Kryediplomati hungarez: Suedia duhet të veprojë ndryshe që t’i bashkohet NATO-s

110
Sigal

Qeveria suedeze duhet të “veprojë ndryshe” nëse dëshiron që të marrë mbështetjen e Turqisë për anëtarësim në NATO, tha ministri i Jashtëm i Hungarisë.

Kryediplomati hungarez, Peter Szijjarto, shtoi se protesta para Ambasadës turke në Stokholm, ku u dogj një kopje e Kuranit, ishte veprim “i papranueshëm”.

Szijjarto i bëri këto deklarata gjatë një konference për media pas takimit me homologun e tij turk, Mevlut Cavugoslu, në Budapest. Dy diplomatët folën për protestën antiturke të 21 janarit, dhe vlerësuan se ajo kishte rritur tensionet mes Ankarasë dhe Stokholmit në kohën kur Suedia po kërkon miratimin nga Parlamenti turk për t’iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s.

“Si i krishterë dhe si katolik, më duhet të them se djegia e librit të shenjtë të një feje tjetër është një akt i papranueshëm”, tha Szijjarto, dhe kritikoi deklaratat e kryeministrit suedez që tha se përderisa djegia e Kuranit ishte veprim i papërshtatshëm dhe “thellësisht ofenduese”, protesta ishte në kuadër të mbrojtjes së lirisë së shprehjes në Suedi.

“Të thuash se djegia e një libri të shenjtë është pjesë e lirisë së shprehjes, thjesht është budallallëk”, tha Szijjarto. Ai shtoi se “ndoshta ata [Suedia] duhet të veprojnë ndryshe” nëse duan të marrin mbështetjen e Ankarasë.

Takimi në Budapest vjen në kohën kur Turqia dhe Hungaria janë dy anëtaret e vetme të NATO-s që nuk kanë miratuar aplikimet për anëtarësim në aleancë të Suedisë dhe Finlandës. Këto dy shtete ndajnë kufi me Rusinë dhe pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, vendosën që të aplikojnë për anëtarësim në aleancën ushtarake perëndimore.

Që këto dy shtete të bëhen pjesë e NATO-s, duhet që 30 anëtarët e aleancës të ratifikojnë aplikimet e tyre.

Cavusoglu tha se Turqia ndan dëshirën e Hungarisë për zgjerimin e NATO-s, por tani “ne e kemi të pamundur të konfirmojmë pranimin e Suedisë” në aleancë. Ai tha se protesta, ku u dogj Kurani, ishte “provokim që ne nuk do të na çojë askund, veçse mund të na çojë në kaos”.

Ankaraja po ashtu është shprehur e pakënaqur me përpjekjet e Suedisë për të shtypur grupet që Turqia i konsideron terroriste apo që paraqesin kërcënim për të, përfshirë edhe grupet kurde. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Suedia nuk duhet të presë mbështetjen e Ankarasë për anëtarësim në NATO.

Ndërkaq, Qeveria hungareze pritej të votonte për pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO në fund të vitit të kaluar. Szijjarto tha se kjo çështje do të jetë në agjendën parlamentare gjatë pjesës së parë të këtij viti. /REL