Sondazhi / Qytetarët shqiptarë të zhgënjyer nga qeveria dhe politika

86
Sigal

Instituti Shqiptar për Demokraci e Ndërmjetësim dhe Instituti Demokratik Amerikan publikuan sot një sondazh mbi angazhimin politik në Shqipëri, ku shprehet një zhgënjim në rritje i qytetarëve ndaj qeverisë dhe politikës. Pjesa dërrmuese e të anketuarve ndjehen të shkëputur e të papërfaqësuar si nga qeveria edhe nga politika, dhe shprehin pakënaqësi në rritje ndaj tyre.

Sondazhi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim së bashku me Institutin Demokratik Amerikan zbuluan për zhgënjim në rritje të shqiptarëve ndaj qeverisë, opozitës dhe nga mungesa e transparencës së tyre për financimet. Sipas Sondazhit të publikuar sot, shqiptarët pohojnë se janë të papërfaqësuar dhe të shkëputur nga qeveria dhe nga opozita dhe 2/3 e të anketuarve shprehin pakënaqësi në rritje ndaj tyre. Më shumë se 2/3 e qytetarëve nuk marrin dot informacion dhe politika qëllimisht fsheh të dhënat se kush i financon fushatat zgjedhore dhe kandidatët përkatës dhe si shpenzohen këto para. Qytetarët pohuan se ata e shohin më shumë veten të angazhuar në nisma qytetare se sa në nisma politike.

Votuesit e pavendosur shumica ndjehen të papërfaqëuar nga partitë politike dhe pjesa tjetër mendojnë se partitë politike nuk i kanë mbajtur dhe nuk i mbajnë premtimet e tyre parazgjedhore. Qytetarët ndjehen të papërfaqësuar nga partitë politike dhe shprehin zhgënjim nga qeveria dhe opozita, ndërsa gadishmëria e tyre për të marrë pjesë në votime ka rënë me mbi 20 për qind. Angazhimi partiak i qytetarëve ka pësuar rënie nga viti në vit, e përkundër kësaj shihet një angazhim në rritje për t’u përfshirë në çështje komunitare, që u interesojnë drejtpërdrejt. Qytetarët janë shumë kritikë për transparencën e parlamentit; vetëm 3 nga 10 të anketuar pohojnë se parlamenti ka qenë transparent vitin e fundit, kur edhe nisi pandemia Covid-19.

Në një masë të madhe ata janë pro votimit drejtpërdrejt të kandidatëve për deputetë në zgjedhje, se sa për listat e mbyllura të partive, duke kërkuar të eleminohet ndikimi mbi listat i kryetarit të partisë, si dhe të përmirësohet përgjegjësia dhe llogari-dhënia në parlament. Të rinjtë shprehin interesin më të ulët dhe informimin më të pakët ndaj politikës; ata janë pak të interesuar për programet e partive politike, për parlamentin dhe akoma më pak për deputetët. 2/3 e qytetarëve thonë se informacioni është i rëndësishëm për ta, por nuk e marrin dot.

Ata pohojnë se mungesa e informacionit mbi financimin e partive politike ushqen korrupsionin. Për shumicën e institucioneve ka një rënie të njohurive dhe informacionit publik nga qytetarët. Të anketuarit shprehin shqetësim se politika dhe vendi drejtohet nga nje grup i vogël njerëzish dhe nuk ka hapësira për individë të talentuar dhe me integritet.