Krimea, Rusia dhe e ardhmja e Ukrainës

576
Sigal

Opinioni publik dhe shtypi amerikan i kanë vënë në pikëpyetje akuzat e Putinit për shkeljen e të drejtave të njeriut

Cila do të jetë e ardhmja e Ukrainës, a mund të kthehet atje stabiliteti politik pas zgjedhjeve të muajit maj dhe cili do të jetë roli i ish-kryeministres së dalë nga burgu Julia Timoshenko në zhvillimet politike të vendit? Shefi i Shërbimit të Ukrainës në Zërin e Amerikës, Adrian Karmazin komenton për zhvillimet e fundit.

Zëri i Amerikës: Zhvillimet e kohëve të fundit në Krime, pritej të ndodhnin, apo ishte e papritur për të gjithë?
Adrian Karmazin: Kur një qeveri e re vjen në pushtet, njerëzit fillojnë të kenë shpresa. Prandaj, mendoj se, për shumë njerëz që i kanë ndjekur ngjarjet në Ukrainë, ajo ç’ka ndodhi në Krime ishte e papritur. Nuk ka asnjë pjesë tjetër të Ukrainës, që të ketë një popullsi ruse në shumicë, si në Krime, ku rreth 60 për qind e popullsisë së gadishullit janë rusë.
Zëri i Amerikës: Lajmet nga Ukraina dhe Rusia, janë të ndryshme kur është fjala për gjendjen e të drejtave të minoritetit rus në Ukrainë. Si qëndron e vërteta, sipas jush?
Adrian Karmazin: Sekretari Kerry dhe ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Poëer, dolën me deklarata shumë të forta lidhur me faktin që nuk ka patur shkelje të të drejtave të njeriut tek popullsia rusishtfolëse, me etnicitet rus në Krime dhe në rajone të tjera të Ukrainës.  Ata i kanë kërkuar Rusisë që të kërkojë ndihmën e organizatave të ndryshme për të bërë një vlerësim te gjendjes së të drejtave të rusëve në Ukrainë, por Rusia nuk ka shprehur ndonjë interes.  Prandaj, opinioni publik në Shtetet e Bashkuara dhe shtypi amerikan i kanë vënë në pikëpyetje akuzat e zotit Putin dhe qeverisë së tij për shkeljen e të drejtave të njeriut. 

Zëri i Amerikës: Ukraina ka një qeveri të përkohshme deri në zgjedhjet presidenciale të muajit maj. Ish-kryeministrja Julia Tymoshenko tashmë ka dalë nga burgu. A mendoni se, ajo ka shanse t’i fitojë zgjedhjet dhe të bëhet presidentja e ardhshme e Ukrainës?
Adrian Karmazin: Qeveria e re e Ukrainës është zgjedhur nga Parlamenti, që u rikonfigurua pas shkarkimit dhe largimit nga Ukraina të presidentit Janukoviç. Qeveria aktuale, edhe pse është e përkohshme, mund të qëndrojë në pushtet për një farë kohe, ndoshta 6 muaj, apo një vit, nuk di nëse kjo mund të ndodhë. Zgjedhjet presidenciale mund të ndikojnë tek kjo çështje, e cila do të jetë pjesë e kompromisit dhe ndryshimeve që ndodhën në Ukrainë, si dhe e marrëveshjes që u ndërmjetësua nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe presidentit ukrainas, kur ai ishte ende në pushtet. Kjo marrëveshje me opozitën i dha përsëri më tepër kompetenca Parlamentit dhe më tepër fuqi qeverisë dhe kryeministrit. Arritjet që mund të realizojë kjo qeveri mbetet të shihen. Duke ju përgjigjur pyetjes suaj për zonjën Tymoshenko, mund të them se ajo ka një numër të madh përkrahësish në Ukrainë, ajo siguroi thuajse gjysmën e votave në zgjedhjet e kaluara presidenciale, katër vjet më parë. Njerëzit në Ukrainë dhe përkrahësit e saj janë shumë të kënaqur që kjo lloj barre u hoq nga Ukraina; Çështja  Tymoshenko ishte bërë pengesë për nënshkrimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian. Në nëntor, kur filluan protestat, BE-ja tha se, nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen për anëtarësimin e Ukrainës në organizatë, pa liruar zonjën Tymoshenko dhe zoti Janukoviç nuk e bëri këtë. Por sapo ajo lirua dhe u shfaq në publik, njerëzit shtruan pyetjen, nëse ky ishte drejtimi nga ata donin të shkonin përsëri, pra tek një politikane e vjetër, me lidhje në të kaluarën. Protestat e muajve të fundit janë udhëhequr nga drejtues të rinj, një gjeneratë e re udhëheqësish, të cilët nuk përballen me pikëpyetjet se si i kanë fituar paratë, apo për ndonjë marrëveshje gazi që ata kanë nënshkruar me Rusinë. Pra, tani kemi të bëjmë me një grup të ri politikanësh të pakorruptuar. Do të jetë interesante të shohim se çfarë do të vendosë ajo, nëse do të kandidojë për presidente, apo jo. Kjo çështje mund të bëhet shumë përçarëse.