Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me të rinjtë e LRI-së në Njësinë 11 në Tiranë

618
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me të rinjtë e LRI-së në Njësinë administrative nr. 11 në Tiranë. Të pranishëm ishin edhe z. Ilir Meta, Zv.Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, Kryetarja e LGI-së, Klajda Gjosha, Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, kandidati për deputet, Ardit Çela, etj.

Në fjalën e mbajtur në këtë takim, z. Meta, tha se është koha që të rinjtë të votojnë pikërisht ata që i përfaqësojnë më mirë në Parlamentin e ardhshëm, ndërsa theksoi politika duhet të emancipohet përmes promovimit të vajzave të reja .

“Ka ardhur momenti që në zgjedhjet e ardhshme që ju të votoni për të gjithë ata që përfaqësojnë të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, shpresat tuaja dhe ëndrrat tuaja për një Shqipëri që u jep shanse të rinjve dhe të rejave që të jetojnë këtu me dinjitet, ti gëzojnë familjet e tyre dhe të ndërtojnë familje të shëndetshme”, – u shpreh z. Meta.

Ndërsa, Zv.Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, vlerësoi kontributin që rinia shqiptare jep për vendin dhe se me të rinjtë Shqipëria ka shpresa dhe mund të ecë përpara.

“Ne jemi shumë të lumtur që kjo rini dhe kjo LRI çon gëzim në çdo familje. Ju u mësoni se si Shqipëria ka shpresë, me ju Shqipëria kë shpresë, pa ju Shqipëria nuk ka shpresë. Me ju Shqipëria mund të ecë më shpejt, pa ju Shqipëria nuk mund të ecë me shpejt. Me ju Shqipëria mund të jetë më e shëndetshme, pa ju Shqipëria është e pashëndetshme. Me ju Shqipëria është e sinqertë, pa ju Shqipëria është një intrigë”, – theksoi Vasili.

Duke marrë fjalën gjatë këtij takimi, Kryetarja e LGI-së, Klajda Gjosha, e cila kryeson edhe listën e kandidatëve për deputetë të LSI-së për Qarkun e Tiranës, shpreh se rinia shqiptare është më evropiane se kurrë dhe se ka më shumë vlera evropiane se kushdo vend tjetër, qoftë edhe në vendet edhe anëtar i BE-së.

“Të punosh në LSI do të thotë të punosh për të ardhmen e rinisë shqiptare, të punosh për një arsim më të mirë për gjithsecilin prej jush, të punosh për t’i dhënë siguri familjeve shqiptare, se fëmijët e tyre e kanë të ardhmen e sigurt këtu në Tiranë, këtu në Shqipëri, në vendin ku secili prej nesh punon me shumë ndershmëri dhe me përgjegjshmëri për të çuar Shqipërinë në Evropë”, – tha Gjosha, duke shtuar se politika u duhet besuar të rinjve të Shqipërisë.

“Sfida ime më e madhe sot është që rinia shqiptare të rikthejë besimin se ky vend mund të bëhet, se politika shqiptare bëhet nga rinia dhe se politika sot duhet t’i besohet kësaj rinie të jashtëzakonshme. Ne do të punojmë shumë për të gjithë ju, për arsimin tuaj, për një mirëqenie më të mirë, që ju t’i përshtateni tregut të punës. Unë besoj se investimi te rinia është investimi i themelit të një shteti demokratik”, – deklaroi Klajda Gjosha.

Gjithashtu, një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, e cila tha se LSI punon për t’u krijuar shanse të rinjve të kenë nj arsim më cilësor dhe vende pune të mirëpaguara.

“Ne në Lëvizjen Socialiste për Integrim do të krijojmë një shans për një arsim më cilësor, do të krijojmë shanse për punë të mirëpaguara për të gjithë ne dhe për familjet tona duke ndihmuar kështu edhe në krijimin e familjeve tona më të qeta dhe më të shëndetshme. Ne të flasim vetë për problemet, për shqetësimet, për hallet, për nevojat, për politikat, për gjërat që ne duam të bëjmë. Sepse kush më mirë se sa ne mund t’i di këto dhe kush më mirë se sa ne mund t’i zgjidhi këto probleme”, – deklaroi Kryetarja e LRI-së.
Sigal