Inflacioni në SHBA vazhdon të jetë i lartë, pavarësisht një rënie të vogël

45
Sigal

Rënia e çmimeve të karburantit, fluturimeve ajrore dhe veshjeve solli një lehtësim të vogël të inflacionit të lartë muajin e kaluar për amerikanët. Megjithatë, rënia e çmimeve ishte modeste nga niveli më i lartë në 40 vjet që u arrit në qershor.

Çmimet e konsumit u rritën me 8.5% në korrik krahasuar me një vit më parë, tha qeveria të mërkurën, nga një rritje prej 9.1% krahasuar me qershorin e një viti më parë. Në baza mujore, çmimet kanë mbetur të pandryshuara nga qershori në korrik, rritja më e vogël e tillë në më shumë se dy vjet.

Pjesa më e madhe e lehtësimit muajin e kaluar u ndje nga udhëtarët. Kostoja e dhomave të hotelit shënoi rënie me 2.7% nga qershori në korrik, çmimi i biletave të udhëtimit me avion ra me gati 8% dhe ato të makinave me qira me 9.5%. Këto rënie çmimesh pasuan një rritje të madhe të tyre vitin e kaluar pas rënies së numrit të rasteve me COVID-19 dhe lehtësimit të masave kufizuese. Biletat e udhëtimit me avion janë ende gati 30% më të larta se një vit më parë.

Shifrat e korrikut rritën shpresën se inflacioni mund të ketë arritur kulmin pas më shumë se një viti rritjesh të vazhdueshme që krijoi vështirësi financiare për familjet amerikane dhe nxiti Rezervën Federale të rrisë në mënyrë agresive normat e interesit. Kjo shkaktoi një rënie të miratimit të punës së Presidentit Joe Biden nga publiku amerikan.

Megjithatë, rritja e çmimeve të produkteve bazë u ngadalësua përkohësisht në disa raste kohëve të fundit dhe pastaj u rrit përsëri. Edhe nëse inflacioni vazhdon të bjerë, ai është shumë larg objektivit vjetor prej 2% të Rezervës Federale.

“Ka një arsye të mirë për të menduar se inflacioni do të vazhdojë të ulet”, thotë Michael Pugliese, një ekonomist i bankës Wells Fargo. “Ajo për të cilën nuk po flitet në këtë diskutim është ritmi i kësaj rënie?”

Zoti Pugliese thotë se edhe nëse inflacioni bie në 4%, më pak se gjysma e nivelit aktual, kjo përsëri mund të nxisë Rezervën Federale të rrisë normat e interesit.

Megjithatë, amerikanët vazhdojnë të përballem me rritjen më të mëdha të çmimeve në disa dekada. Çmimet e ushqimeve u rritën me 1.1% në korrik dhe tani janë 13% më të larta se një vit më parë, rritja më e madhe nga viti në vit që nga viti 1979. Çmimet e bukës u rritën me 2.8% muajin e kaluar, rritja më e lartë në më shumë se dy vjet. Kostot e qirasë dhe kujdesit shëndetësor u rritën, megjithëse pak më pak se në muajt e mëparshëm.

Pagat mesatare po rriten më shpejt se sa janë rritur në dekada, por jo aq shpejt sa për të mbuluar kostot në rritje. Si rezultat, disa njerëz që kishin dalë në pension kanë ndjerë nevojën muajt e fundit për t’u rikthyer në punë.

Mes tyre është edhe Charla Bulich, e cila jeton në San Leandro të Kalifornisë. Për gjashtë muajt e fundit zonja Bulich, 73 vjeç, ka punuar disa orë në javë duke u kujdesur për një grua të moshuar, sepse sigurimet shoqërore dhe asistenca e saj ushqimore nuk ia mbulojnë kostot në rritje.

“Unë e tejkaloj buxhetin tim gjatë gjithë kohës – kjo është arsyeja pse më duhej të shkoja të gjeja punë,” tha zonja Bulich.

Tani, ajo shqetësohet se do të humbasë asistencën e saj ushqimore në muajt e ardhshëm për shkak të të ardhurave të saj shtesë.

Raporti i së mërkurës rriti shpresën se ngadalësimi modest i inflacionit mund t’i mundësojë Rezervës Federale të ngadalësojë ritmin e rritjes së normave afatshkurtra të interesit kur të takohet në fund të shtatorit – dhe bëri që çmimet e aksioneve në bursa të rriteshin. Sa shpejt dhe sa larg Rezerva Federale rrit kostot e huamarrjes ka efekte të rëndësishme në ekonomi: Rritjet më të mprehta priren të pakësojnë huamarrjen dhe shpenzimet e konsumatorëve dhe të biznesit dhe të bëjnë më të mundshëm një recesion.

Nëse Rezervës Federale nuk i duhet të rrisë normat aq lartë për të frenuar çmimet, ajo ka një shans më të mirë për të krijuar një “ulje të butë”, ku rritja ngadalësohet mjaftueshëm për të frenuar inflacionin e lartë, por jo aq sa të shkaktojë një recesion.

Presidenti Biden e përmendi raportin në komentet që bëri të mërkurën, duke theksuar shifrën e sheshtë mujore të inflacionit:

“Dua të them vetëm një shifër: Zero”, u tha ai gazetarëve. “Sot morëm lajmin se ekonomia jonë kishte inflacion zero për qind në muajin korrik.

Presidenti Biden vuri në dukje rënien e çmimeve të karburantit si një shenjë se politikat e tij – duke përfshirë përdorimet e mëdha të naftës nga rezerva strategjike e vendit – po ndihmojnë në zvogëlimin e kostove më të larta që kanë dëmtuar financat e familjeve, veçanërisht për amerikanët me të ardhura më të ulëta dhe familjet afrikano-amerikane dhe hispanike.

Megjithatë, republikanët po theksojnë vazhdimësinë e inflacionit të lartë si një çështje kryesore në zgjedhjet për në Kongres në nëntor, me sondazhet që tregojnë se çmimet e ngritura kanë ulur ndjeshëm vlerësimet për miratimin e punës së presidentit Biden.

Ka shenja të tjera se inflacioni mund të zbehet në muajt e ardhshëm. Sipas një sondazhi të Rezervës Federale të Nju Jorkut, pritshmëria e amerikanëve për inflacionin në të ardhmen ka rënë duke reflektuar me gjasë rënien e çmimeve të karburantit që është shumë e dukshme për shumicën e konsumatorëve.

Pritshmëritë për inflacionin mund të jenë domethënëse: Nëse njerëzit besojnë se inflacioni do të qëndrojë i lartë ose do të përkeqësohet, ata ka të ngjarë të ndërmarrin hapa – të tilla si kërkesa për paga më të larta – që mund t’i bëjnë çmimet më të larta. Më pas, kompanitë shpesh rrisin çmimet për të kompensuar kostot e tyre më të larta. Por sondazhi i Rezervës së Nju Jorkut zbuloi se amerikanët parashikojnë inflacion më të ulët në një, tre dhe pesë vjet nga tani sesa një muaj më parë.

Megjithatë, në kategoritë ku ndryshimet e çmimeve janë më të qëndrueshme, të tilla si qiratë dhe kostot janë ende në rritje. Një e treta e amerikanëve marrin me qira shtëpitë e tyre dhe kostot më të larta të qirasë po i lënë shumë prej tyre me më pak para për të shpenzuar në sende të tjera.

Inflacioni kokëfortë nuk është vetëm një fenomen amerikan. Çmimet janë rritur në Mbretërinë e Bashkuar, Evropë dhe në vendet më pak të zhvilluara si Argjentina./ VOA