Katër shqiptarë arrestohen në Spanjë me 2 ton marijuanë

510
Policia spanjolle ka arrestuar 4 pjesëtarë të një grupi kriminal dhe ka shkatërruar tre plantacione me marijuanë të fshehur në një pyll me pisha, brenda parkut natyror ‘Serranía de Cuenca’.
Agjentët e Policisë Kombëtare Spanjole kanë shkatërruar tre plantacione marijuane dhe kanë sekuestruar më shumë se 2 ton lëndë narkotike në një park natyror në provincës e Cuencas. Si pjesë e operacionit i koduar nga policia si ‘operacioni i gjelbër,” janë ndaluar dhe katër të dyshuar si përgjegjës për kultivimin e marijuanës.
Sigal

“Agjentët kanë ndaluar katër anëtarët e grupit dhe kanë shkatërruar tre plantacione marijuane që ishin të fshehura midis pishave dhe një bimësie të dendur që e bënte terrenin të vështirë për t’u akesuar,” tha policia spanjolle në një njoftim për shtyp të martën. “Grupi kriminal ndërkombëtar përbëhej nga katër shtetas të kombësisë shqiptare,” shtoi ajo.

Hetimet kudër trafikantëve të marijuanës nisën në tetor falë sinjalizimeve të banorëve vendorë për praninë e të arrestuarve në komunën Huélamo (Cuenca). Sasia e bimëve dhe bohçeve të marijuanës që u konfiskua arrinin në 2,060 kilogramë. Agjentët sekuestruan gjithashtu edhe 1,600 euro në para të thata, një automjet, katër celularë dhe një peshore elektronike. Në operacion morën pjesë 30 policë.

“Të arrestuarit kishin krijuar një kamp të vogël, i cili u lejonte atyre t’i ruanin plantacionet dhe vendet ku e thanin marijuanën 24 orë në ditë,” shpjegoi policia spanjolle. “Falë bashkëpunimit të qytetarëve, u shkatërruan më shumë se dy ton bimë dhe bohçe marijuane,” shtoi ajo.

Sipas policisë trafikantët shqiptarë e kishin ngritur një kamp ku jetonin në pyll, duke i kushtuar të gjithë kohën e tyre mirëmbajtjes dhe ruajtjes së plantacioneve me kanabis sativa. Hetuesit konfiskuan dy tenda tharëse të mëdha të përgatitura për t’i bërë ballë motit të keq. Trafikantët kishin ndërtuar gjithashtu një sistem të sofistikuar për furnizim me ujë përmes tubave nëntokësor dhe depozitave të uji me kapacitet të madh, të gjitha këto të kamufluara me shumë kujdes në mes të bimësisë së parkut.