Paparaci/ Ismail Xhaferi: Që të bëhet Shqipëria

15
Sigal

 

(Sipas meje)

Që të bëhet Shqipëria,

që e ardhmja mos të digjet,

së pari duhet një ligj,

që të zbatohen gjithë ligjet.

Që të bëhet Shqipëria,

vendi yt e vendi im,

shumicë e politikanëve,

Duhen shpallur në kërkim.

Që të bëhet Shqipëria,

Vend me standarde të larta,

Të gjithë klasën politike,

duhet të shpallim non grada.

që të bëhet Shqipëria,

edhe fund të marri loja,

shumicës së analistëve,

duhet që t’u mbyllet goja.

Që të bëhet Shqipëria,

T’i shpëtoj kësaj mynxyre,

Duhet që të gjendet rruga,

Të ndalohet lehje tyre.

Që të bëhet Shqipëria,

vend për t’u pasur zili,

shumë gjyqtarë e prokurorë,

duhen çuar në qeli.

Që të bëhet Shqipëria,

vend i pasur dhe i qetë,

të mos votohet me lista,

por të zgjedhë populli vet.

Që të bëhet Shqipëria,

që e keqja të ndalohet,

i gjithë leku që është vjedhur

duhet të sekuestrohet.

Që të bëhet Shqipëria,

nuk përbën ndonjë sekret,

gjithë vilat me lekë të vjedhur,

të bëhen prona për shtet.

Që të bëhet Shqipëria,

dhe gjithë të keqen ta shëmbim,

duhet drejtësi patjetër,

duhet të gjejë guri vendin.

Që të bëhet Shqipëria,

fund të marrë kjo kohë e pistë,

duhen ca njerëz të ndershëm,

duhen ca idealistë.