Ukraina forcon lidhjet SHBA-BE

443
Sigal

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë të bashkuara në qëndrimin e tyre kundër Rusisë në lidhje me krizën ukrainase. 

Ky ishte mesazhi i dhënë në fund të takimit të udhëheqësve të Bashkimit Europian dhe Presidentit amerikan, Barack Obama. Shefi i Shtëpisë së Bardhë mbërriti në Bruksel pas samitit të sigurisë të zhvilluar në Hagë. Në Bruksel ai u takua me Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso dhe Presidentin e Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy. “Bota është më e sigurtë vetëm kur Shtetet e Bashkuara dhe Europa qëndrojnë në krah të njëra-tjetrës”, tha Obama. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha “se dikush gaboi kur bëri llogaritë dhe shpresoi se mund të kriseshin marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian” dhe falenderoi vendet e BE-së për mbështetjen e sanksioneve ndaj Moskës. “Sanksionet ndaj Rusisë do të përshkallëzohen nëse Rusia nuk heq dorë nga kursi aktual në politikën e jashtme. Moska izoloi veten e saj me veprimet në Krime, por pavarësisht kësaj, kanalet diplomatike për zgjidhjen e krizës mbeten të hapura.”, tha Obama. Nga ana e tij, kreu i KiE-së, Herman Van Rompuy cilësoi aneksimin e Krimesë nga ana e Moskës si “një pafytyrësi e shekullit të 21, të cilën Perëndimi nuk do ta njohë kurrë”. Përtej Ukrainës, takimi Obama-Van Rompuy-Barroso është shfrytëzuar edhe për të biseduar mbi marrëveshjen tregtare. Në fund thuhet se u ra dakort që të përshpejtohet vënia në jetë e Marrëveshjes për Tregti, Partneritet dhe Investime, marrëveshje që do të hiqte tërësisht barrierat tregtare që ekzistojnë mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Takimi zhvillohet nën masat të forta sigurie. Rreth 800 oficerë policie shtesë janë në detyrë në Bruksel, vecanërisht pranë ndërtesës së BE-se dhe hotelit ku do të qëndrojë presidenti amerikan, Barak Obama. Në total Belgjika ka shpenzuar 10 milionë euro për shtimin e masave të sigurisë. Ai do të qëndrojë më pak se 24 orë në Bruksel dhe më pas do të udhëtojë drejt Romës, ku do të takohet me Papa Françeskun. Në Hagë, Presidenti Amerikan tha se nuk do të njohë “marrjen e Krimesë nga Rusia, por përjashtoi një përgjigje ushtarake nga Perëndimi, që sipas tij është e pamundur”. Për shefin e Shtëpisë së Bardhë, veprimi i Moskës nuk është vecse shfaqje e dobësisë dhe jo e forcës. Sa i takon krahasimit mes Krimesë dhe Kosovës, shefi i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi se nuk ka asnjë fakt se rusët në Ukrainë po kërcënohen, duke rrëzuar cdo paralele ekzistuese. Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në vitin 2012, Romni e cilësoi “Rusinë, armikun numër 1 gjeopolitik të SHBA-së, duke thënë se qendrimi agresiv i Putinit kërkon përgjigje të ngjashme nga Presidenti Amerikan”. Ndoshta pas zhvillimeve të fundit përgjigjia ishte pikërisht ajo e së martës. “Putini drejton një fuqi rajonale, tha presidenti amerikan, kërcënimi i të cilës shtrihet deri tek vendet me të cilët kufizohet”.