Ulet çmimi i energjisë për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat në orë në Kosovë

15
Sigal

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë, i ka miratuar të martën tarifat e reja të energjisë, që nënkuptojnë lirim për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë si dhe për konsumatorët komercialë dhe industrialë.

ZRRE-ja ka thënë se do të ulë për 8 për qind tarifat për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë, që nënkupton se nga 14.45 centë për kilovat, ata do të paguajnë 13.29 centë për tarifën e ditës, dhe nga 6.81 centë në 6.26 centë për tarifën e natës.

Tarifa e natës – më e lirë – vlen në orarin 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit. Çmimet për konsumatorët komercialë dhe industrialë do të ulen për 3 për qind. Çmimet e reja do të reflektohen prej faturave të prillit deri më 31 mars të vitit 2025.

Një vendim i tillë, sipas Bordit, është marrë për shkak të rënies së çmimeve në tregjet e energjisë elektrike në Evropë. ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e tarifave çdo vit.

Vitin e kaluar, tarifat janë rritur për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa 3.34 centë gjatë natës./ REL