Koronavirusi/ Kosova ndalon fluturimet drejt Italisë

464
Sigal

Duke qenë se në Itali, situata është mjaft shqetësuese nga përhapja e koronavirusit, autoritetet shtetërore kosovare morën të njëjtin vendim si Shqipëria.

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga Italia e Veriut, për shkak të koronavirusit.

Këtë lajmërim ai e ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook, ku shkruan se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka rekomanduar ndalimin e këtyre fluturimeve.

“Sot, në ora 12:40 kemi pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut – si refleksion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër Coronavirusit.

Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk tē lartë. Fluturimet janë ndërprerë”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka shtuar se është në kontakt me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe atë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për të koordinuar kontrollin në Aeroportin “Adem Jashari”.