Nis zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë

526
Nga mesnata, apo fillimi i datës 31 maj, subjektet politike në Kosovë kanë nisur edhe zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 11 qershor.

Fushata, zyrtarisht zgjatë 10 ditë, edhe pse ajo ka nisur me aktivitete të ndryshme të subjekteve politike që nga 11 maji, ditën kur Presidenti i Kosovës, kishte shpallur datën e zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka premtuar organizimin e zgjedhjeve të lira e demokratike.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se me angazhimin e të gjithë akterëve, zgjedhjet do të mund të jenë shembull edhe për vendet tjera.

“Zgjedhjet e lira e demokratike janë themeli i angazhimit tonë institucional, sepse qëllimi ynë është që zgjedhjet të gëzojnë besimin e qytetarëve dhe akterëve tjerë të procesit zgjedhor”, ka thënë Daka.

Në vijim, Valdete Daka ka kërkuar edhe nga subjektet politike që të respektojnë në tërësi procesin zgjedhor në mënyrë që zgjedhjet në fund të marrin vlerësimet më të larta ndërkombëtare.

“Në emër të KQZ-së dua t’i ftoj subjektet politike që t’i respektojnë plotësisht detyrimet kushtetuese dhe ligjore. Vetëm në këtë mënyrë, duke u angazhuar të gjithë bashkërisht ne do të arrijmë që 11 qershorin ta kthejmë në një dite feste për qytetarët e vendit tonë. Është detyrë e jona e përbashkët që të angazhohemi për t’i treguar botës shembullin për zgjedhjet e lira e demokratike”, është shprehur Daka.
Sigal