Italia nën pushtetin e flakëve, 3 të vdekur, temperatura përvëluese deri në 47 gradë

174
Sigal

Orë dramatike janë shënuar gjatë orëve të fundit në vendin fqinj Itali e në veçanti në rajonet jugore të saj, Kalabri, Sicili e Sardenja.

Vatra të shumta zjarri kanë përfshirë mijëra hektarë tokë  bujqësore, zona pyjore e qendra urbane duke shkaktuar dhe viktima.

Korrespondentja e Rtv Ora në Itali në një lidhje nga Kalabria ka raportuar se janë mbi 300 ndërhyrje të zjarrfikësve e 7 avionë zjarrshues që kanë punuar gjatë natës së shkuar e gjatë orëve të fundit të ditës, për shuarjen e flakëve.

Kryeministri italian Mario Draghi ka firmosur një draft-ligj i cili ka urdhëruar që reparte  speciale të Departamentit të Mbrojtjes Kombëtare Civile të vijnë në ndihmë të rajonit të Kalabrias.

Ndërkohë Prefektura e këtij rajoni ka kërkuar ndërhyrjen e forcave të ushtrisë për menaxhimi e situatës.

Nën koordinimin  e qeverisë qendrore po bëhet gjithnjë e më e fortë ideja e krijimit të një Task Force për përballimin e kësaj situate.

Flakët e zjarri kanë përfshirë gjatë natës dhe zonën pyjore në komunën Aspromonte e cila është një pasuri natyrore nën mbrojtje te Uneskos.

Deri më tani zjarret kanë shkaktuar dy viktima në Kalabri e një viktimë në Sicili.

Autoritet policore italiane  po patrullojnë nga ajri për të kontrolluar territorin e kanë identifikuar dhe persona që qëllimisht kanë shkaktuar zjarrvënie në disa zona të caktuara.

Flakët e zjarrit kanë  shkaktuar dëme të mëdha ekonomike për fermerët si dhe dëme ambientale natyrore të pallogaritshme.

Ekspertët  klimatikë italianë informojnë se temperatura e larta e thatësira ka shkaktuar një event klimatik të paprecendentë në Itali me temperatura mbi 45 gradë. E gjatë këtyre orëve janë 8 qytete jugore italiane nën alarmin e kuq të temperaturave deri në  47 gradë.