Muzeu “Inhotim”, në Brazil bëhen bashkë arti dhe natyra

331
Piktura, skulptura dhe instalacione arti janë përhapur kudo në hapësirën 250 hektarë të një kopshti në Brazil, duke e shndërruar këtë peisazh të mrekullueshëm natyror, në një Inhotim, muzeun më të madh në natyrë, në mbarë botën. Kopshtet e harlisura të projektuara nga artisti i njohur i peisazheve në Brazil, Roberto Burle Marx, janë shndërruar për pak ditë në muzeumin më të madh të artit bashkëkohor që nga hapja për herë të parë në publik në vitin 2006. Mes instalacionit, gjendet edhe një kaleidoskop i madh, i artistit danez Olafur Eliasson, që ofron kënaqësi dhe pamje impresive të një pylli që rrethon parkun. Lokalizuar në Brumadinho, vetëm 60 km larg nga Belo Horizonte në jug-lindje të Brazilit, kompleksi masiv i artit është mbledhur bashkë nga një miliarder vendas, Bernardo Paz. Themeluar që në vitin 1980, në këtë parkfillimisht gjendej koleksioni privat i artit të Paz. Disa vite më vonë, ai vendosi që kishte ardhur momenti që këtë eksperiencë të tij unike kulturore e artistike, ta ndante me gjithë botën.

Në Inhotim, në këtë muze, vizitorët mund të admirojnë më shumë se 500 punime nga qindra artistë, përfshirë këtu edhe emra të njohur si Anish Kapoor, MattheW Barney apo artistët brazilianë Vik Muniz, Helio Oticica dhe Tunga. Një nga punimet që është pjesë e instalacionit është edhe vepra e artistit japonez Yayoi Kusama, që përfshin 500 sfera çeliku lundruese që pasqyrojnë peisazhin madhështor nga brenda një pellgu. Mes këtij peisazhi piktoresk, gjenden edhe dhjetëra trarë çeliku të ndryshkur, krijuar nga artisti njujorkez Chris Burden, të gjitha të ngulura në cimento. Për të krijuar instalacionin, Burden i ka sjellë këto trarë të gjatë deri në 40 metër, përmes një vinçi. Drejtori ekzekutiv i muzeumit, Antonio Grassi, e përshkruan Inhotimin një eksperiencë unike për ata që adhurojnë artin dhe format e ndryshme të tij nga cep i botës. “Inhotim në realitet nuk është thjesht një muzeum dhe nuk është thjesht një kopësht botanik. Është një ndërthurrje e bukur mes artit dhe botanikës,që krijon në vetvete një eksperiencë unike, të dyja bashkë në një skenë artistike ndërkombëtare në Brazil. Eksperienca e vizitës në Inhotim i siguron një vizitori ndjenjën e të qënurit special dhe i lejon të dalin nga gjendja e përditshme” tha ai. Për çdo vit, më shumë se 300 mijë vetë, dashurues të artit nga e gjithë bota vizitojnë Inhotim dhe shumë rikthehen sërish, për të qënë të aftë të shohin më në detaj kompleksin masiv artistik.

Makinat e vogla të golfit janë aty për të lejuar vizitorët që të vizitojnë rreth e përqark kopshtet gjigande dhe liqenet, për të vizituar në çdo cep galeritë e ndryshme pjesë të instalacionit të artit, shumë prej të cilave janë interaktive. Shumica prej pavionëve të godinave janë edhe vetë pjesë artistike, kryesisht të projektuar nga artistë specifikë dhe një numër i vogël arkitektësh vendas. Peter Raflaaub ka udhëtuar nga Zvicra me bashkëshorten e tij për të vizituar enkas këtë kompeks arti në Brazil. Ai tha se as nuk e dinte që mund të ekzistonte një vend i tillë si Inhotim me kaq shumë vepra arti. “Nuk e mendoja kurrë se mund të ekzistonte një vend si ky këtu. Por këta artistë kanë bërë një punë intensive. Kjo e bën këtë art vërtet unik sepse këto vepra mund të jenë vetëm këtu dhe askund tjetër” tha ai. Vizitorja braziliane Mariangela Machado, tha se Inhotim e meriton një vizitë të dytë. “Ne kemi udhëtuar shumë, dua të them jo në të gjithë botën por kemi udhëtuar vërtet shumë, të paktën aq sa mund të them se nuk kam parë askund një vend tjetër si ky. Më duket fantastike gjithçka e ekspozuar në këtë bukuri natyrore. Planifikoj vërtet të rikthehem sërish” tha ajo. Kopshtet botanike të Inhotim përbëhën nga mbi 5 mijë lloje e specie të ndryshme lulesh e bimës, përfshirë mes tyre edhe koleksioni më i madh e më gjigand në botë i palmave. Në park gjenden gjithashtu edhe dhjetëra lloje të ndryshme kafshësh.

Në muze gjendet 23 galeri të mëdha arti, 19 prej të cilave janë ekspozita të përhershme. Një nga koleksionet më të fundit të prezantuara në muze është koleksioni me 400 foto të Amazonës, fisit të saj Yanomami, të realizuara nga fotografia zviceriane Claudia Andujar. Andujar, e cila u zhvendos në Brazil në mesin e viteve 50, nisi të fotografojë me aparatine saj në vitin 1971 jetën e përditshme të një nga fiseve më të mëdha të Amazonës, e cila ende sot jetin në izolim të plotë. Në këtë ekspozitë fotografike, përfshihen foto të fisit Yanomami nga vitet 1970-2010, madje disa prej tyre u ftuan edhe të jenë të pranishëm si të ftuar specialë në mbrëmjen e celjes së ekspozitës. Davi Yanomami, shefi i fisit të Amazonës dhe një nga të paktit që flet portugalisht, ndihmoi Andujar gjatë vizitave të saj. Ai tha se kjo ekspozitë do ti ndihmojë njerëzit e tij të mësojnë më shumë rreth jetës dhe të shmangin ndërhyrjet e tyre në jetën dhe terroriret e huaja. “Paqja për Yanomamis është të qëndrojnë në shtëpinë e tyre. Është gjë e mirë që njerzit të vijnë të na vëzhgojnë, të reflektojnë dhe të interesohen për ne, por më pas ata duhet të largohen dhe të na lënë të jetojmë të qetë dhe vetëm, sic kemi lindur” tha ai.

Ndër galeritë më të vizituara në këtë muze, është galeria e dedikuar artistit brazilian Adriana Varejao, një nga zërat më të fuqishëm global të artit bashkëkohor. Në këtë pavion shfaqen konkretisht disa nga punimet e saj më të famshme, përfshirë një pikturë e pame e një pishine dhe skulptura të mbetjeve të një shtëpie të vjetër. Një tjetër brazilian, me famë botërore ka gjithashtu vendin e tij në muze, në pavionin e artit kontemporan, Tunga, punimet e të cilit janë një miksim skulpturash, ilustrimesh dhe filmave me metrazh të shkurtër. Përvec pavioneve të famshme të artit, kopshteve të mahnitshme, Inhotim ofron edhe vende të tjera relaksuese, restorante, kafene dhe dyqan dhuratash, për vizitorët e shumtë. Në ndërtim aktualisht është edhe një hotel super luksoz me 7 yje dhe një qendër SPA, që pritet të përfundojë brenda vitit 2016.