërë vaki në dynja,/ u përpoq guri me bombë/ Plasi bomba në hava,/ u kthye vrau të zonë”. Por pas kësaj ltalianët përdorën një dredhi, duke ngritur flamujt e bardhë gjoja do të dorëzoheshin dhe sapo luftëtarët dolën nga pozicionet, ata hapën zjarr, dhe ranë dëshmorë Hodo Zeqiri komandanti i Çetës së Dukatit, Hysen Jazo nga Dukati, Zenel Ramohito nga Tragjasi dhe Meçan lsai nga Lepenica. Pas kësaj ndodhie lufta u ndez më e ashpër, sulmi ishte i fuqishëm dhe atë pasdite ata u dorëzuan, duke thënë që armët do t’ia dorëzojmë atij që luftonte me gurë. Pas dorëzimit dhe çarmatimit të tyre, 290  ushtarë 12 oficerë dhe 25 të vrarët, u shoqëruan për në Vajzë. Ndërkohë lufta e Çetës së Gjormit dhe Lepenicës  në garnizonin e Llogorasë vazhdonte. Italianët përdorën të gjitha mënyrat për shmangien e luftës, por Çetat ishin të vendosura. Në një moment, një oficer italian del me lekë për të paguar Medin Hoxhaj dhe Refat Mersinin,  por ata e vrasin atë, plagosen edhe vetë. Në datën 6 Qershor në mëngjes herët, pasi armatosen mirë me armë e municion nisen për të ndihmuar vëllezërit e tyre, mbi 30 burra dhe një grua,e cila u përjetësua në vargje “Kush qe e para në gra/ Salihe Askusheja/ Me tridhet burra e ca /Arriti ne Llogora”. Në Llogora  mbërrijnë pasdite vonë, ku mësojnë që në luftime e sipër kishin rënë dëshmorë  Begë Lazja nga Gjormi dhe Sheme Jazua nga Lepenica dhe plagosur Dalan Bejo. Pas tre ditësh luftime të përgjakshme italianët dorëzohen dhe komandanti i tyre tentoi të ikte me vrap,  por vritet nga Azem Askushaj. Pas këtyre betejave, luftime të tjera do t’i prisnin luftëtarët gjormiotë. Sapo u kthyen nga Llogoraja, bënë organizimin e luftëtareve për luftë, që në front të ishin jo më pak se 60 vetë, por njëkohësisht  të vazhdonte dhe puna e ndihma e luftëtarëve. Çetës së Gjormit, fronti i luftimeve iu caktua në Kallafetë dhe Kaninë. Në 11 Qershor në mëngjes nisin luftime të ashpra, pasi luftëtarët u vunë nën goditjen e të gjithë llojeve të armatimit. Në këto luftime, një trimëri të rrallë treguan Sulo Barjami, dhe Hysen Beqo një artilier i zoti që me topin e kapur të italianëve i dëmtoi rëndë ata. Në goditjen e aeroplanëve në këtë betejë, italianët pësuan humbje të mëdha në njerëz e materiale, por ngelën dhe shumë të plagosur nga ana e luftëtarëve si Aziz Çobaj, Emin Alliaj, Ramo Delaj, Axhem Birçe e Haxhi Ballaj, të cilët i çuan për kurim në spitalin e Kotës. Me mbarimin me fitore të luftës në Kallafetë u kthyen për të festuar Bajramin dhe italianët iu zunë përsëri pozicionet e mëparshme dhe me dhënien e alarmit përsëri luftëtarët u kthyen në pozicionet e mëparshme. Pas hezitimit të luftëtarëve gjormiotë  për pozicionin frontal dhe të zbuluar, e shoqëruar nga të dy anët nga Çeta e Bolenës dhe e Gumenicës, meqenëse ishte urdhër e zbatuan atë. Luftimet nisën shumë të ashpra, ku armiku mbështetej me artileri dhe avionë, por në të njëjtën kohë u përgjigjën dhe luftëtaret tanë, ku përsëri spikati trimëria e Sulo Barjamit, artilier i zoti dhe Hysen Beqo, që rrëzoi një avion armik.