SHBA/ 10 milionë dollarë për të gjetur “kokat” e grupit kriminal “REvil”

175
Sigal

Zyrtarët amerikanë bënë të ditur se Uashingtoni ka ngritur padi ndaj dy personave, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal REvil, lidhur me një valë sulmesh kibernetike, përfshirë një rast që çoi në mbylljen e përkohshme të fabrikës më të madhe të përpunimit të mishit në botë, si dhe sulme të tjera ndaj bizneseve anembanë globit, gjatë fundjavës së katër korrikut, ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland dhe zyrtarë të tjerë të lartë njoftuan akuzat ndaj shtetasit ukrainas Yaroslav Vasinskyi dhe atij rus Yevgeniy Polyanin, që sipas autoriteve amerikane dyshohet se janë pjesë e një organizate kriminale që kreu sulmet kibernetike, e quajtur REvil. Zyrtarët thanë se Yaroslav Vasinskyi ishte arrestuar së fundmi në Poloni dhe se qeveria amerikane kishte arritur të rikuperonte 6.1 milionë dollarë fonde të marra në mënyrë të paligjshme nga Yevgeniy Polyanin.

“Departamenti i Drejtësisë nuk do të kursejë asnjë burim për të identifikuar dhe vendosur para drejtësisë këdo që shënjestron Shtetet e Bashkuara me një sulm kibernetik”, tha zoti Garland.

Departamenti i Thesarit njoftoi gjithashtu sanksione ndaj Yaroslav Vasinskyit dhe Yevgeniy Polyanin.

Po sot, Departamenti amerikan i Shtetit ka ofruar një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për këdo që jep informacione në identifikimin ose vendndodhjen e çdo personi në krye të grupit kriminal që njihet ndryshe edhe me emrin Sodinokibi.

Të hënën, autoritetet evropiane të zbatimit të ligjit njoftuan gjithashtu se do të arrestojnë në Rumani dy persona të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me REvil.

Arrestimet janë pjesë e një hetimi të strukturave të zbatimit të ligjit të quajtur GoldDust që përfshin Shtetet e Bashkuara dhe 16 vende të tjera. REvil, i njohur gjithashtu si Sodinokibi, dyshohet se ka qenë i lidhur në muajt e fundit me sulme kibernetike që kanë patur në objektiv përpunuesin më të madh të mishit në botë, JBS SA, si dhe një sulm gjatë fundjavës së katërt korrikut ndaj disa bizneseve në mbarë botën.