Shëndeti i gojës, problemet që duhen pasur në vëmendje

596
Sigal

Shëndet i mirë oral
nënkupton mishra, dhëmbë, gjuhë dhe gojë të shëndetshme. Cilët janë faktorët
kryesorë që ndikojnë në shëndetin oral, cilat janë sinjalet që paralajmërojnë
probleme me shëndetin oral si dhe cilat janë këshillat që duhen pasur parasysh
për një shëndet oral të mirë.

Shëndeti
oral është një term që siguron mirëqenien e dhëmbëve dhe mishrave pranë tyre
(gingivat).

Kur përmendim problemet dentare,
zakonisht na vijnë mend procese që nisin dhe vazhdojnë brenda dhëmbit, si:
kariesi, prishja e thjeshtë, heqja e nervit e deri në rastet kur prishja kalon
përtej rrënjëve të dhëmbit duke dëmtuar kockën dhe duke rrezikuar zonën
përreth, proves i njohur me termin infeksion.

Faktorët kryesorë që
ndikojnë në prishjen e dhëmbëve:

§  Gjenet e trashëguara

§  Higjiena jo korrekte

§  Dieta që përfshin ushqime të buta që ngjiten
lehtë mbi dhëmbë, si psh.: karamelet, patatinat, etj

§  Neglizhenca në trajtimin e prishjeve shpesh
pasohet me dhimbje që sa vijnë e bëhen më të bezdisshme e deri të padurueshme.
Në disa raste dhimbja tolerohet më shumë nga organizmi, ndërkohë që dhëmbi
arrin pa simptoma në infeksion, situatë që vë në pikëpyetje ruajtjen e tij.

Prishja e lokalizuar në
kontaktin midis dhëmbëve shpesh shoqërohet edhe me dëmtim të gingivës dhe
kockës që ndodhet nën të duke formuar një xhep, i cili do vazhdojë të jetë i
pranishëm edhe pas mbushjes së dhëmbit duke dhënë shpeshherë bezdi që arrin deri
në dhimbje të forta. Në këto raste rekomandohet veçanërisht një pastrim i
kujdesshëm me fijen ose furçën interdentare në mënyrë që ky proces në pamundësi
për t’u rikthyer siç ishte, të ngadalësohet në avancim.

Problemet e mishrave të
dhëmbëve

Ashtu si dhëmbët, edhe
gingivat mund të pësojnë dëmtime të parikthyeshme. Problemet e gingivave njihen
me termin ‘Gingivitis’. Ato janë të pranishme vecanërisht në moshën kur ndodh
ndërrimi i dhëmbëve, si edhe gjatë pubertetit, nën ndikimin e hormoneve. Edhe
periudha e shtatzënisë ndikohet nga hormonet karakteristike të saj dhe mund të
shfaqen dukuri të ‘gingivitis’ që rinormalizohen pasi bie ndikimi i tyre.

Si sinjale për t’u pasur
kujdes janë:

-Sipërfaqe shumë e
lëmuar që gjakoset lehtë

– Skuqje (Ngjyra normale
është rozë e lehtë)

– Zmadhim në volum

-Hialitosis (era e
pakëndshme e gojës)

Në disa raste
‘gingivitis’ shoqërohet edhe me dëmtim të kockës nën to dhe gjendja quhet
‘paradontozë’. Kjo është një dukuri që vihet re shpesh në pacientët që kanë
probleme me gurëzat në moshën 30-40-vjeçare. Është karakteristike ekspozimi në
gojë i rrënjëve afër nivelit të gingivave.

Duhet pasur parasysh që
goja shërben si portë hyrëse e shumë baktereve duke rrezikuar shëndetin e
gjithë organizmit. Në rastet me imunitet delikat, si: diabet, artrit reumatoid
dhe sëmundje kardio-vaskulare duhet treguar kujdes edhe më i veçantë gjatë
procedurave dentare për të shmangur incidente të pakëndshme.

Këshillat që duhen pasur
parasysh:

Larja e kujdesshme 3-5
min që përfshin të gjitha sipërfaqet e dhëmbëve. Ajo duhet te bëhet me furçë me
fije të buta, duke e lëvizur furçën vertikalisht ose duke e rrotulluar, por jo
në mënyrë horizontale. Gjatë larjes duhet furçuar edhe sipërfaqja e sipërme e
gjuhës, sipërfaqet e brendshme të faqeve, pra çdo vend ku mund të ngelen
ushqimet. Kjo procedurë duhet kryer minimalisht 2 herë në ditë, në mëngjes dhe
në mbrëmje. Edhe pastrimi me fijen interdentare ka shumë rëndësi për pastrimin
e zonave ku furça normale nuk arrin dot. Me rëndësi për t’u përmendur është që
duhet hequr nga përdorimi kunja dentare si një shkaktare kryesore e avancimit
të xhepave dentare. Në fund, për një higjienë optimale duhet bërë një shpëlarje
me shpëlarës oral.

Dy procedurat e fundit
duhen bërë të paktën pas një vakti në ditë, më e mira do ishte pas darkës.

Këshilla kur në gojë
janë pranishëm trupa të huaj

Kur në gojë janë të
pranishëm trupa të huaj si ura, implante, proteza fikse apo të lëvizshme,
aparate ortodontikë, etj , duhet pasur edhe më shumë kujdes me higjienën, duke
e përshtatur atë sipas rastit. Për aparatet fikse ortodontike ka furça
specifike, kurse për protezat e lëvizshme ka në treg tableta eferveshente që
shkrihen në enën me ujë dhe bëjnë një pastrim në thellësi të tyre. Për
rezultate gjithmonë e më të mira, duhet bërë një ndjekje e vazhdueshme nga
mjeku stomatolog në formën e konsultave çdo 6 muaj që shpesh shoqërohen edhe me
pastrimin e gurëzave dhe cipave.

Ndjekja në vazhdimësi
dhe bashkëpunimi afatgjatë siguron, me pak durim, një higjienë optimale dhe
gjendja normalizohet. Në raste të veçanta mund të rekomandohen trajtime më
specifike si antibiotiko-terapi, kyretazh gingivar, lëmim i rrënjës,
lazer-terapi dhe kirurgji.