Ngushëllime dhe solidaritet me Britaninë pas sulmeve

515
Bota e ndoqi me tronditje situatën në Londër të shtunën në mbrëmje. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të dielën përmes një deklarate se ishte ndjerë e trishtuar dhe e prekur nga sulmet. “Sot qëndrojmë të bashkuar në ndjenjat e revoltimit dhe dhimbjes, por të bashkuar edhe në vendosmërinë tonë”. Zonja Merkel shtoi se të gjithë qëndrojnë të bashkuar “në luftën kundër çdo forme terrorizmi, të vendosur në mbështetje të Britanisë”.
Presidenti i Francës Emmanuel Macron tha se në mes të të plagosurve të shtunën kishte edhe shtetas fracezë. Ai i cilësoi sulmet një akt të shëmtuar prej frikacaku dhe shtoi se Franca do të vazhdojë të luftojë “terrorizmin me të gjitha forcat, përkrah Britanisë dhe të gjitha vendeve të tjera”.
Kryeministri i Indisë Narendra Modi i dënoi sulmet. Kryeministri australian Malcolm Turnbull tha të dielën se dy australianë ishin lënduar nga sulmet. Një prej tyre ishte në spital, ndërkohë që autoritetet po përpiqeshin të konfirmonin gjendjen e shtetasit tjetër.
Autoritetet britanike ende nuk kanë konfirmuar se bëhej fjalë për sulmues të fesë islame. Por kryeministri australian u shpreh haptazi për identitetin e autorëve: “Ky sulm është një tjetër shembull i paskrupullt i realitetit tonë të ri, kërcënimit të vazhdueshëm nga terroristë vrasës islamikë, synimit të tyre për të dëmtuar komunitetet tona, mënyrën tonë të jetesës dhe liritë tona të shtrenjta”.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se i dënon sulmet. Kremlini njoftoi se zoti Putin i kishte dërguar një telegram Kryeministres Theresa May ku shkruante për nevojën që të intensifikohen përpjekjet e përbashkëta kundër terrorizmit.
Sigal