Opozita maqedonase shpall ‘fitoren’ me sondazhe, VMRO: Qeveria do humbë në mënyrë katastrofike

100
Sigal

Partia kryesore opozitare në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE ka thënë se nëse vendi do të mbante zgjedhje të parakohshme parlamentare, qeveria e udhëhequr nga socialdemokratët do të humbte në mënyrë katastrofike.

Sondazhet e publikuara nga instituti IPSOS ka gjetur se VMRO-DPMNE do të fitonte me një epërsi të thellë prej 200 mijë votash kundrejt LSDM-së në pushtet.

Sipas sondazhit, VMRO do të fitonte rreth 350 mijë vota, kundrejt rreth 170 mijë që do të merrte LSDM-ja.

Konstante sipas anketimit mbetet partia shqiptare e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila mund të marrë rreth 110 mijë vota.

Rritje ka pësuar partia Levica ose e Majta siç njihet në vend, të cilën qeveria e akuzon si parti pro-ruse.

Ndërsa partitë e tjera shqiptare kanë pësuar një rënie të ulët.

Kujtojmë që sondazhi i institutit IPSOS është kryer për llogari të partisë konservatore VMRO-DPMNE.

Kjo forcë politike përmes një deklarate së fundmi ka thënë se vlerësimet negative për qeverinë e drejtuar nga Dimitar Kovaçveski është për shkak të drejtësisë së munguar, korrupsionit, tenderëve kriminalë dhe inflacionit stratosferik.

VMRO ka pretenduar prej kohësh se kryeministri Kovaçevski nuk ka legjitimet në Kuvend për shkak se e mori detyrën nga Zoran Zaev.

Për këtë arsye, por edhe se maxhoranca ka një shumicë të brishtë në Kuvend prej 3 votash duke bërë që shumica e ligjeve të bllokohen nga opozita.

Pavarësisht kësaj, kryeministri Dimitar Kovaçevski pretendon se zgjedhjet nuk janë zgjidhje për krizën politike dhe ekonomike në Maqedoninë e Veriut.

Kujtojmë që sondazhet vijnë pas debateve të mëdha për të ashtuquajturin propozim francez për heqjen përfundimtare të vetos bullgare e cila çon në hapjen përfundimtare të negociatave me Bashkimin Evropian.