Mesi refuzoi të zbulonte bisedën me polakun, por Levandovski i thotë të gjitha…

122
Sigal

Përballja mes Lionel Mesit dhe Robert Levandovskit ishte një ndër gjërat më të bukura të duelit Argjentinë-Poloni, që në fund u finalizua me kualifikimin e të dyja ekipeve.

Por përveç qasjes së ndryshme që dy sulmuesit patën ndaj ndeshjes, me Mesin që humbi penallti, por krijoi dhe me Levën që ishte thuajse inekzistent, vëmendjen e morën episodet mes tyre, duke ditur tensionin që dyshja ndan që pas “Topit të Artë” që i shkoi Leos e jo kapitenit të europianëve.

BISEDA – Momenti i parë që tërhoqi të gjitha kamerat ishte faulli shkaktuar nga numri 9 në dëm të 10-ës bardhekaltër, i shoqëruar nga një tentativë për të kërkuar faljen e Levandovskit që u injorua nga Mesi. Gjithsesi në fund dyshja u pa duke biseduar në mesin e fushës, një bisedë që ngjalli shumë kuriozitet, por të cilën “Pleshti” refuzoi ta zbulonte.

“Mua më kanë mësuar që çdo gjë që ndodh në fushë ngelet në fushë, ashtu si në dhomat e zhveshjes. Nga unë nuk do të ndalin asnjëherë gjërat që thamë personalisht”, u shpreh kapiteni i Argjentinës për episodin, ndërkohë që ai i Polonisë pati një tjetër qasje.

Për “Bild” Leva tregoi: “Ishte një bisedë zbavitëse, folëm pak dhe i thashë Mesit që luajta më në mbrojtje se zakonisht, por ndonjëherë kjo është e nevojshme për skuadrën. Është diçka e rrallë nga unë, por kur duhet edhe unë mund ta bëj mesfushorin difensiv”.

Asnjë nuk e di nëse kjo është e gjithë ajo që u fol mes tyre, por dyshja të cilën e lidh dhe e ndan Barcelona dhe po shkon drejt fundit të karrierës, dhuroi një nga momentet më simpatike të Botërorit.