Varhelyi i prerë: Vuçiç duhet të jetë tavolinën e samitit të martën

67
Sigal

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se ndodhemi në një udhëkryq kritik dhe se javët dhe muajt e kaluar kanë treguar se procesi i zgjerimit të BE-së po tërheq shumë vëmendje.

Varhelyi nënvizoi se është shumë e rëndësishme që në samitin e 6 dhjetorit në Tiranë, të jetë i pranishëm presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Ai u shpreh i prerë se duhet të jetë edhe presidenti serb në tavolinë me liderët e rajonit.

“Në të njëjtën kohë, ne kemi parë një destabilizim të madh gjeopolitik në kontinentin tonë. Tani jemi përgjegjës për përmbushjen e pritshmërive dhe ruajtjen e momentit. Procesi i zgjerimit është një nga tre prioritetet kryesore të liderëve të BE-së, kjo është pikërisht arsyeja pse ne të kemi Samitin në Tiranë javën e ardhshme, ku liderët tanë do të vijnë për herë të parë në rajon për ta diskutuar, është e nevojshme që të gjithë të përfshihen dhe Serbia të jetë në tavolinë dhe ne duhet të ulet lideri i Serbisë atje”, tha Oliver Varhelyi.

Së fundmi presidenti serb Vuçiç e ka quajtur terrorist kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Një ditë më parë, ai tha gjithashtu se askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor, për shkak të, siç tha ai, reagimit “të turpshëm” të BE-së për emërimin e Nenad Rashiçit si ministër në Qeverinë e Kosovës.

Më 6 dhjetor mbahet samiti i parë mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet në Tiranë.

Në faqen zyrtare të Këshillit të Bashkimit Europian thuhet se samiti është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë të BE-së.