NATO-ja njoftoi të premten se ka miratuar dërgimin e forcave shtesë për t’i dislokuar në Veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – për shkak të rritjes së tensioneve.- “Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i [Misioni i NATO-s në Kosovë] ta përmbushë mandatin e tij”, tha përmes një deklarate sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai, po ashtu, bëri thirrje për “shtensionim urgjent” të situatës. Në deklaratën e Natos thuhet: “Misioni KFOR i NATO-s ka një prani të dukshme në mbarë Kosovën. Ne gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë nga OKB. Që nga maji, ne kemi përmirësuar praninë dhe qëndrimin e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale. Ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që misioni ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës. KFOR-i vazhdon të koordinohet ngushtë me të gjitha palët relevante të interesit në Beograd dhe Prishtinë, si dhe me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-në, Misionin e OKB-së në Kosovë dhe komunitetin diplomatik. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të shkojnë drejt de-përshkallëzimit. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje, që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon.” – thuhet kështu në deklaratën e Organizatës së Atlantikut të Veriut.