Presidenti Trump informohet për stuhinë në Teksas

495
Presidenti Donald Trump u takua sot në kryeqytetin e shtetit Teksas, Austin, me autoritetet lokale për t’u informuar për përpjekjet më të fundit të shërbimeve të emergjencës. Presidenti dhe Zonja e Parë Melania Trump udhëtuan sot me avion drejt Teksasit për të parë nga afër dëmet në shtetin e përmbytur nga uji, ndërkohë që furtuna tropikale Harvey vazhdon të sjellë reshje mbi rajonin.
Presidenti dhe bashkëshortja ndaluan fillimisht në Corpus Christi, ku uragani Harvey shkaktoi dëmet e para që ditën e premte.
Në axhendë nuk ishte planifikuar një vizitë në qytetin e Hjustonit, ku përmbytjet masive kanë zhvendosur mijëra njerëz nga shtëpitë e tyre të ndodhura në këtë zonë që përllogaritet si zona e katërt më e populluar në Shtetet e Bashkuara. Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Trump planifikon të bëjë një udhëtim të dytë drejt Teksasit ditën e shtunë, për të parë më nga afër dëmtimet nga furtuna, e cila mendohet se deri në fundjavë do të jetë zhvendosur drejt veriut të vendit.
Përpara se të shkonte në Teksas, Presidenti Trump premtoi se qeveria federale do të ofronte të gjithë asistencën dhe ndihmën financiare që do t’i nevojitet shtetit të Teksasit dhe shtetit fqinj Luizianës, për t’u rimëkëmbur nga dëmet e shkaktuara nga furtuna, të përllogaritura në dhjetëra miliardë dollarë.
“Ne jemi një familje amerikane” u shpreh Presidenti Trump, ndërsa po përballet për herë të parë gjatë shtatë muajve të presidencës së tij me një katastrofë natyrore të përmasave të mëdha. Ai premtoi se “do t’ju jepet çdo gjë që do t’ju nevojitet dhe me shpejtësi”.
Sigal