Vaksinimi kundër Covid-19 brenda vitit / BE përshpejton miratimin

205
Sigal

Bashkimi Europian duket i vendosur që shtetasit e vendeve anëtare të fillojnë të marrin vaksinat e COVID-19 para vitit të ri pasi rregullatori rajonal i ilaçeve ka përshpejtuar procesin e miratimit.

Agjencia Europiane e Barnave (EMA) tha se një panel ekspertësh do të mblidhet të hënën në 21 dhjetor për të vlerësuar vaksinën e bërë nga kompania amerikane Pfizer dhe partneri gjerman BioNTech.

Më parë, EMA kishte thënë se takimi mund të vononte deri më 29 dhjetor. Mandati i EMA-s është të lëshojë rekomandime për trajtimet e reja mjekësore, ndërsa Komisioni Evropian ka fjalën e fundit mbi aprovimin e tyre por zakonisht ai ndjek rekomandimet e EMA-s.

EMA tha se takimi i ekspertëve të saj u përshpejtua pasi kompanitë kishin publikuar më shumë të dhëna, dhe Komisioni Europian do të vendosë mbi miratimin “brenda ditësh”. Gjermania mund të nisë vaksinimin 24 deri 72 orë pasi vaksina BioNTech / Pfizer të marrë miratimin e BE, tha Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn të martën.

Presidentja e Komisionit të BE Ursula von der Leyen u bëri jehonë këtyre lajmeve duke thënë në Twitter “se ka të ngjarë që europianët e parë do të vaksinohen para fundit të vitit 2020.” Gjermania, Franca, Italia dhe pesë shtete të tjera europiane do të koordinojnë fillimin e fushatave të tyre të vaksinimit, thanë ministrat e shëndetësisë të vendeve në një deklaratë të përbashkët të martën.

Deklarata u nënshkrua gjithashtu nga ministrat e shëndetësisë të Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Luksemburgut, Hollandës, Spanjës dhe Zvicrës.