Ja çfare kishte shkruar Fidel Castro para vdekjes

509
Sigal

Fidel Castro, lideri
revolucionar i Kubës, i cili e ka udhëhequr këtë ishull me regjim komunist për
afro gjysmë shekulli, ka vdekur në moshën 90-vjeçare.

Në vitet e fundit, ai
ka shkruar kolumne për mediat shtetërore, por rrallëherë është paraqitur
publikisht.

Në muajin prill të
këtij viti e bëri paraqitjen e tij më të gjërë publike për vite të tëra, në
ditën përfundimtare të Kongresit të Partisë Komuniste të Kubës.

“Së shpejti, unë do të
jem si të tjerët. Vjen koha për të gjithë ne, por idetë e komunistëve kubanë do
të mbesin si provë se në këtë planet, nëse dikush punon me entuziazëm dhe
dinjitet, atëherë ai mund të prodhojë të mira materiale dhe kulturore, që i
duhen njerëzimit dhe për këtë duhet të luftohet duke mos u dorëzuar kurrë”, tha
Fidel Castro.

I ndjeri Castro ishte
figurë qendrore në Luftën e Ftohtë, derisa sundimi i tij ishte shënuar me
invadimin e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i njohur me emrin, Gjiri i
Derrave, në vitin 1961, dhe me krizën raketore kubane, pas një viti, që e solli
botën shumë afër asaj që konsiderohej se do të ishte luftë atomike.

Nën Fidel Castron,
Kuba e mbijetoi embargon e rëndë tregtare të Shteteve të Bashkuara dhe disa
komplote për atentat.

Disa vite pas
tërheqjes së Castros, në dhjetor të vitit 2014, presidenti kuban, Raul Castro,
u pajtua për rivendosjen e lidhjeve diplomatike dhe për përfundimin e periudhës
prej disa dekadash të armiqësive me Shtetet e Bashkuara.

Fidel Castro jetoi
mjaft gjatë që ta përjetojë vizitën e presidentit amerikan, Barack Obama, në
fillim të vitit 2016, që ishte vizita e parë e një presidenti amerikan në 88
vjet.

Fidel Castro, i cili
nuk u takua me zotin Obama, e kishte shkruar një tekst të ashpër duke i dënuar
fjalët e “mbuluara me mjaltë” të zotit Obama dhe i kishte përkujtuar kubanët
për përpjekjet e shumta amerikane për përmbysjen dhe dobësimin e Qeverisë
komuniste të Kubës.

Njoftimi për vdekjen e
Fidel Castros ka shkaktuar hare në mesin e mijëra kubanëve që jetojnë në ekzil
në Majami të Shteteve të Bashkuara, që kanë brohoritur “Kuba po, Castro jo”!

Castro ishte i
admiruar nga shumë persona majtistë në gjithë botën, pasi e konsideronin si
vizionar, i cili i qëndroi në mënyrë të paepur dominimit të Shteteve të
Bashkuara në Amerikën Latine dhe për sjelljen e sistemit shëndetësor dhe
arsimor për të varfërit, me ç’rast i inspiroi lëvizjet socialiste në gjithë
botën.

Vdekja e Fidel Castros
duket se nuk do të sjellë ndonjë krizë, pasi Raul Castro, e ka mbajtur fuqishëm
sundimin e tij në dekadën e fundit. Ai i ka mbajtur në shënjestër disidentët,
ndërsa i ka kufizuar reformat ekonomike.