Sulmohet me koktej molotovi Kuvendi i Kosovës

526
Persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar rreth orës 4 të mëngjesit ndërtesën e Kuvendit të Kosovës me koktej molotovi. Burime brenda hetuesve të Policisë së Kosovës kanë treguar se nga ekzaminimi i ngjarjes dyshohet se personat kishin për qëllim futjen e molotovit brenda objektit për ta djegur atë. Sipas informacioneve nga hetuesit e policisë, personat e dyshuar së pari e kanë goditur me gurë një dritare dhe e kanë thyer xhamin përmes të cilit kanë provuar ta fusin koktejin e molotovit brenda ndërtesës, por nuk ia kanë arritur qëllimit. Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka konfirmuar këtë sulm në ndërtesën e Kuvendit që ndodhet në rrugën “Agim Ramadani”. Ajo tha se policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes duke filluar pastaj ekzaminimin e vendit, ndërsa deri tani nuk ka persona të dyshuar apo të arrestuar. Mësohet se zyra e dëmtuar nga sulmi i takon stafit të presidentes Atifete Jahjaga, pasi zyrat e Presidencës së Kosovës ndodhen brenda hapësirave të Kuvendit.
Sigal