Italia rihap gradualisht kompanitë strategjike

272
Sigal

Ekonomia e tretë europiane mbetet e ngadalësuar, por kompanitë strategjike italiane rifilluan sot gradualisht, me masa drastike sigurie për të shmangur një rikthim të epidemisë së koronavirusit.

Qeveria italiane është përballur me një ekuacion të vështirë, si të frenojë pandeminë duke shmangur dëmet e pakthyeshme mbi ekonominë, sipas fjalëve të kryeministrit Giuseppe Conte?

Dje, Conte publikoi një plan për rifillimin e vendit më të prekur në Europë me më shumë se 26 000 të vdekur, me rihapjen që nga sot vetëm të kompanive strategjike.

Në këtë plan përfshihen veçanërisht aktivitetet prodhuese dhe industriale, më të orientuara drejt eksportit, si automjetet apo moda, për të shmangur penalizimin e tyre përballë konkurentëve të huaj.

Kështu në Mirafiori, në periferi të Torinos (në veri), njëqind punonjës, të thirrur për t’u bërë 250 në 48 orë, kaluan sot portën e fabrikës së prodhuesit të makinave Fiat Chrysler (FCA).

Inxhinierët dhe drejtuesit e ekipit fillimisht, pastaj punëtorët kalojnë para një skaneri termik, përpara se të marrin pajisjet mbrojtëse, maska, doreza dhe syze.

Ata duhet të punojnë në modelet e reja të Fiat 500 elektrik, ashtu si 60 punëtorët e një qendre tjetër e Torinos.

“Një fillim i ri që çon në shumë të tjerë”, shkruan e përditshmja La Stampa, në pronësi të familjes Agnelli-Elkann, duke iu referuar nënkontraktuesve të shumtë në industrinë e automobilave.

Në Sevel, një kompani e përbashkët e Fiat dhe prodhuesit francez PSA (Peugeot Citroën), të specializuar në prodhimin e automjeteve, 6 000 punonjës nga 6 700 po rifillojnë punën në kompani, për të rifilluar prodhimin e Ducatos, në Atessa.

Rreth 300 000 metër katrorë të uzinës janë dezinfektuar, 130 shpërndarës të xhelit hidroalkoolik janë në dispozicion si dhe 600 pika të pajisura me dezinfektues në mënyrë që punonjësit të mund të pastrojnë pajisjet e tyre. Dhe atje temperatura e punonjësve matet në hyrje, transmton Atsh.

“Ajo që kemi demonstruar sot është shembulli konkret i angazhimit tonë prioritar për mbrojtjen e punonjësve tanë (…) fryt i një pune të gjerë me ekspertë dhe virologë, dhe përfunduar nga një marrëveshje me të gjitha organizatat sindikale “, theksoi në një njoftim për shtyp Pietro Gorlier, një zyrtar i lartë i FCA.

Por, nuk është vetëm sektori i automobilave, që kontribuon në vlerën 5,6% të PBB italiane, që ka rifilluar sot punën.

“Duke nisur nga 4 maji, Italia do të rihapë të gjithë sektorin e prodhimit dhe ndërtimit, si dhe tregtinë me shumicë për këta sektorë”, theksoi Conte.

Pandemia dhe masat kufizuese kanë ndaluar ekonominë italiane.

Sipas parashikimeve të qeverisë, Italia do të hyjë në recesion këtë vit, me një rënie prej 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).