Katër hapat që do ta nxjerrin Greqinë nga kriza

437
Kriza greke është një tragjedi për vendin dhe një rrezik për ekonominë botërore. Gjermania po kërkon që Greqia të vazhdojë të përmbushë plotësisht borxhet e veta edhe pse është e qartë se Greqia është trokë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka theksuar se “ka një rrugëzgjidhje për këtë telash. Borxhi i Greqisë duhet të ulet ndjeshëm dhe vendi duhet të mbetet në eurozonë.
Në negociatat me kreditorët e vet këtë pranverë, Greqia e pranoi këtë, duke këmbëngulur që t’i ulet borxhi. Gjermani refuzoi. Megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe FMN-ja veçmas i mbajtën anën Greqisë, Gjermania prevaloi, siç bëjnë gjithnjë kreditorët.
Megjithatë kreditorët ndonjëherë prevalojnë në dëm të vetes; duke e shtyrë debitorin në një pikë thyerje, ata përfundojnë duke sjellë një mospagim komplet. Gabimi i Gjermanisë këtë javë të shkuar ishte shtyrja e ekonomisë greke – tanimë në kushte që i përngjajnë atyre të Depresionit të Madh – në një kolaps financiar total.
Ministri gjerman i financës Ëolfgang Schäuble ka një strategji të qartë negocimi, që synonte arritjen e miratimit të Greqisë për lënien e eurozonës. Fatkeqësisht për të, Greqia nuk do të dalë dhe nuk mund të detyrohet për këtë sipas traktateve që qeverisin Bashkimin Europian. Çfarë do Greqia është të mbetet në eurozonë, me një barrë më të ulët borxhi – një pozicion që është si finok nga aspekti ekonomik ashtu dhe i mbrojtur nga traktati.
Në fakt, një dalje nga euro do të ishte shumë e kushtueshme për Greqinë dhe me siguri do të krijonte një kaos politik dhe social – ndoshta edhe hiperinflacion – në zemër të Europës. Vlera e kursimeve të banorëve grekë do të ulej, teksa eurot do të konvertoheshin papritur në dhramitë e rinj. Klasa e mesme do të gërryhej. Dhe ndërrimi i valutës nuk do t’i kursente vendit asnjë cent në lidhje me borxhin e jashtëm, i cili do të mbetej kryesisht në euro.
Ende, barra e borxhit grek është e paqëndrueshme. Këtë javë, Greqia nuk i pagoi FMN-së, duke zgjedhur me të drejtë pensionet mbi përmbushjen e borxhit. Kreditorët e vendit tanimë duhet të negociojnë për një reduktim konsensual të borxhit përmes një kombinimi të normave të ulta dhe fikse të interesit, pakësimit të vlerës së borxhit dhe maturimeve shumë të gjata.
Ka shumë procedura për një drejtim të tillë. Borxhet sovrane janë rikonstruktuar qindra në mos mijëra herë, përfshirë Gjermaninë. Në fakt, kërkesat e ashpra nga kreditorët qeveritarë amerikanë të vendit pas Luftës së Parë Botërore kontribuan në destabilitetin e thellë financiar në Gjermani dhe në pjesë të tjera të Europës dhe në mënyrë indirekte në ngritjen e Adolf Hitlerit në 1933. Pas Luftës së Dytë Botërore, megjithatë, Gjermania ishte përfituesja e koncesioneve gjerësisht të zgjuara nga qeveria amerikane, në kulmimin e çlirimit konsensual nga borxhi në 1953, një veprim nga i cili përfitoi Gjermania dhe bota.
Ende Gjermania nuk ia ka dalë të mësojë leksionet nga historia e vet.
Unë propozoj një rrugë me katër hapa për daljen nga kriza greke. Së pari, rekomandoj që grekët t’i japin një “Jo” oshëtitëse kreditorëve në referendum mbi kërkesat e tyre në këtë fundjavë.
Së dyti, Greqia duhet të vazhdojë të refuzojë shlyerjen e borxheve të jashtme ndaj kreditorëve zyrtarë përpara një rikonstruktimi konsensual të borxhit më vonë në këtë vit. Duke marrë parasysh depresionin e madh, Greqia duhet t’i përdorë kursimet e veta për të paguar pensionistët, të ofrojë ndihmë ushqimore, të bëjë riparimet themelore në infrastrukturë dhe të likuidojë direkt sistemin bankar.
Së treti, kryeministri Alexis Tsipras duhet të përdori fuqitë e tij bindëse për të bindur publikun, në stilin e presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt, se e vetmja gjë që ata duhet të kenë frikë është vetvetja. Në veçanti, qeveria duhet ta bëjë të qartë për të gjithë grekët se depozitat e tyre në euro janë të sigurta; se vendi do të mbetet në eurozonë dhe se bankat do të rihapen menjëherë pas referendumit.
Së fundmi, Greqia dhe Gjermania duhet të vijnë drejt një riafrimi pas referendumit dhe të bien dakord për një paketë reformash ekonomike dhe për lehtësimin e borxhit. Asnjë vend – përfshirë Greqinë – nuk duhet të presë t’i ofrohet lehtësimi i borxhit në një pjatë argjendi; lehtësimit duhet të fitohet dhe të justifikohet me reforma reale që kthejnë zhvillimin. Kjo është arsyeja përse lehtësimi i borxhit dhe reformat duhet të ofrohen së bashku, jo reformat “të parat” me premtime të vagullta se lehtësimi i borxhit do të vijë pa specifikim sasie dhe kohe në të ardhmen.
Të dyja palët kanë bërë gabime të pafundme, kanë bërë gjykime të gabuara dhe shkelje në dekadën e fundit dhe më parë. Një vend nuk ka nevojë të arrijë gjendjen e rrezikshme të Greqisë pa një gjeneratë keqmenaxhimi skandaloz. Por një vend nuk falimenton pa gabime serioze nga kreditorët e vet – së pari në dhënien hua të shumë parave dhe më pas në kërkimin e pagesave të tepruara për të theksuar kolapsin e debitorit. Me të dyja palët fajtorë, është e rëndësishme që të dy të mos e humbin të ardhmen duke mbetur te e shkuara.
Lehtësimi i barrës së borxhit grek ndërsa e mban vendin në eurozonë është një rrugë korrekte dhe e arritshme për të dalë nga kriza dhe mund të përmbushet lehtësisht përmes një marrëveshje të përbashkët mes Gjermanisë dhe Greqisë, të cilën pjesa tjetër e Europës do ta pranojë. Rezultati do të jetë jo vetëm fitore për të dyja vendet, por edhe për ekonominë botërore.
Project Syndicate-BIRN
Sigal