Zgjerohet urdhri ekzekutiv për kufizimin e udhëtimeve në SHBA

527
Qytetarët nga tetë vende të botës, të cilët synojnë të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara do të përballen me kufizime të reja në bazë të një urdhër ndalimi të rishikuar mbi udhëtimin, i nënshkruar të dielën nga presidenti i amerikan Donald Trump.
Rregullat e reja, të cilat hyjnë në fuqi më 18 tetor, prekin qytetarët e Çadit, Iranit, Libisë, Koresë së Veriut, Somalisë, Sirisë, Venezuelës dhe Jemenit.
Zyrtarët amerikanë thanë se këto vende kanë refuzuar të shkëmbejnë informacione mbi terrorizmin dhe çështje të tjera me Shtetet e Bashkuara.
Njoftimi u bë të dielën vonë, derisa ndalesa e mëparshme, e përkohshme e presidentit Trump për vizitorët nga gjashtë vende me shumicë myslimane po skadonte, 90 ditë pasi kishte hyrë në fuqi. Urdhri i mëparshëm kishte ndaluar qytetarët e Iranit, Libisë, Somalisë, Sudanit, Sirisë dhe Jemenit të hyjnë në SHBA, përveç nëse ata kishin një “dëshmi të besueshme për një marrëdhënie të mirëfilltë me një person apo subjekt në Shtetet e Bashkuara”.
Reagimi ndaj urdhër ndalimit të ri të presidentit nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe grupet e tjera që punojnë me emigrantët ishte i shpejtë dhe kryesisht negativ.
Këshilli mbi marrëdhëniet amerikano-Islamike (CAIR), organizata më e madhe e të drejtave civile të myslimanëve, tha se versioni i fundit i “ndalimit të myslimanëve”, që Trump u përpoq të paraqiste pas marrjes së detyrës më herët këtë vit, ishte pjesë e “agjendës së neveritshme të supremacistëve të bardhë”.
“Si president, unë duhet të veproj për të mbrojtur sigurinë dhe interesat e Shteteve të Bashkuara dhe popullit të tyre. Kufizimet e shpallura janë të rrepta dhe u dërgojnë një mesazh qeverive të huaja që ato duhet të punojnë me ne për të rritur sigurinë “, tha presidenti Trump.
Ndalimi i ri hoqi Sudanin nga lista, por shtoi Çadin, Venezuelën dhe Korenë e Veriut krahas gjashtë vendeve me shumicë myslimane.
“Koreja e Veriut nuk bashkëpunon me qeverinë e Shteteve të Bashkuara në asnjë mënyrë dhe nuk plotëson asnjë kërkesë për shkëmbimin e informacionit”, tha presidentin amerikan përmes një deklarate.
Venezuela iu shtua kësaj liste për siç u tha, mos bashkëpunimin “në verifikimin nëse shtetasit e saj paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare apo për sigurinë publike”. Zyrtarët amerikan gjithashtu thanë se qeveria e Caracasit nuk pranon me dëshirë venezuelasit e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.
Çadi, një partner i “vlefshëm dhe i rëndësishëm” kundër terrorizmit, nuk arriti të ndante informacionin lidhur me terrorizmin dhe çështje të tjera të sigurisë publike, thuhet në deklaratën presidenciale.
“Që kur u zbatua ndalimi i fundit para 10 muajsh, ne kemi parë familje të shkatërruara dhe kombe të tëra njerëzish të demonizuar për krimet e disa personave të caktuar”, tha të dielën në një deklaratë grupi i të drejtave të njeriut “Amnesty International”. “Urdhri ishte një katastrofë jo vetëm për ata që kërkojnë siguri, por edhe për ata që thjesht duan të udhëtojnë, punojnë apo studiojnë në Shtetet e Bashkuara. Veprimi i sotëm nuk e heq këtë tension dhe nuk i ofron siguri akujt”, thuhej më tej në këtë deklaratë.
Presidenti Trump javën e kaluar bëri thirrje për një ndalim “më të ashpër” të udhëtimit pasi një bombë shpërtheu pjesërisht në një metro në Londër.
“Ndalimi i udhëtimit në Shtetet e Bashkuara duhet të jetë shumë më i madh, më i rreptë dhe më specifik – por marrëzisht, kjo nuk do të ishte politikisht korrekte”, kishte shkruar ai në një postim në Twitter.
Sigal