Vr.au me armë zjarri 31-vjeçarin në Gjermani, shqiptari pranon akuzat: Nuk doja ta bëja, por ndihesha i kërcënuar

84
Sigal

Pothuajse nëntë muaj më parë, një 31-vjeçar u qëllua për vdekje në Kiel-Gaarden nga një shtetas shqiptar, teksa ishte ulur në një stol publik.

Sot i pandehuri Fisnik H. ka pranuar krimin në gjykatë dhe ka shprehur pendesë për aktin e kryer.

Sipas mediave të huaja, ai ka thënë se nuk donte të vriste viktimën, por ndihej i kërcënuar dhe i provokuar. Sipas deklaratave të tij, 23-vjeçari në atë kohë ka qëlluar me katër të shtëna, njëra prej tyre në tokë.

Prokurori publik akuzon shqiptarin për “vrasje të pabesë për motive të ulëta”.

Gjatë ditës së parë të gjykimit, i akuzuari është keqtrajtuar dhe fyer vazhdimisht nga auditori.

Përveç 18 dëshmitarëve, në gjykatë do të dëgjohet edhe raporti psikiatrik dhe mjeko-ligjor.

Kujtojmë se pas krimit, autori i dyshuar është arratisur. Pas hetimeve nga Kripo Kiel dhe prokuroria publike, gjykata e qarkut në Kiel vendosi të shpallë në kërkim Fisnik H. Prokurorët njoftuan se 23-vjeçari në atë kohë nuk kishte patentë për armë zjarri. Është ofruar një shpërblim prej 3000 euro për këdo që kishte informacion. Më në fund, pothuajse dy javë më vonë, hetuesit arrestuan të dyshuarin në Gelsenkirchen.

Prokuroria publike ka bërë të ditur se paraprakisht ka pasur një mosmarrëveshje mes vëllait të të akuzuarit dhe viktimës. Përpara bankës në Gustav-Schatz-Hof, autori i dyshuar mësohet se ka folur me 31-vjeçarin për këtë mosmarrëveshje dhe më pas ka qëlluar. Se çfarë ka ndodhur saktësisht pritet të sqarohet në gjykatë.