Protestat anti Covid në Europë

77

Në Gjermani vijon vala e zemërimit kundër shtrëngimit të masave për menaxhimin e pandemisë. Mijëra qytetarë janë bashkuar në një marsh të heshtur në Berlin, duke u shprehur edhe kundër ligjit që i jep më shumë kompetenca qeverisë në vendimmarrjen për masat kufizuese.

Gjermania hyri në një bllokim të pjesshëm njëmujor më 2 nëntor. Teatrot, kinematë dhe qendrat rekreative publike duhet të qëndrojnë të mbyllura, ndërsa kufizime të reja janë vendosur edhe për kontaktet shoqërore.

Protesta të dhunshme këtë të diel, pati edhe në Britaninë e Madhe. Disa persona janë arrestuar në Liverpul. Qytetarët kundërshtojnë ashpërsimin e masave duke i quajtur ato diktaturë.

Në Paris e qytete të tjera franceze po ashtu kanë vijuar tensionet ndërsa besimtarët katolikë kërkojnë hapjen e kishave.

Ndërkohë në Italinë fqinje, disa qytetarë shprehen kundër të dëgjuarit dhe bisedave për pandeminë. Demonstrata u përshkallëzua në incidente dhe përleshje me policinë, dhjetëra persona përfunduan në pranga.

Italia është një nga vendet që përjetoi izolimin më të ashpër kombëtar gjatë valës së parë të pandemisë.

Mesazhet e protestuesve kanë qenë të qarta dhe përgjithësisht të fokusuara në këto linja shqetësimesh : Jo mbyllje, Jo vaksinim me detyrim, Jo rrjetit 5G dhe Jo Trans-Humanizmit ose lidhjes së njeriut me Inteligjencën Artificiale.