Mustafa: Demarkacioni procedohet në Kuvend më 8 maj

388
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, zhvilloi një bisedë telefonike me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit të SHBA-ve, Hoyt Yee, ku u bisedua për zhvillimet e fundit në Kosovë, përcjell “Zeri.info”.

Gjatë bisedës, veçmas u diskutua për nevojën që të procedohet pa vonesë në Kuvend Projektligji për ratifikimin e marrëveshje për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, si një prej marrëveshjeve më të rëndësishme për vendin.

Mustafa dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee u pajtuan që të hënën Qeveria t’ia procedojë Kuvendit të Republikës së Kosovës Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Si rrjedhim, Qeveria e Kosovës do të mblidhet të hënën dhe ky projektligj do të përcillet në Kuvendin e Kosovës.

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, e konsideroi vendim të duhur adresimin e kësaj çështje të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, duke shprehur bindjen se kjo marrëveshje do të votohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit.