Kroaci: Arrestohen bullgarët, bartnin afganë të helmuar e pa vetëdije

448
Sigal

Dhjetëra migrantë, kryesisht nga Afganistani janë
dërguar në një spital në Kroaci pasi policia e ndaloi një furgon që mbarte 67
persona.

Policia kroate ka arrestuar dy shtetas bullgarë që
dyshohet se bënin trafikimin e tyre, raporton Reuters.

Furgoni që kishte tabela britanike të regjistrimit,
është ndaluar në autoudhën në mes të kufirit Serbi – Slloveni të shtunën në
mbrëmje, gjatë një kontrolli rutinor të trafikut.

42 migrantë janë dërguar menjëherë në spital, ndërsa
disa prej tyre janë trajtuar për helmim me karbon monoksid. Shumica kanë qenë
shumë të rinj në moshë, kryesisht nga mosha 15 deri në moshën 20 vjeçare.

“Disa prej tyre kanë qenë pa vetëdije, disa kanë
filluar të kthejnë kur janë gjetur nga policia. Ata ishin në gjendje serioze,
të dehidruar dhe duket sikur nuk kishin ngrënë që pesë ditë”, ka thënë Milan
Kujundzic, ministri kroat i shëndetësisë për agjencinë e lajmeve, HINA.