ISIS sulmon misionin e NATO-s në Kabul, vriten 8 civilë

487
Sigal
Ekstremistët e Shtetit Islamik kanë sulmuar dy automjete që i përkisnin misionit të NATO-s në Afganistan, ndërsa si pasojë e shpërthimit, tetë persona nga rradhët e civilëve kanë humbur jetën. Asnjë nga zyrtarët e Aleancës nuk është në rrezik për jetën falë automjeteve të blinduara që i rezistuan forcës shpërthyese. Nga rradhët e qytetarëve, përveç tetë viktimave, 25 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën, ndërkohë që 25 të tjerë kanë mbetur të plagosur, pas një sulmi që ekstremistët e Shtetit Islamik orgnaizuan ndaj dy automjeteve që u përkisnin misionit të NATO-s në Afganistan.

Zyrtarët e Policisë së Kabulit bënë të ditur se të gjithë viktimat ishin nga rradhët e civilëve.

Nga rradhët e zyrtarëve të Aleancës ka patur vetëm tre të plagosur që ishin nga Shtetet e Bashkuara.

Asnjë prej tyre nuk është në rrezik për jetën, pasi automjetet e NATO-s që janë operative në Afganistan janë të dizenjuara për t’i rezistuar shpërthimeve të tilla.

Pas ngjarjes së rëndë, të gjithë pjestarët e delegacionit janë kthyer në godinën qëndrore të Aleancës në Kabul.

Për t’u theksuar është fakti se sulmi është ekzekutuar në afërsi të Ambasadës amerikane, në kohën që zona ishte mjaft e populluar.

Ekstremistët e Shtetit Islamik kanë marrë përsipër sulmin, e megjithatë, për të konfirmuar autorësinë e tyre do të duhet të pritet deri në përfundimin e hetimeve.

Të plagosurit e tjerë janë dërguar menjëherë në ambientet spitalore me qëllim që të marrin trajtimin e nevojshëm shëndetësor.

Disa prej tyre kanë marrë plagë të rënda, ndaj mjekët nuk përjashtojnë as mundësinë e rritjes së bilancit të viktimave.