Margarita Xhepa dhe Tinka Kurti: Emri nënë, është puthja e syve të zemrës!

731
Sigal

8 MARSI, Dita Ndërkombëtare e Gruas, flasin: Margarita Xhepa dhe Tinka Kurti

Ndoshta kanë kaluar më shumë se dy shekuj. Ishte fillimi i gjysmës së dytë të shekullit të 19-të, ku, gratë, duke ndjerë thellë pabarazinë, filluan të organizohen për të drejtat e tyre. Ato kërkonin pagesë të barabartë me burrat dhe uljen e orëve të punës nga 16 në 10 orë, sikundër dhe burrat. Ishte një lëvizje e pa menduar më parë. Një lëvizje që do të linte gjurmë. Kjo lëvizje arriti kulmin me grevën e madhe të grave rrobaqepëse dhe tekstiliste në Nju Jork, në 8 mars 1857, e cila u shtyp me gjak, në kuptimin më konkret të fjalës. Por rruga për të drejtat u hap. Kaluan 60 vjet dhe në vitin 1910, në një kongres grash nga vende të ndryshme të botës, nën drejtimin e z.Klara Cetkin, qindra gra u mblodhën në Kopenhagën të Danimarkës. Klara Cetkin propozoi që 8 marsi të jetë Dita Ndërkombëtare e Gruas. Kërkesa për të drejtën e votës ishte në plan të parë. Në 1910-n, Lidhja e Kombeve (OKB-ja e sotme) vendosi zyrtarisht që “8 Marsi të jetë Dita e Gruas për të drejtat e saj dhe për paqen e përgjithshme”

Në të vërtetë çfarë është 8 Marsi?

Kjo nuk është ditë feste, por ditë apeli. Është një ditë që të kujton një ngjarje tragjike për vuajtjet shekullore, të grave. Çuditërisht, 8 Marsi u kthye në festë. Por më mirë kështu, pasi mesazhi është i qartë, drejtësi, barazi, respekt, emancipim.  Akoma mbetet kuptimi simbolik i 8 Marsit edhe sot. Në përpjekjet e tyre për barazi, gratë ndeshen me dhunën, qoftë në plan shoqëror, qoftë në familje. Nga qendrat më të mëdha të studimeve për temën e barazisë së gruas në Shqipëri, gjithnjë e më shumë pranohet se emancipimi i gruas në të vërtetë nuk po ecën si duhet, ka pengesa, ka oshilacione, ka ende shumë për të bërë. Në shumë krahina të Shqipërisë guraja ende nuk po merr vendin që i takon, ka ende shumë rrugë për të emancipuar shoqërinë tonë maskiliste.

Margarita Xhepa “Artiste e Popullit”

Kur vjen kjo ditë me të vërtetë ndjej diçka të veçantë në shpirt. Emri nënë është puthja e syve të zemrës, lëvizja e vetme me buzë që thur në heshtje dashuri. Emri Nënë është një këngë ngjyrë vjollcë që dërgon ndjenja të trëndafilta ku sytë e fëmijëve kanë brenda shkëlqimin e agimit, ku kënga e plotë e tyre është vetëm malli dhe mirësia. Sa doja këtë mëngjes me një përqafim të dielltë e gjitha me një buzëqeshje si uji i kulluar  në shirat e një lumi mes shkëmbinjve, të përqafoja si hyjneshë nënën time. Brenda vetes gjithmonë, gërmoj aty ku është uji, aty ku është burimi për të të parë, për të të ëndërruar me shpresë për të dëgjuar në çdo kohë këshillat e nënës, e me një melankoli të ëmbël që mi josh sytë me lot pambarim, të ndjeja përqafimin e saj. Por jo, sot, pagëzohem në thellësinë e vetvetes  me fjalë e çaste të pathëna si yll në fundin e një pusi, për të ruajtur brenda vetes, kujtimet e fjalëve të saj. Duket sikur i them: Ti më ke bërë të hyj në thellësinë e kësaj ëndrre të bukur, kur jetën e gjalloj në siglën e të qenit Nënë e mirë. Një durim i dhunshëm më marros, harresa zbret mbi mal dhe malli im bëhet meditim. Era harron që është erë, dhe meditimi im skaj horizonti. Sytë e mi janë drita dhe zjarri i syve të tu. Nënë, malli për ty më puth në zemër. Në terr të ëndrrës diku nëpër natë, pres me endje të më thuash si të kaloj pengesat e jetës dhe unë nuk do ti turrem çelësit për dritë, se drita ime ke qenë vetëm TI.! Këto rreshta janë fjalë zemre për fjalën e shtrenjtë Nënë. Dhe në këtë 8 mars, them, se gruaja shqiptare për çdo ditë po fiton terren, për çdo ditë po gjen vetveten. Por çdo rrugë e tillë nuk është e thjeshtë. Për 200 vjet nuk mund të fitosh çdo gjë. Rrugët e emancipimit janë të vështira, janë plot të panjohura. Por megjithatë gruaja shqiptare ka fituar shumë. Nga vitit në vit, jeta dhe horizontet e saj po çelen. Kurrsesi nuk mund të themi se jemi shumë mbrapa emancipimit të vendeve europiane. Mbaj mend fillimet e jetës sime si aktore, se si ne ecëm në rrugën e emancipimit me shumë vështirësi, por nuk u përulëm. Ecëm me  fuqinë e emrit grua, me dëshirën për të parë të vërtetën në sy. Dhe çdo vit fituam terren, nuk u tërhoqëm, por me punë dhe këmbëngulje arritëm shumë, arritëm respektin, arritëm suksesin, dinjitetin, të qenit të respektuara në profesionin tonë. Gëzuar festën gra të dashura! Ju meritoni shumë, pasi ju jeni jeta, jeni rigjallërimi, jeni edukatoret e çdo brezi, jeni vetë qenia më e veçantë e njerëzimit. Zoti ju ka bekuar. Gëzuar!

Tinka Kurti “Artiste e Popullit”

Çdo 8 Mars ndihem më ndryshe, ndihem më e fortë, ndihem më krenare, ndihem më e vlerësuar, pasi sytë e gjithë botës drejtohen tek nënat. Jam nënë dhe kam pasur Nënë. Edhe sot e kujtoj Nënën time. Gjithmonë larg saj ndjeja, emocione të forta nën heshtjen dhe dhimbjen e mallit që si një ëndërr e pamundur desha të isha pranë në çdo moment. Kur e kujtoj, atë çast nuk derdh lot, por rruzuj diamantesh që s’dinë të më ndalen me mendimin se prekin fytyrën e saj. Nëna mbetet për mua qielli im i kaltër që më fal vetëm dritësi.  Mes këtij qielli janë fjalët e mia që s’i them dot, pasi e ndjej se, edhe kur s’flas ajo i ndjen fjalët e mia qelibar. Ajo për mua qe Ylli Polar që më ndjek çdo mbrëmje. Sa herë e mendoj filloj të ideoj pafundësisht rreshta të trishta, ku shtegton zjarri i fjalëve të pathëna, e ky mall i praruar nuk e di se si  më deh për të dëgjuar zërin e saj. Shpesh herë mbrëmjeve flas me yjet. Me orë qëndroj duke e menduar. Zambakë më shfaqen para syve si shoqëruese për vetminë time, por nën shoqërinë e saj. Ahere shpirti mbushet me mallin e dritës që krijojnë zambak të bardhë dhe të kuq që më çelin në sy retrospektivën e këshillave të saj. Kjo është Nëna për mua. Kjo duhet të jetë nëna për çdo kënd. Nën këtë këndvështrim e shoh dhe veten time, por dhe femrën shqiptare sot. Vitet ikin dhe çdo vit le gjurmët e tij. Gjurmët e këtyre viteve janë dhe një bilanc për femrën shqiptare. Nuk është bërë pak, por dhe shuam nuk është bërë. Askush nga femrat sot nuk mund t’i mendoj ditët e viteve 1944-1945. Kanë kaluar mbi 60 vjet. Në këto vite lufta për emancipimin ka qenë e pazakontë. Vinim nga një vend shumë i prapambetur, vinim nga një vend ku femra trajtohej si send. Emancipimi ka qenë i avashtë, por gjithmonë dhe më koherent dhe më i konsoliduar. Me rrjedhën e viteve, gruaja shqiptare, me punën e saj, me dijet e saj, me këmbënguljen e saj, me horizontin e saj, i ka bërë vend vetes kudo në shoqëri, Atë e sheh sot ministre, në Kuvend, drejtore, e sheh në çdo sektor të qeverisjes. Kjo nuk është pak, por nuk është as shumë. Gruaja shqiptare po gëzon shumë të drejta këtu në Tiranë, por kurrsesi në zonat rurale ku ende ka fshatra ku kanuni nuk i lëshon ende terren emancipimit. Konservatorizmi ende nuk është larguar nga jeta e grave shqiptare, ndaj për këtë duhet të luftojmë të gjithë. Gëzuar festën nëna të dashura. Gëzuar dhe mirësi paçi në çdo aspekt të jetës suaj. Festa jonë është në ditën më të bukur të pranverës dhe Pranvera na shkon shumë syve tanë, duarve tona, mesazhit tonë, për një jetë të qetë dhe të bukur