Përplasje me armë mes shqiptarëve në Itali, tre të lënduar, një rëndë

51
Sigal

Konflikt me armë zjarri mes tre shtetasve shqiptarë në Bibione, Venecia, e si pasojë një prej tyre është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, të hënën e 27 qershorit, rreth orës 7 në banesat sociale në Stella Sirio, raportojnë mediat italiane.

Sipas hetimeve të deritanishme, konflikti ka ndodhur mes tre shtetasve të gjithë të kombësisë shqiptare.

Njëri prej tyre, i armatosur me pistoletë, i ka rënë ziles së derës së bashkatdhetarit të tij që jeton në një apartament në banesat sociale në Via della Vega.

Personi i armatosur, një 55-vjeçar me banim në Bevazzana, dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka gjuajtur tre herë në drejtim të bashkatdhetarit të tij, ndërsa një tjetër shqiptar ishte me të.

Në vendngjarje mbërriti policia dhe ambulanca.

I plagosuri është dërguar në spitalin e Mestres në gjendje të rëndë.

Dy të tjerët u dërguan në komisariat.

Sipas hetimeve, të tre shqiptarët janë kolegë, të gjithë të punësuar si kopshtarë në një agjenci në Bibione, por ata nuk shkonin mirë për shkak të konflikteve për paratë.