Rama në Paskuqan: Legalizimet e banesave do të bëhen falas

419
Sigal

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot në Paskuqan se, legalizimet do të bëhen falas. Duke folur në një takim me banorët e kësaj zone që ende nuk kanë legalizuar banesat e tyre, kryeministri tha se, “në 8 vjet 160 mijë familje nuk kishin marrë përgjigje. Ne morëm vendimin që gjithë proçesin ta bëjmë falas”. “Ndryshimet do të na bëjnë ti qëndrojmë zotimit që kemi dhënë për legalizimin. Ne kemi pasur një plan shumë të qartë për legalizimet dhe dua ta kujtoj, ne kemi qënë të parët në Shqipëri që kemi bërë plan për legalizimet”, tha në fillim të fjalës së tij kryeministri. -Por sipas tij, “plani pësoi një ndryshim të rëndësishëm në fund të fushatës, ku duke dëgjuar qytetarët u përballëm me faktin se familje të panumërta kishin përgatitur letra deri edhe 3 herë”. “Shtëpitë do të kthehen në kapital të qarkullueshëm:. Në 8 vjet 160 mijë familje nuk kishin marrë përgjigje. Ne morëm vendimin që gjithë proçesin ta bëjmë falas. Vec faturës së shtetit u është dashur të paguani edhe atë të pushtetit”, theksoi kryeministri Edi Rama. “Në dy vjet janë hapur shumë gjyqe prej legalizimeve kuturru. Nëse ne do të bëjmë legalizimin falas, do të marrim lekët nga ata që kanë dhënë”, nënvizoi në fjalën e tij kryeministri Edi Rama. Kryeministri Rama shtoi më tej se proçesi i legalizimeve do të ketë edhe disa ndryshime që do ta bëjnë më të lehtë për qytetarin. “Legalizimi bëhet si një borxh ndaj gjakut dhe sakrificave ndaj atyre që janë pronarë të një shtëpie ku kanë hedhur të gjithë djersën. Paketa jonë është shumë e plotë. Gjëja e parë që ndryshon është skema e veprimit e cila kthehet në të kundërt. Tashmë nuk shkon qytetari tek shërbimi por shërbimi që vjen tek familja. Skema e vlerësimit të trojeve, përsa i përket atyre trojeve që janë me pronarë apo shtetërorë do të ndryshojë se nuk mund të ketë të njëjtën vlerë toka.” ka vijuar më tej kryeministri Rama ndërsa shtoi: “Nga ana tjetër ne kemi ndryshuar skemën e dokumentacionit. Kush do të bëjë dokumentacion, do të shkojë në hipotekë dhe do të bëhet pronar i shtëpisë. Këtë process e kemi të përqendruar të zonat informale, sepse ka shumë familje që janë në vështirësi ekonomike, edhe për këto do të ketë trajtim të veçantë.” tha Rama