Pamje të dhimbshme/ Makinat e Ushtrisë italiane mbushen me trupa, kisha nuk ka më vend për arkivole

349
Sigal

Mëngjesin e ditës së sotme, dhjetëra makina ushtarake kanë arritur në varrezat monumentale të Bergamos për të marrë arkivolet që ndodheshin në kishë pasi kromatoriumi nuk ishte më në gjendje ta përballonte numrin e lartë të trupave të viktimave të COVID-19.

Vetëm ditën e djeshme janë regjistruar 88 viktima nga koronavirusi në Bergamo, ndërsa 627 në të gjithë Italinë, një shifër rekord kjo që ia kalon edhe Kinës.

Ndërkohë kryetari i bashkisë Giorgio Gori, tha se deri më tani nuk ka ende shpresë për të mundur virusin. “Shpresojmë që drita në fund të tunelit të fillojë të shihet, sepse tani për tani nuk po e shohim, – tha ai. Në pamje, shihen kamionët që kalojnë njëri-pas tjetrit, me arkivolet e nxjerra nga Kisha.

Italia ngelet një nga vendet më të prekura, dhe numri i personave që po humbin jetën rritet ndjeshëm çdo ditë. Deri më tani në Itali kanë humbur jetën 4,031 persona. Ndërsa në SHBA kanë humbur jetën 275 persona.

Në Greqi deri më tani kanë humbur jetën 6 persona dhe në Francë ka 450viktima. Të infektuar ka edhe në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut, Gjermani dhe në shumë vende të Europës. Në Shqipëri 70 persona janë infektuar me COVID-19 dhe 2 prej tyre ka humbur jetën.