Haradinaj kërkon zgjedhje të reja: Gjykatën e bëjmë vet

443
Sigal

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se vendit i duhen ndryshime të reja.

Ai në një intervistë për “Radio Evropën e Lirë” ka thënë se nëse në Kosovë nuk ndodh ndryshimi atëherë do të përkeqësohet gjendja.
“Pra qeverisja e Thaçit e keqësoj gjendjen në vend. Bashkimi me LDK-në dhe qeverisja e zotit Mustafa, po e përkeqëson një gjendje që veç ishte e keqe. Ne i ballafaqojmë këta dhe synojmë ndryshimin, pra synojmë daljen nga kjo gjendje e qeverisjes. Si dalje nga kjo gjendje që është në përkeqësim e sipër e në vështirësim për qytetarët, i mendojmë zgjedhjet”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj më pas ka shtuar se është e papranueshme vazhdimi me një kualitet të tillë qeverisës.
“Mendojmë se humbjet e Kosovës do të thellohen enorm, edhe humbjet për qytetarët do të thellohen çdo ditë. Ende s’ka një model të qartë, mirëpo vetvetiu një reflektim politik nga të gjithë ne duhet të ndodhë, besoj edhe nga ata që qeverisin sot, duhet ta vlerësojnë se sa gjatë duan të vazhdojnë me këtë situatë, e cila po e përkeqëson gjendjen në vend. Pra, do të ishte edhe në interesin e atyre që janë në qeverisje sot me marrë një vendim sa më të shpejtë”, është shprehur Haradinaj.
Ai gjithashtu ka folur edhe rreth Gjykatës Speciale ku ka theksuar se qeveria nuk mundet ta kthejë në riprocedim një gjë e cila ka vdekur.
“Ne jemi për Gjykatë për krime lufte, vendore jo selektive. Jemi që kjo Gjykatë për krime lufte, vendore jo selektive e Kosovës, të këtë edhe një dhomë të posaçme që do të trajtonte në mënyrë sepcifike dyshimet e raportit të zotit Dick Marty dhe të gjeturat e hetimeve të zotit Wiliamson. Këtë e kërkojmë pasi i kemi dhënë mundësinë për shqyrtim të gjithë asaj që ka ndodhur gjatë periudhës së luftës, OKB-së përmes UNMIK-ut, Tribunalit për ish-Jugosllavi do të thotë në Hagë, dhe EULEX-it.
Pra, 16 vite më vonë pas këtyre tri mundësive që ja kemi dhënë bashkësisë ndërkombëtare, ne kërkojmë të drejtën vet ta vendosim një gjyqësor për krime lufte në Kosovë, me një dhomë të posaçme që trajton këto dyshime dhe të gjetura të hetimeve të zotit ëiliamson që do të mund të përballej edhe prej ekspertëve ndërkombëtarë. Qeverisë i ka dhënë përgjigje parlamenti për materien me të cilën është prezantuar. Qeveria mund ta nis një propozim të ri, por nuk mundet të vazhdojë ta riprocedojë atë e cila ka vdekur. Parlamenti e ka kthyer në piken zero këtë proces”.