Kosova aplikon zyrtarisht në aleancën GAVI-COVAX për vaksinën kundër Covid-19

199
Sigal

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj ka njoftuar të hënën se vendi ka aplikuar për sigurimin e vaksinës kundër koronavirusit në aleancën globale GAVI-COVAX.

“Aplikimi zyrtar në GAVI-COVAX nuk do të thotë se Kosova nuk do të shfrytëzojë edhe rrugë të tjera për të siguruar vaksina shtesë, sipas nevojës, përtej shifrës së 20% të vaksinave që do merren falas (apo rreth 360 mijë vaksina) nga COVAX, meqë synimi është që të imunizohen kategoritë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19”, shkroi Zemaj në një postim në Facebook.

Ai shprehet se Kosova synon të vaksinojë grupet e popullatës që janë më ekspozuara dhe më të rrezikuara nga virusi, duke përfshirë, stafin shëndetësor, të moshuarit, personat me sëmundje kronike, personelin e shërbimeve të angazhuara në menaxhimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 dhe më pas edhe kategori tjera.

Programi ndërkombëtar i njohur si COVAX, udhëhiqet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI) dhe Gavi (Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin).

Ky program synon të bashkojë fondet e shteteve të pasura dhe të organizatave joqeveritare, me qëllim të zhvillimit të vaksinës për sëmundjen COVID-19, që shkakton koroanvirusi, si dhe ta shpërndajë atë në gjithë botën.

Përmes këtij programi, Kosova planifikon të sigurojë 1.2 milion vaksina. Maqedonia Veriore veç ka bërë porosinë prej 800 mijë vaksinave, Serbia ka siguruar 1.8 milion doza, dhe Bosnje e Hercegovina ka porositur mbi 1.2 milion vaksina.

Për Shqipërinë ende nuk ka të dhëna, por edhe ky shtet synon të sigurojë vaksinën përmes programit COVAX.