“Shpërthim me eksploziv në makinën e gazetarit të “Rai 3”, Ranucci Hakmarrje për hetimet e Report

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Itali. Një mjet shpërthyes është vendosur gjatë natës nën makinën e gazetarit dhe moderatorit të emisionit investigativ Report, Sigfrido Ranucci. Automjeti ka shpërthyer me një fuqi të madhe, duke dëmtuar edhe makinën tjetër të familjes dhe shtëpinë ngjitur.

Në vendngjarje kanë mbërritur karabinierët, zjarrfikësit dhe njësitë e policisë, ndërsa Prokuroria kompetente është vënë në lëvizje për hetimet e para dhe është njoftuar Prefekti. Sipas asaj që raportohet në faqen zyrtare të emisionit Report, fuqia e shpërthimit ka qenë aq e madhe sa mund të kishte vrarë këdo që do të kalonte në atë moment. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00, në Campo Ascolano, një zonë midis Romës dhe Pomezias, në jug të kryeqytetit italian.

NOA

Shpërthimi ka dëmtuar edhe makinën tjetër të familjes, të cilën e përdorte zakonisht vajza e gazetarit dhe që ishte parkuar vetëm pak minuta më herët, rreth orës 21:40. Edhe banesa e Ranuccit ka pësuar dëmtime në pjesët e jashtme, por për fat të mirë nuk raportohen as viktima, as të plagosur. Gazetari ka folur me Corriere della Sera pak pas orës dy të mëngjesit:

“Vajza ime kaloi përpara makinës sime vetëm pak minuta para shpërthimit — mund ta kishin vrarë…”. Sipas tij, ngjarja mund të mos jetë rastësore:

‘Është e mundur që kjo ngjarje të ketë lidhje me faktin se para pak ditësh kam njoftuar temat e reja të hetimeve të Report,’ – është shprehur Ranucci.