Nishani në OKB: Terrorizmi kërcënim për botën, ta frenojmë

440
Sigal

SHBA –  Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani mbajti fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Presidenti Nishani u ndal në çështjen e terrorizmit, si një rrezik dhe kërcënim global. Presidenti shqiptar theksoi se Shqipëria dënon me forcë të gjitha aktet terroriste nga grupe të ndryshme e sidomos ato të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, dhe shtoi se Shqipëria i është bashkuar koalicionit ndërkombëtar për të frenuar dhe shkatërruar këtë organizatë. “Shqipëria dënon në mënyrën më të fuqishme të gjithë aktet terroriste kryer nga grupet dhe organizatat terroriste në Irak dhe Siri, përfshirë dhe veçanërisht ato nga ISIS-i. Të vetëdijshëm se terrorizmi është një kërcënim që s’njeh kufij, Shqipëria i është bashkuar koalicionit ndërkombëtar të krijuar së fundmi me qëllim frenimin dhe shkatërrimin në fund të ISIS-it”, theksoi Nishani në fjalën e tij. Presidenti gjithashtu u ndal edhe në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar rajonin të rëndësishëm në aspektin gjeopolitik përsa i përket sigurisë në Evropë, duke patur parasysh edhe situatën në Ukrainë. Siç edhe u shpreh në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, “Shqipëria ka shprehur mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës dhe se OKB nuk ka pranuar aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia”. Ai theksoi se Ballkani Perëndimor mbetet i angazhuar për stabilitetin politik, progresin ekonomik dhe forcimin e fqinjësisë e konsolidimit të paqes. Shqipëria, pjesë e këtij rajoni, duhet të marrë masa për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në këtë aspekt, “marrja e statusit kandidat, e ka inkurajuar vendi tonë për të vazhduar dhe intensifikuar reformat e nisura që do të bëjnë të mundur hapjen e bisedimeve të pranimit në Bashkimin Europian”, shprehet Nishani. Përsa i përket Kosovës, Presidenti Nishani i bëri thirrje të gjitha vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë, ta bëjnë një gjë të tillë. “Shqipëria mbështet plotësisht zhvillimin e Kosovës dhe integritetin territorial të saj. Ne u bëjmë thirrje vendeve që ende nuk kanë njohur Kosovën, ta njohin atë, sepse kështu ata do të ndihmonin jo vetëm popullin e Kosovës të përparojë drejt të ardhmes, por do të kontribuonin gjithashtu për paqen dhe stabilitetin në rajon”, deklaroi Nishani. Kreu i shtetit nuk la pa përmendur as dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, bisedime që sipas tij, kanë dhënë rezultate konkrete në rrugën drejt BE-së të të dyja vendeve. Gjatë fjalimit, Presidenti shqiptar shprehu edhe nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit me Maqedoninë për të përmbushur të drejtat e popullsisë shqiptare që jeton në atë shtet, duke e cilësuar si kusht për stabilitetin e qëndrueshëm.