Nga lidhja me baronin shqiptar të drogës, tek trafikimi drejt Shqipërisë/ Autoritetet kolumbiane “çmontojnë” grupin e bosit të kokainës!

147
Sigal

Pas arrestimit të një prej bosëve më të mëdhenj të drogës në Kolumbi, autoritetet vendase shprehen të vendosura për të çmontuar rrjetin kriminal “Clan del Golfo gang”.

Karteli i drogës, sipas drejtuesve të policisë kolumbiane, shtrihet në mbi 28 shtete të botës. Kreu i këtij rrjeti, Dairo Antonio Usuga u arrestua muajin e kaluar dhe konsiderohej si një prej personave më të kërkuar në Kolumbi.

Sipas Reuters, organizata që drejtonte ai, ka aleanca dhe me 5 kartela dhe grupe mafioze ndërkombëtare të cilët sëbashku realizojnë trafikimin e 20 tonëve kokainë çdo muaj.

“Pesë grupe mafioze dhe kartele ndërkombëtare janë drejtuesit me të cilët trafikon Klani del Golfo: Jalisco Nueva Generacion dhe Sinaloa në Meksikë, mafia Calabresa dhe Siciliana në Itali dhe rrjetet ballkanike,” tha drejtori i policisë së Kolumbisë Jorge Luis Vargas.

Më tej ai shprehet se autoritetet kanë identifikuar 28 shtete ku bëhej transporti i kokainës nga ky kartel. Mes shteteve, është edhe Shqipëria dhe Italia.

Dairo Antonio Usuga bënte të mundur pastrimin e parave të pista përmes biznesmenëve të huaj nga Libani, Arabia dhe Izraelit.

Lidhja me bosin shqiptar të drogës Agim Çerma

Grupi kriminal “Clan de Golfo” ka lidhje dhe me “lordin” shqiptar të drogës në Kolumbi të arrestuar në muajin korrik të këtij viti, Agim Çerma.

Këtij të fundit iu kap dhe iu sekuestrua një sasi kokaine që kapte vlerën e 17 mln eurove. Ai drejtonte një rrjet të strukturuar të trafikut të drogës të cilën e shpëndante në vendet europiane, kryesisht në Bullgari.

Udhëheqësi shqiptar i grupit, i njohur edhe si “Jimmy”, jetonte prej disa vitesh në Barranquilla. Mediat vendase shkruajnë se shqiptari, ishte emisar i Kartelit Ballkanik dhe investitori kryesor i organizatës.

Misioni i tij ishte të merrte kokainë për ta dërguar atë veçanërisht në Sofje të Bullgarisë. Po kështu, ai kishte nën komandën e tij një kolumbian me pseudonimin “Cardona”, i cili punonte si mbikëqyrës i kontrollorëve të trafikut ajror në Cali. Ndikimi kriminal i organizatës ishte përqendruar në departamentet e Cauca, Valle del Cauca dhe Atlántico, ku niseshin fluturimet “charter”.

Agim Çerma u arrestua në qytetin e Monterias. “Kapja për qëllime ekstradimi të pesë anëtarëve të një organizate kriminale transnacionale kushtuar trafikut të drogës, veçanërisht hidrokloridit të kokainës. Kjo organizatë kriminale drejtohej nga Agim Çerma me kombësi shqiptare, i cili kërkohet nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për krimin e trafikut të drogës.

I arrestuari ka një rekord penal për vrasje në Shqipëri. Gjithashtu në Holandë, ku ai u kap për trafik droge”, tha gjeneral majori Herman Alejandro Bustamante, drejtori i Antinarkotikëve të Policisë kolumbiane. Gjatë bastisjeve, Policia kapi 1.500 milionë pesos dhe 332 kilogramë kokainë me vlerë rreth 17 milionë euro.